Nuk është Trusti i Lulelakrës, është Karteli i Arubës!
Nga Gjergj Erebara
Në të njëjtën ditë, ministrja Delina Ibrahimaj shprehu habinë se si, forcimi i lekut nuk ka sjellë rënie të çmimeve ndërsa kryeministri Edi Rama iu hakërrye me fjalë krejt pa kuptim një trupe dëgjuesish që propaganda e qeverisë i prezantoi si "përfaqësues të supermarketeve."
Ngjan sikur, për një çast, Shqipëria po përballet me situatën e "Trustit të Lulelakrës", por kjo nuk shpjegon dot gjë sepse, çmimet nuk përcaktohen nga kursi i këmbimit, por nga kërkesa dhe oferta.
Në vitin 1941, Bertold Brecht shkroi dramën "Rritja e rrezistueshme e Arturo Uisë", një parabolë për ngritjen në pushtet të Adolf Hitlerit, të cilit Brecht i referohej me tallje si "piktori", apo "bojaxhiu".
Ngjarjet zhvillohen në Çikagon e viteve 1930 dhe flasin për një batakçi vendës që fillimisht krijon një monopol të dhunshëm përmes vrasjes së konkurrentëve dhe më pas, ngrihet në pushtet para se të mund të ndalohet. Prej këtu rrjedh shprehja "Trusti i Lulelakrës", që në Shqipëri është popullarizuar që pas vitit 1971, kur Robert Shvarc e shqipëroi dhe Pirro Mani e vuri në skenë.
Natyrisht që monopolet e oligopolet dhe format e tjera të kufizimit të konkurrencës janë një realitet i rëndomtë në Shqipëri. Janë edhe realitet i paluftuar nga institucioni që ka për detyrë ra luftojë, Autoriteti i Konkurrencës. Karteli i sigurimeve është rasti më flagrant e po kështu duopoli në tregun e celularëve. Importi i naftës e i gazit është dukshëm nën regjimin oligopol (ku nuk kanë munguar tentativat për heqje qafe të konkurrencës përmes vrasësve me pagesë). Por monopolet dbe oligopolet nuk janë gjë e re. Ajo që është e re është një valë inflacioni që duket se nuk mater aq mirë nga INSTAT, por është pranuar nga qeveria si shqetësuese.
Po pse po ndodh kjo?! Si ndodhi që, leku është forcuar me 40% përgjatë tetë viteve të fundit por çmimet e mallrave të importit, sipas të dhënave të INSTAT janë rritur me afërsisht 9% përgjatë të njëjtës periudhë?!
Pra, sipas këtyre të dhënave, kostoja e importit të mallrave ka rënë me 40% sepse euro kushton sot 92 lekë nga 140 që kushtonte tetë vjet më parë ndërsa çmimet janë rritur me 9%.
Znj. Ibrahimi është ekonomiste dhe nuk ka nevojë të jesh ekonomiste shumë e zonja për të vërejtur se po e sheh problemin nga këndi i gabuar. Çmimet e mallrave nuk caktohen në treg nga kostot. Çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta. Natyrisht që oferta reflekton edhe kufizime në konkurrencë, por ka më shumë gjasa që inflacioni veçanërisht i lartë i dy viteve të fundit të mos jetë rezultat i Trustit të Lulelakrës.
Është më e arsyeshme të shohim se inflacioni është shkaktuar nga rritja katastrofike e parasë në qarkullim. Paraja në qarkullim nuk ka rëndësi nëse është euro apo është lekë, nëse rritet më shpej se sa prodhimi i mallrave e shërbimeve, nuk ka se çfarë të shkaktojë tjetër veçse inflacion.
Në vitin 2019, në ishullin Aruba në Karaibe, një takim shqiptarësh themeloi atë që sot njihet si Korporata Aruba apo Karteli Aruba. Ky kartel organizoi nga njëra anë trafikun e drogës nga Amerika Latine për në Evropë e më pas, pastrimin e fitimeve në Shqipëri. Qindramilionë euro u derdhën fillimisht në sektorin e ndërtimit. Këto para logjikshëm shkaktuan inflacionim të çmimeve të apartamenteve, të vilave e të dyqaneve. Por për shumë vite, efekti i tyre ishte i kufizuar në sektorin e ndërtimeve.
Efekti anësor i këtyre parave ishte dobësimi i euros kundrejt lekut. Pastaj, duke filluar nga viti 2024, Banka e Shqipërisë vendosi ta blejë euron e tepërt, duke paguar me lekë. Inflacioni te tregu i apartamenteve u transferua në këtë mënyrë në të gjithë ekonominë. Banka e Shqipërisë bleu pothuajse 2 miliardë euro gjatë kësaj kohe, dhe i pagoi me lekë. Sasia e tepërt e lekut të hedhur në qarkullim në këtë mënyrë nuk ka se çfarë të sjellë tjetër veçse inflacion.
Pra, nuk është Trusti i Lulelakrës problemi, ose ky është një problem i vogël. Problemi është karteli i Arubës!
Po ndodh...
Hipokrizia e Ramës për të bërtitur: Marre!
ide
Nuk është Trusti i Lulelakrës, është Karteli i Arubës!
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Pafajësi për çlirimtarët, që të mos gjykohet historia!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128