BIRN: Loja me listat pritet të testojë edhe një herë fuqinë e makinerive elektorale

13 Mars 2025, 17:23 / POLITIKË ALFA PRESS

BIRN: Loja me listat pritet të testojë edhe një herë

Listat e kandidatëve të PS, të dorëzuara mbrëmjen e së mërkurës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sugjerojnë se Rama i ka varur edhe një herë shpresat te makineria e vet elektorake për mandatin e katërt, ndërkohë që në anën e opozitës, duket se besnikëria ndaj Berishës po shpërblehet me vende të sigurta.

Katër vjet më parë, Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare falë asaj që ekspertët e panë si një ushtrim në makinacionet elektorale, me një databazë ku çdo qytetari i ishte caktuar një patronazhist dhe ku, Partia Socialiste, sipas vetë fjalëve të kryetarit të saj, mund të rrezikonte të kishte mungesë fatale ndjenje përkatësie përtej interesit vetjak.

Zgjedhjet e vitit 2021 u bënë, me kërkesë të Ramës me vota pëlqyese, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve vlenin vetëm për kontabilizim të efektit të makinerisë elektorale në mobilizimin e votuesve, ndërsa në dy raste për socialistët dhe një rast për opozitën, prodhuan deputetë jashtë vullnetit të ngushtë të kryetarëve të partisë, përmes të ashtuquajturës thyerje të herësit.

Në zgjedhjet e 11 majit, numri i deputetëve që do të dalë, jo tamam jashtë vullnetit të kryetarëve, por, në garë para kryetarit se kush mobilizon më shumë vota, pritet të jetë më i lartë se sa katër vite më parë, gjë që sugjeron nga njëra anë se dy kryetarët e kampeve respektive, Rama dhe Berisha, duket se po varin edhe më shumë nga shpresat për fitore, jo te platformat politike apo alternativat qeverisëse përkatëse, por te makineritë elektorale.

Duke dhënë argumente jo shumë bindëse, Rama deklaroi se me përjashtim të pak deputetëve, listat e tij të mbyllura do të mbushen me të rinj, ndërsa deputetët e tjerë apo figura të tjera të administrartës së tij partiake apo shtetërore, do të duhet të përplasin kokën me njëri-tjetrin për të fituar vota nga listat e hapura.

Rezultati i listave të publikuara mbrëmjen e së mërkurës ishte më miks, me shumë deputetë në lista të mbyllura dhe shumë të tjerë në listat e hapura, në një garë të hapur brenda partisë.

Përkundër strategjisë së Ramës, strategjia e Berishës me listat duket me interesa më të ngushta, ku spikasin deputetët më besnikë të mundshëm që kandidojnë në listat e mbyllura, me të gjithë të tjerët të hedhur te listat e hapura. Në radhët e opozitës, dy nga kandidatet deklaruan tërheqjen nga gara pas shpalljes së listave, gjë që sugjeron se Berisha nuk ka marrë mundimin t’i informojë paraprakisht kandidatët e vet nëse do të jenë brenda apo jashtë listave të mbyllura.

Në radhët e socialistëve, listat paraqesin një largim akoma më ekstrem se sa gjendja aktuale nga demokracia përfaqësuese, ku shumë dhe shumë kandidatë për deputetë kanë pothuajse zero lidhje me zonën, votuesit e së cilës, teorikisht do të përfaqësojnë në katër vitet e ardhshme. Për shembull, Ulsi Manja, i lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, do të jetë përfaqësues nga listat e mbyllura i popullit të Qarkut Lezhë, ndërsa Arbjan Maznikut, lindur në Tiranë e banues në Tiranë, do të jetë përfaqësues i votuesve të Elbasanit. Belinda Balluku, lindur në Tiranë, do të jetë përfaqësuese e votuesve të Fierit, ndërsa Eduard Shalsi, lindur në Korçë e banues në Tiranë, do të jetë përgjatë katër viteve të ardhshme, përfaqësues i votuesve të Kukësit.

Sistemi aktual duket gjithashtu se garanton që dy krerët, Rama dhe Berisha, do të kenë kontroll po aq të lartë mbi grupet e veta parlamentare përgjatë katër viteve të ardhshme sa kanë pasur përgjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, që kur ata të dy, me një marrëveshje të vitit 2008, krijuan sistemin aktual zgjedhor të proporcionalit rajonal.

