Të vërtetat e pavërteta të Berishës, “arkitektit” të gënjeshtrave për pushtet
Nga Indrit Gjyzeli
"Në vitin 1997 i kërkova partisë të dalim në opozitë, meqenëse ata mendonin se ne u kishim vjedhur kursimet përmes piramidave dhe ne nuk mund t'i qeverisnim më për këtë shkak. Po ne nuk kishim prekur asnjë qindarkë të shqiptarëve, dhe dalja në opozitë e vërtetoi...".
Gënjeshtra ka një masë, por jo kur bëhet fjalë për Sali Berishën. Dhe kjo gënjeshtër për trazirat e vitit 1997, e deklaruar përpara diasporës në SHBA, në takimet që po bën këto ditë, është pafuqia e qartë e tij për të mos pranuar asnjë të vërtetë në jetën e tij.
Sepse ne që e kemi jetuar atë kohë, e dimë fare mirë që, Sali Berisha i mbrojti publikisht firmat piramidale teksa deklaroi në vjeshtën e vitit 1996 se "paratë e shqiptarëve janë më të pastrat", duke inkurajuar kështu bindshëm futjen e parave në këto firma piramidale. Madje, që në atë kohë ishte një raport i ish- guvernatorit Kristaq Luniku për të mbyllur piramidat, si dhe një deklaratë e ish-kreut të Financave, Ritvan Bode, pas kthimit nga një vizitë në zyrat e FMN-së në Washington në vjeshtën e vitit 1996.
Por edhe pa këto deklarata në favor të firmave piramidale, do të mjaftonte pafuqia e Berishës për të ndërtuar institucione serioze përballë mashtrimit, për të qenë përgjegjës politik dhe moral për atë katrahurë që mori jetë njerëzish dhe që e bllokoi rrugën e Shqipërisë për në BE me dekada.
Ndërkaq, përkundër asaj që deklaron Berisha pas 30 vitesh, gjithkush e mban mend se ka qenë një këmbëngulje e tij për të marrë mandatin e dytë si president, edhe në mes të asaj përplasjeje civile që kishte nisur, duke u betuar në Kuvend më 3 mars 1997.
Por kjo këmbëngulje e marrë zgjati vetëm një javë, pasi i dorëzuar përballë zemërimit qytetar ai mblodhi më 9 Mars 1997 tryezën e partive që prodhoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar.
Trazirat ishin paraprirë nga këmbëngulja e Berishës për të mos përsëritur zgjedhjet e Majit 1996 në 40 zona, sipas kërkesës së amerikanëve, të cilët kërkonin një stabilizim të institucioneve, pas një procesi manipulimesh ku në disa zona PD fitoi më 26 Maj 1996 deri 103 apo 105 për qind, duke imituar zgjedhjet moniste të diktaturës.
Por përse Berisha kërkon të ndryshojë të vërtetat? Sepse ai e di dhe vetë se është absurde për vende demokratike, me parti që kanë demokraci të brendshme, që të kenë një njeri të vetëm që drejton gjithçka, pa përfillur asnjë mendim ndryshe, asnjë votim normal strukturash. Por duke rishpikur të shkuarën ai mendon se do ndërtojë një identikit politik më empatik. Në fakt, prej kohësh shumica e shqiptarëve, përfshi dhe mijëra demokratë, presin vetëm një lajm prej tij, dhe ai e di fare mirë se cilin lajm presin...
Ndërkaq, duke u shfaqur kaq qesharak në deklaratat për të shkuarën, Berisha veçse aminston edhe gënjeshtrat aktuale të kryeministrit Rama, që nuk e ka aspak problem të sajojë përralla me dëgjesa qytetarësh, duke i kërkuar të shihen në "pasqyrën e tij" apo t'i japin sërish "Besën", ndërkohë që ai dhe të tijët e dinë fare mirë se nuk ka munguar zëri qytetar për të vërtetat e këtij vendi, por ka munguar vullneti i tij dhe i të emëruarve të tij për të qenë të përgjegjshëm përballë ligjit.
E megjithatë Ramës vijon t'ia ndërtojë alibinë e qëndrimit dhe korrigjimit, këmbëngulja e Berishës për të vijuar të mos japë asnjë zgjidhje, veç asaj që e mban atë në krye të partisë./Alfapress.al
Po ndodh...
ide
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
Edi Rama, Harari dhe algoritmi!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128