Tashmë e dimë që Edi Rama nuk ka limit, por a e ka SPAK limit Ramën?
Nga Sidi Hasanaj
Ron Yeffet, njeriu që mori me koncesion gjithë shtetin, tashmë i dha një tjetër zhytje Edi Ramës në skandale të pa cekura më parë.
Ajo që përbën lajm në historinë e Ron Yeffet është përmasa e skemës.
Në përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, Ron Yeffet nuk flet si investitor që i paraqet shtetit një ofertë korruptive, nga ato të rëndomtat që oligarkët tanë rëndomtazi kryejnë me Ramën.
Ai flet si pronari i Shqërisë, (Më saktë si njeriu i Pronarit, Ramës), që ëdhtë aq “zemër mirë”, sa i lë i shtetit tonë një përqindje të vogël nga pasuria e Shqipërisë. Ne jemi në mëshirë të klemencës së Ron Yefett dhe Edi Ramës, me sa kuptuam. Kemi një njeri privat që negocion përqindjet e pasurive shtetërore, përcakton se cili institucion do të përdoret si mburojë, cakton se cili zyrtar do të mbajë kontaktet dhe diskuton vendimet e Këshillit të Ministrave, sikur të ishin procedura administrative të kompanisë së vet.
“Ne do të jemi 80 për qind. Qeveria do të ketë 10 ose 20 për qind”
Në këtë fjali gjendet e gjithë filozofia e modelit Rama–Yeffet: Shqipëria vendos pasurinë, territorin, infrastrukturën, monopolin, klientin dhe paratë; privati merr kontrollin, fitimin dhe shumicën e aksioneve.
Shteti nuk është më autoriteti që kontrakton biznesin, por shteti është bërë biznesi që kontraktohet nga Edi Rama dhe Ron Yeffet. Përmasa kapje dhe zhvatje shtetërore e bërë vetëm nga komunistët, nën regjimin e tyre para 1990.
Formula 80 me 20
Skema që në pamje të parë duket e komplikuar, në të vërtetë është tepër e thjeshtë: Shteti krijon një ndërmarrje publike. Në rastin e industrisë ushtarake, kjo ndërmarrje quhet KAYO.
KAYO më pas krijon një kompani të përbashkët me një privat. Por shteti nuk merr shumicën. Ai mban vetëm 20 për qind, ndërsa privati kontrollon 80 për qind. Pas kësaj, shteti shqiptar bëhet klienti kryesor i kompanisë ku vetë zotëron vetëm pakicën.
Që me fjalë të thjeshta skema bëhet:
1. Qeveria krijon nevojën publike.
2. Qeveria cakton kompaninë shtetërore që do të negociojë.
3. Kompania shtetërore zgjedh privatin.
4. Privatit i jepet 80 për qind e shoqërisë së re.
5. Institucionet publike blejnë nga kjo shoqëri.
6. Paratë dalin nga buxheti i shtetit.
7. Fitimi kontrollohet kryesisht nga privati.
Formula është politikisht dhe ekonomikisht shkatërruese dhe nuk besoj, me sa kam kërkuar në internet, të jetë zbukuar një skemë e tillë as në Afrikë, as në Bangaldesh … askund përveçse te Albanistani i Edi Ramës dhe Ron Yeffetit:
Shteti krijon tregun, vendos infrastrukturën, asetet, territorin, porositë dhe financimin, por mban vetëm 20 për qind, ndërsa partneri privat kontrollon 80 për qind. Nëse nënkontraktimi kryhet brenda kësaj skeme mafioze pa tender të hapur, krijohet një burim i pakufizuar për transferimin e fondeve publike jashtë konkurrencës normale, në xhepat e Ron Yeffetit dhe … Edi Ramës!
Në audiopërgjim Yeffet shprehet se “Rama e ka marrë për punët e pista”. Po SPAK për çfarë e kemi marrë ne?!
Ramës ia dimë kufirin, nuk shtrohet më pyetja se deri ku është i gatshëm të shkojë. Të gjithë ja dimë përgjigjen: No Limit!
Rama nuk ka kufi moral, politik apo institucional, të vetimponuar. Kufiri i tij i vetëm presim të jetë forca e institucionit që guxon t’i thotë “ndal”, SPAK-ut! Prandaj çështja Yeffet është provë vendimtare për SPAK-un.
