Miliarda të shpërdoruara/ Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë Sarandën

25 October 2026, 13:43 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Miliarda të shpërdorura në investime të cilat jo vetëm nuk përmirësojnë infrastrukturën, por janë shndërruar në gropa financiare. Kjo është historia e tenderave të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në Sarandë.

Kartolina e lëmuar turistike që pushtetarët dhe agjencitë qeveritare përpiqen t'i shesin botës çdo verë, edhe këtë vit po shkrihet nën rrebeshet e para të vjeshtës në qytetin bregdetar.

Pasi dritat e sezonit u fikën, qyteti bregdetar është përplasur me realitetin e ashpër: një lumë investimesh publike miliona eurosh, të prokuruara nga FSHZH dhe Bashkia, të cilat ose nuk funksionojnë, ose janë projektuar aq keq sa po kthehen në makth për jetën e banorëve.

Kjo është një histori e përsëritur dështimesh kronike, ku paratë e taksapaguesve digjen për projekte afatshkurtra dhe abuzive.

Kalvari pa fund i mozaikut të gurëve
Nuk ka nevojë për ekspertë mjedisorë apo inxhinierë ndërtimi për të kuptuar dështimin e rrugëve të reja të shtruara me mozaik gurësh në Sarandë. Pothuajse çdo dy muaj, segmentet e sapopërfunduara të këtyre akseve hapen, hiqen gurët, gërmohet shtresa e poshtme dhe riparohen përsëri në një cikël pafundësie absurd.

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Qytetarët sarandjotë e kanë pagëzuar me ironi këtë kalldrëm si "mozaik dështimi", teksa shohin vit pas viti të njëjtin avaz punimesh që bllokojnë rrugët sapo ikin turistët. Pikëpyetjet mbi cilësinë e bazamentit dhe mbikëqyrjen e punimeve nga FSHZH janë serioze, ndërsa kostoja e këtyre riparimeve mbetet një gropë e zezë financiare.

Terminali i autobusëve: Investimi 1.5 kilometër larg që i pikon çatia
I trumbetuar si zgjidhja magjike për kaosin e qarkullimit në hyrje të qytetit, Terminali i ri i Autobusëve në Qafë Gjashtë është shndërruar në një absurditet infrastrukturor.

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Vetëm tre muaj pas inaugurimit pompoz përpara sezonit, ujërat e shiut kanë depërtuar strukturën duke rrjedhur lirshëm mes spoteve të ndriçimit elektrik në çati, duke krijuar rrezik serioz për jetën e udhëtarëve.

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Por ky është vetëm skandali estetik. Nga ana funksionale, opozita dhe operatorët e transportit denoncojnë se terminali nuk posedon certifikatë kolaudimi dhe sigurie. Autobusët ndërqytetës nuk mund të dalin dot direkt në rrugën kryesore, por detyrohen të bëjnë rreth 1.5 kilometra rrugë shtesë deri te rrethrrotullimi vetëm për t'u kthyer.

Ky devijim ka krijuar vështirësi masive për të moshuarit që vijnë nga zonat rurale dhe ka bllokuar përfundimisht trafikun në hyrje të Sarandës, duke bërë të kundërtën e asaj që premtoi projekti.

Shatërvani "Fantazmë" në Parkun e Miqësisë
Në qendër të qytetit, i pozicionuar në Parkun e Miqësisë, ndodhet një tjetër monument i keqpërdorimit të fondeve: shatërvani i ri. Ky aksesor dekorativ nuk është vënë asnjë ditë të vetme në funksion.

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Ai qëndron si një gërmadhë betoni e tharë në mes të lulishtes, duke dëshmuar se projektet në Sarandë shpesh hartohen vetëm për të firmosur letrat e tenderit, pa menduar asnjë sekondë për mirëmbajtjen e tyre operative.

Kanalizimet jashtë loje: 3.6 milionë euro për asfalt, por ujërat e zeza lihen në rrugë
Plaga më e rëndë që turpëron qytetin mbetet rrjeti i kanalizimeve. Sa herë që mbi Sarandë bien reshje shiu, sistemi ekzistues dorëzohet menjëherë: ujërat e zeza përzihen me ato të shiut, shpërthejnë pusetat dhe vërshojnë mbi rrugë e në Bulevardin kryesor, duke u kthyer në një rrezik epidemiologjik dhe infeksion vizual për banorët.

Tenderat abuzivë të Fondit të Zhvillimit shkatërrojnë

Pavarësisht kësaj krize emergjente, logjika e investimeve publike vijon të mbetet "mbi sipërfaqe". Vetëm së fundmi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli tenderin me fond limit prej rreth 273.4 milionë lekësh pa TVSH (afro 3.6 milionë euro) për rikualifikimin e rrugës "Idriz Alidhima", nje segment 2.4 km i gjatë.

Projekti parashikon rinovimin e asfaltit, trotuareve dhe ndriçimit, por rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza nuk është përfshirë në këtë rikonstruksion masiv. Qeveria investon miliona për të zbukuruar fasadën e rrugës, ndërsa nëntokën e lë të kalbëzohet./Kapital

Po ndodh...