Arrestimi i drejtores së SHISH dhe tradhëtia ndaj shtetit!

23 September 2026, 21:12 / IDE NGA LUAN RAMA
Arrestimi i drejtores së SHISH dhe tradhëtia ndaj shtetit!

Nga Luan Rama

Nuk jam i prirur t’i konsideroj e as t’i besoj gjithë sa po shkruhet e po thuhet për ish-drejtoren e shërbimit sekret të shtetit, por, nëse çfarë po i shërbehet publikut përmes mediave të gjithfarshme e ka burimin prej dosjeve të SPAK-ut, atëherë e gjithë sjellja dhe veprimtaria e saj si drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit nuk është asgjë tjetër, por vetëm TRADHËTI NDAJ SHTETIT.

Jo vetëm e zgjedhur, por edhe e besuar nga Kryeministri Edi Rama për të shërbyer në krye të agjencisë kryesore në tërësinë e shërbimeve jetike të shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni duhet të mbartëte edhe disa cilësi e aftësi të veçanta, çka duhet t’i ketë çdokush që shkon sidomos në atë detyrë, për të kuptuar e mandej edhe për të përmbushur peshën e madhe të përgjegjësisë.

E akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, për shkak të cilësive e përgjegjësive të veçanta që mbart detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ, akuza nuk është e barasvlefshme me asnjë të dyshuar apo të akuzuar tjetër, qofshin këta edhe drejtues të niveleve të ndryshme në Policinë e Shtetit, në Institutin e Policisë Shkencore apo gjetiu.

Nëse drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit, me veprimet ose mosveprimet e veta, ka përkrahur autorin e krimit apo ka zbuluar akte dhe të dhëna të karakterit sekret, ka kryer TRADHËTI NDAJ SHTETIT.

Përpjekja për ta parë ndryshe apo për ta relativizuar të gjithën që lidhet me të, duke e konsideruar vetëm “përgjegjësi individuale”, është tentativë për të justifikuar një krim të rëndë dhe të pandodhur më parë në këto nivele të përgjegjësisë shtetërore.

Sepse këtu nuk është fjala thjesht për një individ që ka shkelur ligjin. Është fjala për një funksionar të lartë të shtetit, të cilit shteti i ka besuar një detyrë që, në thelbin e saj, ekziston për të mbrojtur vetë shtetin.

Një zyrtar i zakonshëm mund të përgjigjet për një shkelje të kryer në ushtrimin e detyrës së tij. Por drejtuesi i shërbimit informativ mban mbi vete një përgjegjësi që buron drejtpërdrejt nga natyra e veçantë e funksionit që ushtron. Ai nuk administron thjesht dokumente, nuk drejton thjesht punonjës dhe nuk merr thjesht vendime administrative.

Ai administron besimin e shtetit.

Dhe ky besim ka një përmbajtje konkrete: ruajtjen e informacionit, mbrojtjen e burimeve, mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare dhe përdorimin e çdo të dhëne të siguruar vetëm në funksion të misionit për të cilin institucioni ekziston.

Pikërisht për këtë arsye, nuk mund të ndahet artificialisht individi nga posti që ai mban. Sepse në një detyrë të tillë, pushteti që ka individi nuk është pushtet personal. Është pushtet i deleguar nga shteti.

Informacioni që ka në dispozicion nuk është informacion personal. Është informacion shtetëror. Sekreti që ruan nuk është sekret i tij. Është sekret i shtetit. Dhe besimi që i është dhënë nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi shumë e lartë shtetërore.

Kjo është edhe arsyeja përse çdo marrëdhënie personale, çdo komunikim dhe çdo veprim i një drejtuesi të tillë duhet të gjykohet në raport me detyrën që ai ka marrë përsipër. Jo sepse një drejtues i një institucioni nuk mund të ketë jetë personale, miqësi apo marrëdhënie njerëzore, por sepse ka një kufi që nuk mund të kapërcehet: interesi personal nuk mund të hyjë në hapësirën e rezervuar për interesin shtetëror.

Janë disa detyra të larta shtetërore, ndër të cilat bën pjesë edhe ajo e drejtuesit të Shërbimit Informativ, ku marrëdhënia e drejtuesit me përgjegjësinë e lartë që ushtron normohet, përveçse nga ligji, edhe nga disa kode të shenjta e të panegociueshme me askënd. As me veten, madje.

Besimi për çfarë mëson për shkak të detyrës, betimi për të mos i ndarë ato që di me askënd, ruajtja me fanatizëm e raporteve me vartësit, me partnerët, me drejtuesit e institucioneve të tjera që përbëjnë zinxhirin e institucioneve vitale të shtetit, mbrojtja e burimeve dhe informacionit, integriteti, vetëpërmbajtja, besnikëria, përparësia e misionit mbi interesin personal, shmangia e çdo konflikti interesi dhe ruajtja e kufirit të pakapërcyeshëm mes detyrës dhe marrëdhënieve personale, janë bazamenti i kulturës për t’i shërbyer shtetit me besnikërinë më të lartë.

Çdo shmangie nga këto kode e cenimi i tyre, përbëjnë TRADHËTI NDAJ SHTETIT.

Këto nuk janë cilësi që mund të kërkohen sipas rrethanave. Janë vetë kushtet mbi të cilat ngrihet besimi i shtetit tek ai që i është besuar një detyrë e tillë. Prandaj, çdo shmangie e vetëdijshme nga këto kode dhe çdo cenim i tyre nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht “përgjegjësi individuale”.

Të tillë mund ta konsiderojnë sjelljen e drejtores së SHISH-it në detyrë vetëm ata që nuk e kanë idenë se si është i ndërtuar dhe se si funksionon shteti, apo ca të tjerë që duan në mënyrë të qëllimtë të imponojnë një vijësjellje tjetër për organet e zbatimit të ligjit.

Po ndodh...

ide