Dëmet nga përmbytjet arrijnë vlerë kolosale, Ministri Malaj zbardh shifrat: Për përballimin e situatës janë vënë dispozicion 50 mln euro

9 Janar 2026, 09:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Dëmet nga përmbytjet arrijnë vlerë kolosale, Ministri Malaj

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për përballimin e situatës së përmbytjeve në vend janë në dispozicion mbi 50 milionë euro, të alokuara nga programe dhe fonde të ndryshme buxhetore.

Sipas Malajt, në programin e Emergjencave Civile janë parashikuar rreth 30 milionë euro, të ndara mes shpenzimeve kapitale dhe projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore.

Nga kjo shumë, rreth 15 milionë euro janë dedikuar për financimin e objekteve dhe ndërhyrjeve konkrete parandaluese.

Ministri theksoi se është planifikuar edhe një fond i kushtëzuar prej rreth 10 milionë eurosh, i cili do të menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në një metodologji të mbështetur në hartën e riskut që po përgatitet nga kjo ministri.

Po ashtu, në dispozicion është edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, me një vlerë prej 25 milionë eurosh, i cili do të përdoret në varësi të vlerësimeve që do të kryhen nga strukturat përkatëse në terren.

Malaj bëri të ditur gjithashtu se ekziston një fond i veçantë prej rreth 5 milionë eurosh për digat dhe rezervuarët, i dedikuar për financimin e projekteve që lidhen me sigurinë dhe mirëmbajtjen e tyre.

“Në total, vlera e fondeve të disponueshme për situatën e krijuar nga përmbytjet shkon mbi 50 milionë euro”, tha ministri i Financave, duke shtuar se 15 milionë euro janë parashikuar posaçërisht për dëmshpërblimet.

 

Po ndodh...