Në gjurmët e një prej liqeneve më të vjetër në botë, çfarë fsheh Pogradeci?

4 September 2026, 16:00 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Nga Ledjan Zeqollari, studiues dhe Eduard Zaloshnja, analist

Pogradeci është një nga qytetet ku natyra dhe historia janë gërshetuar bukur me njëra-tjetrën. Për liqenin e tij unikal, koloneli francez Andre Ordioni, në letrën që u dergonte familjarëve më 1925, shkruante: “Ç’fat do të ishte për Francën sikur ky liqen të ishte në Morvan apo në Masivet Qëndrore. Besoj se Parisi do të bënte një kanalizim prej argjendi për të sjellë ujin ë tij në kryeqytet. Madje, siç bënin romakët në kohën e lavdisë së tyre, do të mëritonte të kishte një tempull të quajtur “Tempulli i ujërave“.

Më një traditë të vyer, gjithnjë e më shumë ky qytet po josh vizitorë. Sepse natyrës së qytetit i shtohet edhe trashëgimia kulturore, si lagjja muze, evente dhe festivale lokale, të cilat i japin vizitorit një përvojë të paharruëshme.

 1-Liqeni në UNESCO

Prej vitit 2019 liqeni i Pogradecit është pjesë listës së Trashëgimisë Botërore që mbrohet nga UNESCO, i vlerësuar si një prej tre liqeneve më të vjetër në botë. Kthjelltësia e ujit, harmonizimi i relievit malor me liqenin vlerat dhe sitet e shumta arkeologjike kanë bërë që, sipas specialistëve,  të klasifikohet si një muze i gjallë natyror. Krahas liqenit, pjesë e listës së UNESCO-s është edhe Bazilika Paleokrasiane e Linit, në të cilën gjenden mozaikë mjaft të rrallë të shekullit V-VI pas.e.sonë. Në verë ky liqen shfrytëzohet nga vizitorët për plazh, si dhe për sporte ujore.

2-Vendbanimet prehistorike

Vitet e fundit në fshatin Buqezë, por dhe në perfieri të qytetit të Pogradecit, po zhvillohen projekte në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetit e Bernës për zbulimin e vendbanimeve prehistorike të tipit ‘palafit‘ rreth 8100 vjet të vjetra. Sipas studiuesve, këto vendbanime e futin Pogradecin në listen e vendabinemve më të vjetra në Shqipëri e më gjerë. Kjo ka ngjallur interes mjaft të madh për vizitorët.

3-Varret Monumentale të Selcës së Poshtme

Janë pesë varre monumentale të cilat ndodhen rreth 40 km larg qytetit të Pogradecit, në zonën e Mokrës. Datimi i tyre i përket shekujve të IV-III para e.sonë dhe janë ndërtuar nga fisi ilir i Enkelejtëve dhe Desaretëve. Mënyra unikale e ndërtimit në faqet shkëmbore i bën ato mjaft të veçantë, duke ngjallur kureshtjen e kujtdo që i viziton.

4- Kalaja e qytetit

Kalaja e Pogradecit ndodhet në jugperëndim të liqenit, mbi qytetin e Pogradecit, në një kodër rreth 200 m të lartë. Në shek. IV para.e.sonë, ky banim u pajis me mure mbrojtëse dhe filloi të shërbejë si një qendër e vogël qytetare, banorët e të cilit merreshin kryesisht me bujqësi, peshkim dhe zeje të ndryshme. Me këtë vendbanim lidhet edhe emri i qytetit të sotshëm të Pogradecit i cili do të thotë “nënqytet”.

5-Gjurmët e Rrugës Egnatia

Në territorin Bashkisë Pogradec ndodhen disa degëzime të Rrugës Egnatia, rruga e famshme që lidhte në antikitet Romën me Kostandinopojën. Ka disa ura dhe fragmente të kësaj rruge të lashtë, duke filluar me urën e Golikut, urën e Terziut në Proptisht, dhe urën e Niçës. Rruga dallohet prej gurëve te mëdhej, që i gjejmë ne grykën e Llëngës, pranë luginës së Shkumbinit. Mendohet se në këtë rrugë ka kaluar dikur Çezari dhe Apostulli Paul në udhetimin nëpër Iliri.

5-Qendra Historike e Pogradecit

Përbën një hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore në të cilat dokumentohet zhvillimi historik i qytetit te Pogradecit. Në të gjenden një sërë objektesh të rëndsisë së veçantë të cilat i përkasin fillimit të shekullit XX, si Shkolla e Dytë Shqipe, Shtëpia e Lasgush Poradecit, Banesa e Vëllazërisë Icka etj.Pas restaurimit, kjo lagje është kthyer në një nga atraksionet kryesore të qytetit.

6-Kultura

Pogradeci njihet si qyteti i artit, kulturës dhe traditës së pasur shqiptare. Është qyteti i shkrimtareve të medhënj si Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Gjithashtu, Pogradeci është qyteti i piktoreve të mirënjohur Anastas Kostandini (Taso), Vangjo Vasili, Skënder Lako, Gentian Zeka etj. Atelietë e tyre janë kthyer tashmë në destinacione për vizitorët. Ka një traditë të pasur në artizanat, që përfaqesohet sot denjësisht nga artistët e gdhendjes në dru si Familja Icka, Basho etj.

