Ambasadori i Gjermanisë Berger i prerë: Përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit në nivele të larta, kusht i panegociueshëm për në BE

10 September 2026, 18:53 / POLITIKË ALFA PRESS

Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, ka dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare dhe institucionet e drejtësisë: rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga një drejtësi e pavarur dhe nga një luftë reale, e papenguar, kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin në nivelet më të larta. Në një moment kur raporti mes politikës dhe drejtësisë është në qendër të debatit publik, diplomati gjerman e ka bërë të qartë se këto standarde nuk janë të negociueshme dhe se ndryshimi i ligjeve, pa rezultate konkrete në praktikë, nuk mjafton. 

Karl Bergner, në një intervistë për DW, ka deklaruar se pavarësia gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta janë parakushte të panegociueshme për anëtarësimin në BE. 

Sipas diplomatit gjerman reforma në drejtësi ka qenë një faktor kyç që ka mundësuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. 

“Një shtet i fortë i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në themel të vlerave evropiane. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE”, deklaroi ambasadori.

Ambasadori beson se “Shqipëria do të vazhdojë dhe do të shtojë përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të përmendur disa nga fushat më të rëndësishme”.

Sipas tij, ndryshimi i ligjeve nuk mjafton, duke theksuar se “si BE-ja, ashtu edhe qytetarët shqiptarë presin të shohin ndryshime reale dhe të prekshme në praktikë, si dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme në administratën publike dhe institucionet e pavarura”. 

Ambasadori gjerman shtoi: "Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një faktor kyç që ka mundësuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për të ardhmen, Shqipëria është zotuar për reforma të mëtejshme që lidhen me shtetin e së drejtës. Ky ka qenë fokusi kryesor i Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE prej shumë vitesh dhe i tillë do të mbetet." 

Po ndodh...

ide