Garë e ngjeshur për pozicionet e hapura

Duke marrë si referencë rezultatet e vitit 2021, llogaritë e BIRN sugjerojnë se loja me lista të mbyllura dhe të hapura do të mundësojë që një numër i konsiderueshëm socialistësh të përballen për pak mandate të lira, ndërkohë që në kampin e opozitës, e cila konkurron nën emrin “Shqipëria madhështore”, mandatet e lira për garë janë minimale.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Socialiste fitoi 74 mandate, ndërsa nëse në ato zgjedhje do të votohej sipas sistemit aktual, 46 mandate janë ato të caktuara nga Rama dhe pjesa tjetër prej 28 mandatesh mbeten për t’u fituar nga gara që do të bëjnë me njëri-tjetrin 140 kandidatë të tjerë. Për demokratët, të cilët herën e kaluar fituan 59 mandate, 13 hanë të hapura për garë.

Sipas kësaj llogaritjeje, socialistët kanë më shumë mandate në garë të hapur në Tiranë, në Vlorë dhe në Fier, ndërsa opozita ka mandate në garë të hapur në Tiranë, Korçë dhe Lezhë.

Sistemi i dakordësuar mes PS dhe PD garanton që së paku 46 deputetë nga secila parti janë të caktuar nga kryetarët, ndonëse Rama deklaroi në mënyrë jo shumë bindëse se vendimi i takon “kryesisë”, ndërsa Berisha nuk mori mundimin të fshehë faktin që në Shqipëri, kryetarët përcaktojnë listat dhe renditjet, ndërsa strukturat partiake janë praktikisht impotente.

Formula zgjedhore aktuale garanton gjithashtu që, ndonëse një kandidat për deputet nga listat e hapura, mundet teorikisht të marrë 10 mijë apo 20 mijë vota pëlqyese, ai rrezikon të dalë i humbur nëse partia e tij fiton një numër mandatesh të barabartë ose më të vogël se sa listat e mbyllura. Për shembull, nëse Ilir Meta fiton në Tiranë, fjala vjen, 50 mijë vota, ndërsa Partia Demokratike, në listat e të cilës ai po garon, fiton 12 mandate, atëherë 12 deputetët e pavotuar të listave të mbyllura shkojnë në parlament, ndërsa Meta jo. Që Meta të shkojë, ai duhet të shpresojë se kjo parti të marrë më shumë se 12. Nëse shohim rezultatin e zgjedhjeve 2021, kjo është lehtësisht e realizueshme, pasi në Tiranë katër vjet më parë, PD mori 15 mandate dhe LSI, 2.

Në rastin e Tiranës, qarkut ku zgjidhen 37 deputetë, një më shumë se sa katër vjet më parë, nga të cilët, 12 janë në listat e mbyllura, formula bën që në secilin krah, 37 kandidatë do të garojnë për pesë deri në dhjetë vende shtesë që secila palë shpreson të fitojë shtesë përveç listës së mbyllur. Në zgjedhjet e vitit 2021, PS fitoi 18 nga 36 mandate, ndërsa PD dhe LSI sëbashku fituan 17 mandate pasi garuan veçmas, me 1 mandat që u fitua nga Partia Socialdemokrate. Në përpjekje për të maksimizuar rezultatin e Tiranës, Rama ka caktuar në listën e hapur shumë nga deputetët aktualë, përfshirë edhe personat që, falë makinerive elektorale, arritën të mposhtnin herësin në zgjedhjet e vitit 2021.

Ata janë Ornaldo Rakipi, djali i Aqif Rakipit i sanksionuar nga administrata Biden për korrupsion madhor, si dhe Fatmir Xhafaj, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 sfidoi fatin duke fituar 17 mijë vota personale, duke fituar në këtë mënyrë mandatin nga jashtë listës fituese. Erjon Braçe, deputeti historik socialist që më parë ka përfaqësuar Beratin apo Divjakën, kësaj here do të duhet të luftojë për vota personale për një nga pesë apo më shumë mandatet që socialistët shpresojnë të fitojnë në Tiranë mbi 12 të listës së mbyllur. Po kështu duhet të bëjë edhe Blendi Gonxhe, ministri i Ekonomisë dhe i Kulturës, i cili do të duhet të konkurrojë me deputetët e tjerë socialistë si Blerina Gjylameti, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka apo Olta Xhaçka për të kapur një nga të paktat vendet e hapura në garë.

