EMRI/ Mungon prej 6 muajsh në Kuvend, Arben Ahmetajt i 'digjet' mandati! Kush pritet ta zëvendësojë

3 Janar 2024, 17:23 / POLITIKË ALFA PRESS

EMRI/ Mungon prej 6 muajsh në Kuvend, Arben Ahmetajt i 'digjet'

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj i vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale pritet të humbasë mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Për shkak se ndodhet në arrati prej 7 korrikut 2023, Ahmetaj nuk ka qenë present në kuvend prej 6 muajsh rresht.

Sipas rregullores së kuvendit, në sesionin e ri parlamentar, i cili fillon të hënën e tretë të janarit, pra më 15 janar, bëhet dhe verifikimi i mandateve. Këtu pritet të konstatohet pavlefshmëria e mandatit të Arben Ahmetaj, referuar nenit 71 të Kushtetutës. Për herë të fundit, ish-ministri Ahmetaj ishte prezent në seancën plenare të datës 6 Korrik 2023. Pak ditë më vonë, SPAK kërkoi autorizim nga Kuvendi për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj i cili ishte larguar nga Shqipëria.

Neni 71 i Kushtetutës, në gërmën “d” përcaktohet se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Pas 6 Janarit 2024, Kuvendi do të duhet të shpallë vakancën e krijuar nga humbja e mandatit të deputetit nga Arben Ahmetaj dhe të njoftojë zyrtarisht KQZ-në për plotësimin. Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se Bici aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pritet të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë

SPAK ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, por deri më tani nuk është bërë e ditur vendndodhja e tij.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128