Agron Gjekmarkaj në kërkim të një pazari të ri?!

31 Janar 2024, 15:24 / POLITIKË ALFA PRESS

Agron Gjekmarkaj në kërkim të një pazari të ri?!

Deputeti Agron Gjekmarkaj njihet për qëndrimet e tij inkoherente në një kohë relativisht të shkurtër.

Nga mbështetës i Lulzim Bashës, ai u bë një anatemues i tij i madh, duke përsëritur vetveten e vitit 2017.

Ndonëse Basha i fali një kategori të madhe si Gjekmarkaj, Alizoti etj., të cilët çfarë nuk kishin thënë për të, ata e lëpinë atë që kishin pështyrë vetëm për një vend deputet, ndërkohë që kur deputetllëku iu dha, ata dolën te karakteri i tyre dhe filluan sërish të pështynë atë që kishin lëpirë pas pështymës së parë.

Pra, nuk kemi të bëjmë me intelektualë, siç përpiqen ta mbajnë veten, por me lëpirësa.

Presor Gjeka, siç ka qejf ta thërrasin, madje kish deklaruar se nëse PD-në e merr Berisha, ai do të jepte dorëheqjen nga deputeti dhe do të shihte jetën e tij, mirëpo, jo vetëm që nuk e bëri një gjë të tillë, por mes lavdeve që thur, nuk kursen as ditirambet për Doktorin.

Sepse, me sa duket, kështu e ka çarë përpara karrierën dhe jetën.

Dje me lëpirje ndaj Bashës, sot ndaj Berishës, nesër nuk e dimë se ndaj kujt, por një gjë dihet: ai që është mësuar me të lëpirë, pa lëpirje nuk mund të rrijë.

Gjekmarkaj, përveçse bejtexhi i ngjarjeve të përjavshme të Kuvendit, këtë javë është shfaqur, thuajse, përnatë në çdo studio televizive.

Me sa duket, deputeti Agron ka marrë rolin e tellallit për të bërë pazarin e radhës.

Se çfarë, se si e se qysh, ngelet për t’u marrë vesh në ditët në vijim.

Por sigurisht, Gjekmarkaj nuk del kot përnatë në televizor.
Ai është në kërkim të një pazari.