Kush e kërcënoi gazetarin Osman Stafa? SafeJournalists: Rasti i përsëritur! Të nisin hetimet

14 September 2026, 15:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

Rrjeti SafeJournalists ka dënuar kërcënimin me vdekje ndaj gazetarit të News24, Osman Stafa, duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të nisin urgjentisht hetimet për identifikimin e personit përgjegjës.

Stafa ka kallëzuar më 14 shtator në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi ka marrë përmes Facebook Messenger një mesazh kërcënues. Në mesazh, gazetari kërcënohej se do të gjendej dhe do të vritej, ndërsa i referohej edhe pamjeve që ai kishte publikuar së fundmi.

Sipas deklarimit të Stafës në polici, më 8 shtator ai kishte filmuar dhe publikuar pamje nga një protestë pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku shfaqeshin katër persona me veshje civile gjatë ndalimit të një protestuesi.

SafeJournalists vlerëson se, nisur nga përmbajtja dhe koha e dërgimit të mesazhit, ekziston mundësia që kërcënimi të jetë i lidhur me publikimin e këtyre pamjeve.

Rrjeti u ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe prokurorisë që të zhvillojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë, të sigurojnë provat digjitale dhe të identifikojnë personin që qëndron pas llogarisë nga e cila është dërguar kërcënimi.

SafeJournalists thekson gjithashtu se ky nuk është rasti i parë i kërcënimeve apo intimidimit ndaj gazetarit Osman Stafa.

Në dhjetor 2025, gazetari kishte marrë një tjetër mesazh kërcënues pas raportimeve mbi kushtet në Spitalin Onkologjik në Tiranë, ndërsa në qershor 2026 ishte raportuar një incident me fyerje verbale dhe intimidim fizik ndaj tij pas një proteste në Tiranë.

Për këtë arsye, SafeJournalists kërkon që incidentet e mëparshme të merren në konsideratë gjatë vlerësimit të nivelit të rrezikut ndaj gazetarit dhe të masave që mund të nevojiten për mbrojtjen e tij.

Rrjeti thekson se përsëritja e kërcënimeve ndaj gazetarëve mund të ketë pasoja dekurajuese për lirinë e medias dhe u bën thirrje autoriteteve që të garantojnë sigurinë e Stafës dhe të hetojnë çdo lidhje të mundshme të kërcënimit me punën e tij gazetareske.

 

Po ndodh...

ide