Gjyqi për shpifje Bardhi-Sulaj/ GJKKO riçel hetimin, kërkesë SPAK-ut për dokumente mbi "Metamorfozën"

30 Janar 2025, 15:56 / POLITIKË ALFA PRESS

Gjyqi për shpifje Bardhi-Sulaj/ GJKKO riçel hetimin,

Gjykata e Posaçme ka vendosur riçelje të hetimit për denoncimin e bërë publik nga Gazment Bardhi me pretendimin se ish-drejtori i policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ishte emëruar nga krimi i organizuar.

Në gjyqin për shpifje që po zhvillohet mes Sulajt dhe Bardhit, ish-drejtori i policisë së Shkodrës ka kërkuar që SPAK të verifikojë nëse emri "Mondi" i referohet atij në komunikimet që Bardhi lexoi në foltoren e Kuvendit ku pretendoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar për "Metamorfozën", kishte kërkuar emërimin e Sulajt.

Gjykata ka urdhëruar SPAK të sjellë informacione nëse dokumenti i lexuar nga Gazment Bardhi në Kuvend është pjesë e përgjimeve për dosjen “Metamorfoza”.

Seanca gjyqësore e radhës është shtyrë për në datën 14 shkurt, ora 09:00.  Avokati i Bardhit, Ledjo Braho është shprehur në seancë gjyqësore se dokumentat që lexoi Bardhi, i kanë patur edhe mediat përpara tij.

Deri më tani seancat e mëparshme për pajtimin mes palëve kanë dështuar.

Ish-kryepolici i Shkodrës e ka konsideruar si përbaltje imazhi dhe ka kërkuar që kreu i grupit parlamentar të dënohet për shpifje. Nga ana tjetër, Bardhi nuk ka qenë vetë i pranishëm në seancë gjyqësore, por ka dërguar avokatët si përfaqësues të tij. 

Në deklaratën e bërë nga Bardhi teksa përballej në një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, demokrati lexoi përgjimet të cilat sipas tij ishin bërë në aplikacionin "Sky Ecc" mes anëtarëve të bandave që kërkonin emërimin e Edmond Sulajt në krye të drejtorisë së policisë vendore.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i këtij të fundit, i cili tha se periudha kur Bardhi pretendon se janë kryer këto biseda nuk korrespondon me zgjedhjen e tij në detyrë si kryepolic i Shkodrës.