Ndryshon ligji/ Ndërtuesit e pallateve të sekuestruara nuk lejohen t'i blejnë më sërish

4 September 2026, 13:21 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ndryshon ligji/ Ndërtuesit e pallateve të sekuestruara nuk lejohen

Qeveria ka ndryshuar ligjin për administrimin e pallateve të sekuestruara nga shteti që janë ndërtuar pa leje. Në projektligjin e ri të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, ndërtuesit të cilët kanë ndërtuar këto objekte pa leje ose në tejkalim të saj, ndalohen t'i blejnë sërish.

Tre vjet më parë, qeveria miratoi një ligj, që i jepte të drejtën të konfiskonte pallatet e ndërtuara pa leje apo ato që kishin kaluar më shumë se 10 për qind sipërfaqen nga ajo e parashikuar në lejen e ndërtimit.

Si rezultat i këtij ligji shteti konfiskoi me dhjetra pallate, kryesisht në Tiranë. Ndër to, dy pallate ishin ndërtuara nga biznesmeni Lul Morina në zonën e Liqenit të Thatë tërësisht pa leje, një tjetër nga Pëllumb Salillari po në këtë zonë, ndërkohë që Armand Lilos iu mor kulla Eyes of Tirana, e cila kishte disa kate shtesë mbi lejen e miratuar.

Por pas konfiskimit nga shteti, të gjitha këto objekte u nxorrën në shitje dhe u blenë sërish nga njerëzit që i kishin ndërtuar me çmimet qesharake rreth 200 euro për metër katrorë.

Ligji i tre viteve më parë u argumentua nga qeveria si një masë për të ndalur ndërtimet e larta pa leje. Por për shkak se ndërtuesit i blinin sërish objektet e ndërtuara në shkelje të ligjit, me çmime qesharake, ligji jo vetëm që nuk frenoi ndërtimet pa leje, por edhe i shtoi ato, pasi përmes blerjes nga shteti, ndërtimet pa leje legalizoheshin.

Për të frenuar këtë dukuri, qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin duke mos lejuar më ndërtuesit që të marrin pjesë në ankandet për shitjen e objekteve të sekuestruara.

"Subjektet, në cilësinë e zhvilluesit/zbatuesit/mbikqyrësit/kolauduesit të pronës së konfiskuar nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e shitjes,” thuhet në projektligjin e ri.

Ndryshon ligji/ Ndërtuesit e pallateve të sekuestruara nuk lejohen

Kjo klauzolë do të ketë një periudhë tranzitore prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit të ri. Përtej kësaj, drafti i ri ja kalon të gjithë administrimin e objekteve të sekuestruara Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Kjo agjenci do të ketë të drejtën të përcaktojë destinacionin e objekteve të sekuestruara duke vendosur nëse do t'i përdorë për qëllime publike apo do t'i nxjerrë në ankand për shitje.

Po ndodh...

ide