SPAK-u nuk ka përpara një akuzë të zakonshme politike. Ka:
* Regjistrime audio;
* Emra konkretë;
* Kompani konkrete;
* Përqindje konkrete;
* Vendime qeveritare;
* pagesa nga thesari;
* Prona shtetërore;
* Marrëveshje në sektorin e mbrojtjes;
* Zyrtarë të identifikueshëm;
* Kontrata ndërkombëtare;
* pretendime për trafik armësh;
* Procese gjyqësore jashtë Shqipërisë;
* Një marrëdhënie të dokumentuar ndërmjet biznesmenit dhe kryeministrit.
Hetimi nuk mund të kufizohet te roli i Ron Yeffet, por të shkohet te Edi Rama… në të kundërt le të mbyllin qepenin!
Duhet të sekuestrohen komunikimet e tij me zyrtarët shqiptarë. Duhet të kontrollohen kontratat e KAYO-s, TIMAK Defence dhe Advanced Arms Technology. Duhet të ndiqen pagesat e thesarit. Duhet të verifikohen importet, eksportet, numrat serialë të armëve, vendet e origjinës dhe certifikatat e përdoruesit fundor. Duhet të zbardhen vendimet për Delvina Gas, TEC-in e Vlorës, rezervat e naftës dhe çdo pasuri tjetër e diskutuar në përgjime.
Por përsëri e them se mbi të gjitha, duhet të merret në pyetje Edi Rama!
Kjo është beteja më decizive e SPAK me Ramën, prova e zjarrit e të vërtetës!
Më poshtë kam nxjerrë skemën pas audiopërgimit të Ahmetajt, (E kanë bërë profesionalisht, edhe shumë ekonomistë dhe gazetarë të tjerë), por e bëra se realisht nuk gjej dot justifikim për të mos shkuar direkt te Edi Rama.
Si u vendos Yeffet mbi industrinë ushtarake
1. Në qershor 2025, Ron Yeffet bleu 49 për qind të TIMAK-ut të Arjeta Pucës për një çmim nominal prej vetëm 490 eurosh. Tallje me Shqiptarët!
2. Vetëm pak ditë më parë, qeveria kishte autorizuar KAYO-n të negocionte partneritetin për prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake.
3. Më pas u krijua TIMAK Defence:
* 80 për qind në pronësi të TIMAK-ut;
* 20 për qind në pronësi të KAYO-s.
Duke zotëruar 49 për qind të TIMAK-ut, Yeffet kontrollon indirekt rreth 39.2 për qind të TIMAK Defence. Por fuqia e tij reale nuk matet vetëm me përqindjen formale. Ajo matet me kontrollin e ortakut privat që mban 80 për qind të kompanisë dhe me marrëdhënien e drejtpërdrejtë që Yeffet ka me majën e qeverisë.
4. Në të njëjtën mënyrë u krijua Advanced Arms Technology:
* 80 për qind nga UNO18, kompania e Yeffet;
* 20 për qind nga KAYO.
Kështu, një biznesmen privat u vendos njëkohësisht brenda dy arterieve kryesore të industrisë së re ushtarake shqiptare:
* mjetet dhe pajisjet ushtarake;
* armët, municionet dhe dronët.
Shteti shqiptar solli licencat, territorin, asetet ushtarake, tregun e garantuar dhe paratë e buxhetit. Yeffet solli kompanitë!
Dhe Edi Rama me Ronin morrën kontrollin e miliona e miliona eurove çdo muaji!
Në modelin KAYO, shteti merr përsipër riskun politik, financiar dhe të sigurisë kombëtare, ndërsa privati, (Rama- Roni), kontrollon pjesën më të madhe të përfitimit. Paraja publike hyn pa garë dhe futet si fitim privat në xhepin e Yefet dhe Edit.
Pra KAYO përdoret si një urë:
Buxheti i shtetit → ndërmarrja publike → kompania 80% private → fitimi privat.
Dhe anashkalohet gara që do të lindte në një procedurë normale prokurimi, dhe çmimin nuk e përcakton tregu por e përcakton marrëdhënia me pushtetin e Edi Ramës.
Nga KAYO te Delvina: e njëjta maskaradë!
Në bisedat e publikuara diskutohet edhe Delvina Gas. Yeffet përmend një strukturë ku pala private do të merrte 80 ose 90 për qind, ndërsa qeverisë do t’i mbeteshin 10 ose 20 për qind. Ai thotë se vetë nuk mund të figuronte formalisht në marrëveshje. Përmend kalimin e çështjes në Këshillin e Ministrave dhe Ermal Nufin si personin që do të mbante kontaktet me palët.