Pogradeci ka një traditë shumë të pasur folklorike, me larmi kostumesh popullore dhe këngë e valle melodioze të frymëzuara nga bukuritë natyrore të zonës, sidomos të dy krahinave Mokër dhe Gorë.

7-Klima e mrekullueshme

Klima e përshtatshme dhe mjaft e shëndetshme e bën Pogradecin të jetë i vizitueshëm në çdo stinë. Klima është mesdhetare paramalore. Temperatura mesatare vjetore është 11°C, mesataret e muajve më të ftohtë e më të ngrohtë arrijnë përkatësisht 2.2° dhe 21.4°C. Sasia mesatare e reshjeve është 765 mm, kryesisht në dimër e në vjeshtë.

8-Burme të shumta ujore

Rreth katër kilometra nga Pogradeci ndodhet pika turistike e Drilonit, ku natyra nuk e ka kursyer bukurinë. Pemët e shumta dekorative dhe bimët e ndryshme janë në harmoni të plotë me ujrat e kristalta të lumit Drilon, rrugicat për shëtitje, urat karakteristike prej druri dhe zogjtë e bëjnë atë një nga vendet më të vizituara në këtë qytet. Qyteti i Pogradecit mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët edhe në stinën e dimrit, sidomos kur ka reshje dëbore. Pamja piktoreske e liqenit dhe borës, i japin qytetit një sfond të mrekullueshëm.

9-Liqene Akullnajore

Një vlerë e shtuuar e Pogradecit janë edhe liqenet akullnajore të Lukovës, që gjenden në shpatin lindor të Malit Guri i Topit, afër fshatit Bishnicë, 1700 m dhe 1850 m mbi nivelin e detit. Janë dy liqene, Liqeni i Vogël dhe Liqeni i Madh, formuar në gropa akullnajore. Përreth tyre ka pyje ahu dhe bredhi me lartësi 20-22 m, diametër trungu 30 cm dhe moshë 160-170 vjet. Këto liqene shfrytezohen nga vizitorët vendas dhe të huaj për ushtrimet e aktiviteteve që lidhen me hiking, kamping etj.

10-Guri i Kamjes

Guri i Kamjes është një destinacion i veçantë natyror dhe historik. Ngrihet madhështor si një kështjellë natyrore në lartësi, mbi të cilin skalitja e proceseve natyrore ka krijuar mikroforma të çuditshme të cilat zgjojnë interes dhe kureshtje për syrin e vizitorit. Guri i Kamjes mbart vlera të rralla gjeomorfologjike, gjeologjike, si edhe kulturore me rëndësi lokale por edhe rajonale. Një aspekt i rëndësishëm historik që lidhet me Gurin e Kamjes është se pikërisht në këtë “fortesë” natyrore me 28 korrik të vitit 1912 u lidh Besa Gorare, ku patriotët nga Gora, Mokra dhe Opari, me në krye Kajo Babjenin e shumë partiotë të tjerë, ngritën flamurin dhe shpallen mëvetesine e krahinës.

11-Kulinaria

Kulinaria është një tjetër atraksion i Pogradecit. Vizitorët, përveçse për të shijuar magjinë e qytetit, vijnë edhe për kuzhinën tradicionale. Më i preferuari mbetet peshku koran, simboli i Pogradecit, por duke mos lënë pas edhe belushkën, që e freskët gatuhet në mënyra nga më të ndryshmet. Pogradeci, Tushemishti dhe Driloni për natyrën, kulinarinë, mikpritjen dhe liqenin që i fal gjithë hijeshinë, mbetet ndër atraksionet më të preferuara në Shqipëri. Lidhur me kulinarinë, në Pogradec zhvillohen festa tashmë të përvitshme siç janë “Festa e Verërave dhe Gështenjës“ si dhe“Festa e Koranit“, të cilat janë kthyer në një atraksion turistik për vizitorët.

12-Fshatrat turistikë Lin dhe Tushemisht, ku zhvilllohet agroturizmi

Lini është një fshat turistik buzë liqenit, dhe është i bukur jo vetëm nga ajo që i ka falur natyra, por edhe për traditat e hershme kulturore. Ky fshat, ashtu si e gjithë zona e Pogradecit është i njohur për traditën e punimeve artizanale. Gratë vazhdojnë të ruajnë traditën e punimeve të qilimave, në qëndisje, apo punimet me grep, të cilat i gjen të ekspozuara në ditët e sotme në panairet lokale, por edhe në ato kombëtare.

Tushemishti  i vendosur 5 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje mahnitëse për të gjithë vizitorët. Shumë afër liqenit, Tushemishti ofron pamje të bukur në çdo stinë dhe plazh mahnitës në stinën e verës.

Në brendësi të fshatit gjenden shtëpi të vjetra (qindravjeçare), Kisha e Shën Pandelimonit, por vizitorët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale dhe starkinkat (mollët) e famshme të zonës. Një nga gjërat më pikante në brendësi të fshatit është shtëpia e “Teto Ollgës”, bashkë me shtatoren e ndërtuar për nder të aktores Violeta Manushi./Gazeta Panorama

Po ndodh...

ide