Nga krahu i demokratëve, Berisha ka vendosur në listën e sigurt për Tiranën vetveten dhe disa figura besnike si Edi Paloka apo Flamur Noka, krahas kandidatëve të vendosur nga aleatët, dy nga LSI, një nga PDIU, apo Fatmir Mediu i Partisë Republikane. Mjeku Ilir Alimehmeti apo deputetja Jorida Tabaku, që të dy, kandidatë të shumëvotuar në të ashtuquajturat primare brenda partisë, përballen me betejën e vështirë të fitimit të votave personale, krahas shumë të tjerëve.

Në zgjedhjet e kaluara, dymbëdhjetë mandatet e fundit në Tiranë u caktuan palëve që fituan mes 12 mijë dhe 17 mijë vota kështu që, partitë e reja, për të pretenduar mandat, duhet të sigurojnë vota në këtë fashë.

Tirana është gjithashtu qarku ku, në krahasim me qarqet e tjera, një numër i lartë votash hidhet për të ashtuquajturën “votë proteste”, pra qytetarë që nuk pëlqejnë partitë e mëdha dhe, ose e djegin votën duke mos votuar për askënd, ose votojnë parti të vogla.

Në Durrës, qarkun ku zgjidhen 14 deputetë dhe ku rezultati në të shkuarën është luhatur nga 7 me 7 në 6 me 8, pesë mandate janë në listat e mbyllura, gjë që lë katër mandate për të dyja palët në listat e hapura. Rama ka mbajtur në fushëbetejë për mandatet shtesë Ilir Ndraxhin, një deputet nga Shijaku, i cili në vitin 2017 u dyshua se ishte i propozuar si kandidat nga Astrit Avdyli, një figurë e botës së krimit.

Në Durrës nga PD garon mes të tjerëve edhe Arjan Ndoja, ish-prokurori i shkarkuar nga detyra pas një atentati në të cilin u gjet nën shoqërinë e një figure të njohur të krimit.

Në Elbasan, situata është e ngjashme, me 14 mandate në lojë ku rezultati në zgjedhjet e kaluara doli 8 me 6 për Partinë Socialise. Edhe këtu, 5 mandate janë caktuar nga kryetarët respektivë ndërsa një deri në tre mandate për secilën palë, në garë të hapur.

Në Vlorë, Rama ka hedhur në fushëbetejë si pjesë e listave të hapura, Damian Gjiknurin dhe biznesmenin Vullnet Sina, krahas drejtorit të arkivave Ardit Bido, i cili, siç duket, do të garojë me kredencialet e tij nacionaliste mes komunitetit çam.

Në Vlorë, katër mandate janë të mbyllura ndërsa socialistët kanë arritur në të shkuarën të fitojnë 8 nga 12 mandate falë edhe faktit që këtu, pjesëmarrja është më e ulëta në rang kombëtar. Në rast se rezultati do të përsëritet, dymbëdhjetë kandidatët socialistë nga listat e hapura do të përleshen me njëri-tjetrin për katër vende.

Demokratët kanë vendosur të zakonshmit në listat e mbyllura me Bujar Leskajn në krye, demokrati që mbahet mend se fitoi mandat në Vlorë në zgjedhjet e vitit 2001, vetëm katër vjet pas tragjedisë së shumëfishtë njerëzore të vitit 1997 dhe vuajtjeve të pafundme, veçanërisht të vlonjatëve, nga kolapsi i skemave piramidale. Petro Gjikuria, kandidati i pasuksesshëm për bashkinë Himarë në zgjedhjet e kaluara, do të garojë kësaj here në lista të hapura për opozitën.

Nuk duket e pamundur që Vlora të mos ndahet 8 me 4 si herën e kaluar, por rezultati të ngushtohet në 5 me 3 nëse supozojmë që PD dhe LSI, që katër vjet më parë garuan veçmas, do të marrin të njëjtat vota kësaj here.

 

Po ndodh...