Oligarku rus pranë Putinit financoi në fshehtësi dasmën e Donald Trump Jr. zëdhënësi: Janë miq, jo partnerë biznesi

14 September 2026, 17:32 / BOTA ALFA PRESS
Oligarku rus pranë Putinit financoi në fshehtësi dasmën e

Sipas një investigimi të publikuar nga media amerikane ProPublica, oligarku rus Umar Kremlev, i konsideruar i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe mbështetës i pushtimit të Ukrainës, ka paguar në fshehtësi qindra mijëra dollarë për dasmën e Donald Trump Jr. me Bettina Anderson, e zhvilluar në maj të këtij viti në Bahamas.

Sipas investigimit, Kremlev ka mbuluar shpenzimet për marrjen me qira të një ishulli privat, një shfaqje me fishekzjarrë dhe kosto të tjera të konsiderueshme përmes një subjekti me seli në Dubai, i lidhur me International Boxing Association (IBA), organizatë që drejtohet prej tij. Marrja me qira e një prej ishujve kushton rreth 100 mijë dollarë në natë, ndërsa kompania që organizoi shfaqjen me fishekzjarrë tarifon rreth 70 mijë dollarë për një shfaqje të tillë. Sipas ProPublica, stafi i Kremlev është marrë gjithashtu me organizimin e ceremonisë.

Oligarku rus ishte mes rreth 50 të ftuarve në dasmë, ku morën pjesë edhe disa shtetas të tjerë rusë. Presidenti amerikan Donald Trump nuk ishte i pranishëm në ceremoni.

ProPublica vëren gjithashtu se në fotografitë dhe videot e publikuara pas dasmës, të ftuarit rusë shfaqen shumë rrallë.

Një përfaqësues i Donald Trump Jr. nuk e mohoi se Kremlev kishte mbuluar një pjesë të shpenzimeve, por theksoi se "Umar është një mik personal" i djalit të presidentit amerikan dhe se mes tyre nuk ekzistojnë marrëdhënie biznesi.

Kremlev drejton International Boxing Association (IBA), organizata që administron boksin amator dhe që ka marrë financime nga gjiganti shtetëror rus Gazprom. Pak para dasmës së Donald Trump Jr., ai u dekorua nga Vladimir Putin me Urdhrin e Miqësisë.

Sipas artikullit, Kremlev konsiderohet edhe "kryebashkiaku në hije" i qytetit Serpukhov, në rajonin e Moskës, ku ka lindur dhe ku, sipas raportimit, ka pasur të kaluar kriminale. Ai konsiderohet i afërt me Kremlinin falë lidhjeve me Aleksei Rubezhny, kreun e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale të Rusisë.

Emri i Kremlev u bë i njohur edhe në Itali në vitin 2024, kur IBA, organizata që ai drejton dhe që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e përjashtoi nga organizimi i garave olimpike për shkak të problemeve në drejtim dhe financa, i ofroi 50 mijë euro boksieres italiane Angela Carini pasi ajo u tërhoq 40 sekonda pas nisjes së ndeshjes me algjerianen Imane Khelif në Lojërat Olimpike të Parisit. Carini refuzoi shumën e ofruar.

Po ndodh...

ide