Plumbi i gomës i mbeti në sy pas protestës, Erjon Vishkulli rrëfen momentet e tmerrit dhe përcjell mesazhin e fortë: Shqipëria është e jona

25 October 2026, 12:34 / AKTUALITET ALFA PRESS
Plumbi i gomës i mbeti në sy pas protestës, Erjon Vishkulli

“Shqipëria është e jona”, Erjon Vishkulli flet pas plagosjes në sy: Niset drejt Romës për trajtim të specializuar

“Vetëm fitore” dhe “Shqipëria është e jona”. Këto janë fjalët me të cilat Erjon Vishkulli e mbyll rrëfimin e tij për Top Channel, pas plagosjes në sy me një plumb gome gjatë protestës së së shtunës në Tiranë.

Mes dhimbjeve të forta dhe pasigurisë për shikimin, i riu ka treguar momentet e para pas goditjes, që e rrëzoi në tokë brenda pak sekondash. Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa tashmë shpresa është te trajtimi i specializuar mjekësor.

Erjoni rrëfen se në momentin e plagosjes po shkonte të takonte disa shokë dhe kishte hequr maskën e oksigjenit. Sipas tij, efektivët e policisë ndodheshin rreth 30 metra larg dhe nuk kishte pasur asnjë reagim përpara goditjes.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tregon ai për Top Channel.

Pas goditjes, Erjoni thotë se ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Ai kujton se një shok e ndihmoi duke e transportuar me makinë, ndërsa për momentet e mëtejshme nuk mban mend shumë detaje.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, rrëfen ai.

Gjendja e syrit të majtë dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimet kryesore. I riu shprehet se plumbi i gomës ndodhet ende në sy dhe se dhimbjet vazhdojnë, ndërsa ende nuk ka siguri për pasojat që mund të lërë dëmtimi.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, shprehet Vishkulli.

Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e tij, është siguruar transporti drejt një spitali në Romë, ku Erjoni pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.

Pavarësisht dhimbjes dhe pasigurisë për shëndetin e tij, mesazhi i të riut mbetet i qartë. Kur pyetet për kuptimin e fjalëve “Vetëm fitore”, ai e mbyll intervistën me një tjetër mesazh: “Shqipëria është e jona”.

Po ndodh...