Reagimi i liderëve të politikës pas takimit me Escobar/ Rama hesht, Meta konfirmon ultimatumin e SHBA

Marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po përkeqësohen nga dita në ditë. Qysh kur kryeministri Rama kritikoi në distancë Departamenti Amerikan të Shtetit sa i takon raporteve të nxjerra prej tij për Shqipërinë, ambasadoren Yuri Kim dhe pasi shpërtheu skandali “McGonigal”, amerikanët kanë filluar të distancohen ndjeshëm prej tij. Edhe pse momentalisht kjo retorikë dhe ky skandal mund të mos e dëmtojë zotin Rama, amerikanët e mbajnë “vath në vesh” dhe pasi të dalë nga Kryeministria nuk është çudi që ai të ketë fatin e Saliut. Por megjithatë, pavarësisht këtyre që kanë ndodhur, duhet thënë se shefi i qeverisë duket se nuk i ka mirë punët me Uashingtoni.
Ky i fundit vijon ta bëj me dhimbje koke atë, madje e ka detyruar të struket në një qoshe.
Sot që flasim Edi Rama është në një heshtje totale varri, pas takimit “fatal” 20 minutësh që zhvilloi këtë javë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe të Dërguarin e Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Diplomati Escobar u takua me zyrtarët të lartë dhe politikanë në Shqipëri, si presidenti Bajram Begaj, kryeministrin Rama, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, kreun e PD zyrtare Enkelejd Alibeaj dhe kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Të gjithë zyrtarët e sipërpërmendur reaguan dhe ndan detaje nga takimi që patën me zotin Escobar, ndërsa i vetmi që nuk reagoi ishte kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare është mjeshtër i propagandës dhe ai nuk lë takim dhe vizitë pa promovuar në media e rrjetet sociale, por në rastin konkret ai nuk ka reaguar, çka tregon se biseda e tij me të dërguarin e presidentit Joe Biden, nuk ka shkuar mirë dhe për këtë arsye ai ka zgjedhur të heshtë. Pra, thënë ndryshe dhe troç, kryeministri Edi Rama duket se nuk i ka mirë punët me amerikanët.
Reagon Meta
Por në kulmin e debateve dhe analizës që i bëhet vizitës së zëvendës Ndihmës Sekretarit dhe të Dërguarit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një gjë është e sigurtë që ky i fundit ua ka futur këmbët në një këpucë, pasi përveçse u ka dhënë garanci se SHBA-të do mbështesin Shqipërinë, ata nuk bëhet fjalë se do të tolerojnë “non-gratat”, sikundër është ish-kryeministri Sali Berisha, duke i lejuar të livadhisin dhe konsideruar si partnerë. Madje kjo është konfirmuar dje edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka shtuar dyshimet se i dërguari i DASH, Gabriel Escobar i ka dhënë mesazhe dhe porosi të forta për Sali Berishën.
Takimi mes tyre ngriti shumë pikëpyetje. Kur Meta ishte president, Escobar nuk i shkeli në zyrë, mirëpo dy ditë më parë pati një takim të gjatë mes tyre dhe nën “rrogoz” flitet se SHBA e ka paralajmëruar në raportet e tij me Berishën.
Meta po mundohet të mbajë në këmbë ish-kryeministrin dhe sinjalet janë se është paralajmëruar nga zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kjo gjë nuk u mohua as nga vetë Meta. Ai doli dje para gazetarëve dhe u pyet nëse mori porosi për aleatin e tij. Meta dredhoi duke mos e mohuar një gjë të tillë. “Përmes komunikatës zyrtare i kam bërë të qarta çështjet kryesore dhe qëndrimet e PL-së. Marrëdhëniet tona janë të vazhdueshme dhe të hapura me SHBA-të. Kemi marrëdhënie të vazhdueshme në Tiranë dhe në Uashington.
Është e rëndësishme që SHBA-të janë të përkushtuara për parimin e demokracisë në Shqipëri, nivelin e korrupsionit dhe të mbizotërojë demokracia dhe vullneti i lirë”, deklaroi ai. Mirëpo fakti që Meta përmendi se në takim u fol për demokracinë dhe korrupsionin, flet shumë, pasi Berisha është sanksionuar nga Uashingtoni, për shkak se është përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë. Pra duket qartë që Berisha nuk ka shpresa që të çajë izolimin ndërkombëtar.
Takimi me Escobar, flasin Begaj, Alibeaj, Meta dhe Xhaçka
Ndërkohë kujtojmë se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar fillimisht pati një takim 20 minuta me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas iu drejtua godinës së Presidencës së bashku me ambasadoren Yuri Kim, ku është takuar me kreun e shtetit, Bajram Begaj. Ky i fundit në reagimin e tij, theksoi se fokusi i takimit ka qenë zhvillimet në Ballkanin Perëndimorë, si negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, siguria kibernetike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Ndërkaq, edhe kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka zbardhur takimin e të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Alibeaj bën me dije se gjatë bisedës u prekën tema të të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek përgatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve. Alibeaj thekson se i ka bërë me dije për qëndrimin konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi se në takimin me të dërguarin e Posaçëm të BE-së, Gabriel Escobar, shprehu vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA, ndërsa mes të tjerash, siç tha ai, u fol edhe për luftën kundër korrupsionit.
Po ashtu, edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas takimit me zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit tri ditor në Tiranë. Xhaçka theksoi në rrjetet sociale se në takimin me Escobar, folën për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe sigurinë e rajonit. Pra të gjithë ata që u takun me diplomatin Escobar reaguan, përveç Ramës.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
