PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
Nga Fitim Zekthi
Situata politike në Shqipëri është në një gjendje të qëndrueshme, gati të palëvizshme prej shumë kohësh. Kjo nuk do të thotë se gjendja është e mirë, përkundrazi gjendja është tmerrësisht e keqe dhe vazhdon të përkeqësohet. Përkeqësimi ka të bëjë me korrupsionin e thellë, shkatërrimin e vazhdueshëm të sundimit të së drejtës dhe lirive, rrënimin e ndarjes së pushteteve apo shpartallimin e administratës etj.
Pavarësisht kësaj gjendjeje të rëndë, ne kemi një qëndrueshmëri të pazakontë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë dy partitë e mëdha që dominojnë plotësisht shumicën dhe pakicën parlamentare dhe gjithë jetën politike të vendit. Edhe një protestë e rrallë, që përfaqëson gati të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë dhe profesionistët, njerëzit pa përkatësi të treguar partiake, nuk ka arritur ta prishë këtë qëndrueshmëri të thellë.
Vite më parë matematikani i njohur John Nash, duke shkruar për teorinë mbi numrat dhe për rrjedhojat mbi teorinë e lojës, tha se ka situata të caktuara kur gjendje të ndryshme njerëzore, politike apo shoqërore bien në një ekuilibër shumë të fortë.
Ai tha se ky ekuilibër ndodh kur palët në lojë, dy shtete, dy parti, dy entitete të caktuara nuk e ndryshojnë strategjinë që kanë zgjedhur në lojën mes tyre, sepse nga ndryshimi i strategjisë ato humbin që të dyja. Kësisoj ato mbrojnë me forcë strategjinë që janë duke zbatuar.
Ai tha se entitetet apo partitë A dhe B zgjedhin secila strategjinë që ato mendojnë se është më mirë për to. A mund të zgjedhë përplasje dhe B kompromis dhe në këtë rast B përgjithësisht humb. A mund të zgjedhë kompromis dhe B përplasje dhe B fiton e kështu me radhë. Mund të ndodhë që ato zgjedhin secila kompromis dhe arrijnë një gjendje ekuilibri shumë të fortë, por mund të arrijnë një gjendje ekuilibri shumë të fortë edhe duke zgjedhur përplasje.
Pasi arrijnë këtë ekuilibër ato kanë frikë të ndryshojnë strategji, sepse mendojnë se ndryshimi i strategjisë mund t’u shkaktojë humbje. Ato nuk duan të rrezikojnë, pavarësisht se nuk fitojnë të dyja njësoj, pavarësisht se A mund të fitojë më shumë se B, pavarësisht se B mund të jetë duke shkuar në vdekje të ngadaltë ose anasjelltas.
Pikërisht kjo gjë po ndodh me gjendjen tonë politike. Kryeministri Rama dhe PS kanë zgjedhur një strategji të caktuar politike për të mbajtur pushtetin. Kjo strategji ka të bëjë me kryerjen e çdo përpjekjeje që të mos lejojë daljen e forcave të reja politike, fuqizimin e SPAK, hetimin e krimit dhe korrupsionit dhe legjitimitetin e sistemit dypartiak PS-PD, ku PD duhet të rrijë nën narrativën dhe drejtimin e vjetër 36-vjeçar. Rama dhe PS luftojnë përditë që të mos e ndryshojnë këtë strategji, përpiqen të bëjnë vetëm ndryshime sipërfaqësore që në thelb edhe ato kërkojnë të ruhet ky ekuilibër. Çdo përpjekje nga SPAK, nga flukse të caktuara opozitare, nga shoqëria për të ndryshuar këtë gjendje përballet me luftën e PS për ta ruajtur këtë gjendje.
Partia Demokratike nga ana e saj ka zgjedhur strategjinë që ka të bëjë me luftën ndaj çdo përpjekjeje të SPAK për të hetuar krimin dhe korrupsionin, me luftën ndaj çdo grupimi apo fluksi të ri politik që mund të prishë ekuilibrin.
Ekuilibri Nash është gati perfekt. PS dhe PD nuk e ndryshojnë strategjinë sepse secila e di që me ndryshimin e strategjisë ato do të humbin secila.
Asnjërës nuk i intereson ndryshimi apo ideja se me ndryshimin secila mund të fitojë më shumë. Gjatë këtyre tre-katër viteve ka pasur përpjekje që ekuilibri Nash të prishej, sidomos nga SPAK dhe nga presioni ndërkombëtar. SPAK dhe presioni ndërkombëtar e lëkundën ekuilibrin, por arriti ta prishë. Lufta e SPAK dhe ndërkombëtarëve ka gjasa ta ketë kalitur, ta ketë bërë edhe më të fortë elasticitetin dhe rezistencën e ekuilibrit Nash, ekuilibër i cili mban një PS në pushtet të vazhdueshëm dhe një PD në opozitë të vazhdueshme dhe në një gjendje të shpartalluar të institucioneve, sundimit të drejtës dhe dominimit të korrupsionit.
Rreziku i vetëm i këtij ekuilibri vjen nga entropia, nga plakja, nga shpenzimi i energjive të vazhdueshme të palëve për të mbajtur gjendjen e “natyrale” të këtij ekuilibri. Entropisë ato nuk i shpëtojnë dot, nuk i shpëton dot as Rama dhe as Berisha. Ata vetë kanë zgjedhur të jenë subjekte të kësaj morse të tmerrshme si entropia, duke zgjedhur të mbijetojnë nga ekuilibri Nash.
Një tjetër rrezik, he për he i dobësuar, është BE dhe presioni ndërkombëtar. Edhe ai rri aty bashkë me entropinë. Tjetër rrezik ky ekuilibër sot nuk ka./Mapo
Po ndodh...
ide
PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128