Zjarri në pallatin në Lezhë/ Cigarja e harruar ndezur dyshohet se shkaktoi flakët, dëme të shumta materiale

7 November 2026, 20:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
Zjarri në pallatin në Lezhë/ Cigarja e harruar ndezur dyshohet se

 Një pakujdesi në një apartament ka shkaktuar zjarr në një pallat banimi në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës, duke vënë në rrezik banorët e godinës. Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:30, në katin e parë të një pallati 4-katësh. Sipas informacionit paraprak të policisë, dyshohet se flakët kanë nisur nga një cigare e lënë e ndezur nga pronari i banesës.

Zjarri ka përfshirë apartamentin, ndërsa tymi i dendur është përhapur me shpejtësi edhe në katet e tjera, duke shkaktuar panik mes banorëve. Përballë situatës, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të policisë kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e personave që ndodheshin në godinë.

Nga zjarri janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në apartament, ku dhoma e gjumit raportohet se është shkatërruar plotësisht. Ndërkohë, pronari i banesës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Lezhë/Informacion paraprak

Më datë 07.11.2026, rreth orës 16:30, në lagjen “Skënderbeg”, Lezhë, në banesën e shtetasit A. L., dyshohet se, si pasojë e një cigareje të lënë ndezur prej tij, ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit, janë shkaktuar dëme materiale në banesën e shtetasit A. L. Zjarri është fikur nga shërbimet e Zjarrfikëses.

Shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses kanë bërë të mundur evakuimin e banorëve të pallatit, duke parandaluar pasoja të mëtejshme. Për shkak të tymit, disa shtetas, banorë të këtij pallati, kanë shfaqur shenja asfiksimi dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi A. L. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes

Po ndodh...