Po pe një gazetar të pasur...
Nga Ardi Stefa
Është përmendur aq shumë herë nëpër shhkrime e citime saqë pothuajse është kthyer në stereotip shprehja e Indro Montanellit, i cili thoshte se, “...Po pe një gazetar të pasur, ose e ka trashëguar pasurinë, ose ka pushuar së qeni gazetar...”
Gjithsesi është një shprehje që, në vetvete bart një të vërtetë të thjeshtë: “Gazetaria nuk është rruga më e shkurtër drejt pasurisë; është rruga drejt së vërtetës!”
Sikur ta shihte realitetin në Shqipëri, ndoshta do ta rishkruante: "Po pe një gazetar tepër të pasur, kontrollo fillimisht se kujt i shërben."
Sikur ta shihte Shqipërinë edhe Joseph Pulitzer, i cili e dinte e dinte se kur shtypi humbet pavarësinë, nuk humbet vetëm gazetaria; humbet vetë demokracia nuk do të deklaronte më se: "Republika dhe shtypi do të ngrihen ose do të bien së bashku."
Ai do të tronditej dhe do të thoshte që “Edhe Republika, edhe shtypi kanë rënë, nga pasuria e jo nga puna e ndershme, nga afërsia me pushtetin, me oligarkët dhe me interesat që duhej t'i kontrollonte!”
Në shoqëri normale, gazetari paguhet për punën e tij. Në shoqëri të deformuara, si kjo jona, ai shpërblehet për heshtjen dhe kompromiset e tij. Madje edhe glorifikohet. Shpallet hero, model, mësues, shembull për t’u marrë shembull...
Gazetaria duhej të ishte pushteti që kontrollon pushtetin. Por shpesh është shndërruar në një biznes ku lajmi blihet, ndërsa opinioni jepet me qira. Dhe, mbi të gjitha, heshtja ka një çmim shumë të lartë.
Ka nga ata që në mëngjes bëjnë moral në studio, ndërsa në mbrëmje bëjnë pazaret me politikën, oligarkët apo klientët e radhës. Në mbrëmje shfaqen kampionë të demokracisë e fjalës së lirë dhe, me të dalë nga studioja janë gjobaxhinjtë më të frikshëm e të paskrupullt.
Dhe, ndërkohë që flasin për korrupsionin, pasuria e tyre është misteri më i madh,të cilin nuk e heton askush.
Gazetari duhet të kontrollojë pushtetin, jo të ushqehet prej tij. Duhet të hetojë korrupsionin, jo të bëhet pjesë e tij. Në çastin që lapsi shndërrohet në gjobë dhe mikrofoni në instrument shantazhi apo propagande dhe me informacionin bëhet tregti.
Dhe, kur gazetari fillon të jetojë më mirë se biznesmeni që duhet të hetojë; kur makina luksoze nuk justifikohet nga të ardhurat; kur megjithë shëmtinë e vet fizike “bredh” me modele apo adoleshente, kur “me një rrogë modeste” shijon verërat më të shtrenjta në restorantet më të shtrenjta; ka disa shtëpi e vila; kur për gjasme interesin publik, lëpin e bëhet “mik” me të gjithë politikanët dhe personazhet e tjerë VIP të vendit, atëherë misioni i tij i vërtetë ka humbur. Nuk është më përballë pushtetit, por në krah e aksesor i tij.
Mjerisht, dëmi nuk është vetëm moral. Kur qytetarët humbasin besimin te media dhe përfaqësuesit e saj, humbasin një nga shtyllat kryesore të demokracisë.
Pulitzer paralajmëronte se një shtyp cinik dhe i korruptuar do të prodhojë një shoqëri po aq cinike dhe të korruptuar. Dhe kjo është vrasëse për demokracinë dhe vlerat, sepse gazetari e gazetaria nuk i shërbejnë më më publikut, por sponsorit të radhës, ndërsa lajmi shitet. Dhe heshtja nuk është më etikë profesionale, por tarifë e lartë.
Prandaj, shprehja e Montanellit mbetet aktuale. Jo sepse çdo gazetar i pasur është domosdoshmërisht i korruptuar, por sepse pasuria e pajustifikuar e kujtdo që pretendon të mbrojë interesin publik duhet të ngrejë pyetje. Gazetaria nuk matet me vilat, makinat luksoze apo llogaritë bankare. Ajo matet me pavarësinë, integritetin dhe guximin për të thënë të vërtetën, edhe kur kjo të kushton.
Montanelli na la dyshimin. Pulitzer na la standardin. Mes tyre qëndron pyetja që çdo shoqëri e lirë duhet t'ia bëjë medias dhe përfaqësuesve të saj: “A i shërbeni të vërtetës dhe publikut apo atyre që ju paguajnë të mos e shqetësoni pushtetin?”
Po ndodh...
Protesta dhe dezertorët në PS dhe PD
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128