Pra në gjuhë të thjeshtë, skema është kjo:
1. Identifikohet një pasuri strategjike shqiptare.
2. Krijohet një konflikt, transferim ose ristrukturim pronësie.
3. Ndërtohet një kompani ku shteti shfaqet si ortak.
4. Shteti përdoret si garanci politike dhe juridike.
5. Kontrolli ekonomik i lihet privatit.
6. Personi realisht i interesuar nuk shfaqet domosdoshmërisht në dokumentet formale.
7. Vendimi vuloset nga qeveria.
Kjo shpjegon edhe shprehjen e përdorur në bisedë: Nuk do të quhej domosdoshmërisht KAYO, por do të përdorej “i njëjti koncept”.
Pra, KAYO nuk është vetëm emri i një kompanie. Është një metodë qeverisjeje, janë dhëmbët e Edi Ramës si vampir mbi gjakun tonë!
Por KUJDES!
Sot metoda përdoret te industria ushtarake. Nesër mund të përdoret te gazi, nafta, aeroportet, shëndetësia, portet apo rezervat strategjike.
Trafiku i armëve dhe Shqipëria si territor paketimi
Akuza më e rëndë e Ahmetajt është se armë të ardhura nga vende të Afrikës futen në Shqipëri, paketohen ose rietiketohen këtu dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit. Në këtë skemë, Shqipëria nuk përdoret si prodhues real armësh, por si territor tranziti dhe transformimi të origjinës së tyre.
Skema do të funksiononte kështu:
1. Armët blihen në një treg ose shtet afrikan.
2. Dokumentacioni i parë i transportit i paraqet si mall për Shqipërinë.
3. Ngarkesa futet në një kompani të licencuar ose të lidhur me industrinë shtetërore.
4. Armët paketohen, montohen, përshtaten ose pajisen me dokumentacion të ri.
5. Origjina tregtare bëhet më e vështirë për t’u gjurmuar.
6. Lëshohet një certifikatë tjetër përdoruesi përfundimtar.
7. Ngarkesa eksportohet në një shtet të tretë apo zonë konflikti.
8. Diferenca mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes ndahet mes ndërmjetësve.
Pikërisht këtu, partneriteti me një ndërmarrje shtetërore bëhet jetik. KAYO nuk siguron vetëm ambiente. Ajo i jep operacionit vulën e Republikës së Shqipërisë (vend i NATO)
Shteti i NATOs shndërrohet në mburojë reputacionale, diplomatike dhe dokumentare të disa banditëve si Ron Yefet. Këtu nuk po flasim për vetëm korrupsion, por Edi Rama këtu ka përdorur pozitën e anëtarësisë së Shqipërisë në NATO për t’i dhënë legjitimitet një rrjeti privat të tregtisë ndërkombëtare të armëve.
Ron Yeffet mori shtetësinë shqiptare në vitin 2018. U shfaq te shoqëria që kontrollonte një pjesë të Air Albania. Kishte akses privat tek Edi Rama. Organizonte takime me të në Paris. Lëvizte në Shqipëri me autokolonë dhe siguri të armatosur. U premtonte partnerëve të tij të huaj se mund t’u siguronte edhe pasaportë shqiptare. Më pas u shfaq në energji, naftë, aviacion dhe industri ushtarake.
Rama nuk mund të fshihet pas KAYO-s, ministrit të Mbrojtjes apo administratorëve të kompanive. KAYO është krijuar nga qeveria e PS. Partneritetet janë autorizuar nga Edi Rama. Pasuritë shtetërore administrohen nga vartësit e tij. Ron Yeffet ka marrë shtetësinë shqiptare gjatë pushtetit të Ramës. Yeffet ka përdorur marrëdhënien me të për të krijuar autoritet përpara investitorëve të huaj.
Zyrtari që shfaqet në përgjime si pikë kontakti ka qenë në Kryeministri, në drejtimin e KAYO-s dhe më pas në Ministrinë e Mbrojtjes.
Prandaj pyetja “A dinte Edi Rama?”, është për të tallur publikun. Në fakt pyetja e vërtetë është: Si mund të ndërtohej e gjithë kjo pa Edi Ramën?!
S'ka shanse, zero!
Nuk mund të krijosh kompani ushtarake me shtetin, të marrësh prona strategjike, të negociosh për gazin, naftën, TEC-in dhe furnizimet e ushtrisë, të diskutosh VKM-të dhe të kesh kontaktin në Kryeministri, ndërsa kryeministri të mos dijë asgjë. Si përkrahës i palëkundur I SPAK, këtu është vija e zjarrit të saj!
Ose Fiton Drejtësia, ose Rama me Ron Yefettin!
Po ndodh...
ide
Tashmë e dimë që Edi Rama nuk ka limit, por a e ka SPAK limit Ramën?
Kur pushteti ankohet se po demaskohet!
PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128