Kënga e Hajredin Pashës, idiotësia e deputetit Gogu dhe Ilir Metaj që ja fut "si kau pelës"

19 Mars 2023, 11:09 / POLITIKË NGA HETEM DIBRA

Kënga e Hajredin Pashës, idiotësia e deputetit Gogu dhe Ilir

Nuk e di se pse i është dashur Toni Gogut që të shkruajë e postojë në profilin e tij në facebook një status me përmbajtje idiote, teksa shkruan “170 vite këngë e lavdi, dedikuar Hajredin Pashës, heroit të gjithë dibranëve”.
Që edhe këtij njeriut me emrin Toni i pëlqen kënga e bukur e Hajredin Pashës, ndër më të njohurat dhe edhe më të kënduarat edhe sot e kësaj dite, nuk është çudi. Por e çuditshme është se si ky njeriu Toni nuk e ka lodhur trurin të paktën ta dëgjonte tekstin e këngës, se do ta kuptonte edhe përmbajtjen e saj, do ta mësonte edhe vetëm prej këngës historinë e betejës së famëshme të dibranëve në Fushë të Gjoricës kundër hordhive turke të komanduara nga Hajredin Pasha.
Sepse edhe vetëm duke e dëgjuar tekstin e këngës, ky njeriu Toni do ta mësonte se Hajredin Pasha jo vetëm që nuk është heroi i gjithë dibranëve, por është emri simbol i pushtuesit të turpëruar prej mbrojtësve dibranë të trojeve të tyre.
Por injoranca e këtij Tonit që nuk e di se Hajredin Pasha nuk është heroi i gjithë dibranëve, siç edhe pritej, nuk mund t’u shpëtonte syve të vëmendshëm të lexuesve të shumtë, njëri prej të cilëve është edhe ish Presidenti Ilir Meta. Ky në fakt emrin e ka me mbiemrin Metaj, por meqenëse nuk e ka ndrruar në profilin e tij zyrtar, po i referohemi me Meta.
Domethënë Meta ka shkruar në profilin e vet në facebook duke
Marrë shkak nga lajthitja e Toni Gogut se: “Vetëm "Rilindja” mund ta ngatërronte Hajredin Pashën, me Legjendën e Dibrës dhe të mbarë kombit, Elez Isufin”.
Mirëpo edhe Meta në nxitimin për të korrigjuar duke ironizuar Tonin, ia fut si kau pelës kur don të na shpjegojë se “vetëm "Rilindja” mund ta ngatërronte Hajredin Pashën, me Legjendën e Dibrës dhe të mbarë kombit, Elez Isufin”.
Sepse kënga e Hajredin Pashës nuk ka lidhje me Elez Isufin, pasi ajo nuk është një këngë që i kushtohet Elez Isufit.
Kënga e Hajredin Pashës i kushtohet betejës së famëshme të dibranëve të vitit 1844 kundër pashait turk, ndërkohë që Elez Isufi në atë periudhë nuk kishte lindur. Elez Isufi ka lindur në vitin 1861, pra plot 17 vjet pasi dibranët turpëruan Hajredin Pashën në Fushë të Gjoricës.
Pra Toni Gogu nuk e ka ngatërruar Hajredin Pashën me Elez Isufin se Toni nuk di as historinë e Hajredin Pashës dhe as se kush është Elez Isufi.
Hajredin Pashën me Elez Isufin e ngatërron ky tjetri, pra Ilir Meta i cili nuk e di se kënga e njohur me titullin “Kënga e Hajredin Pashës” nuk i kushtohet Elez Isufit, sepse Elez Isufi nuk kishte lindur në atë kohë.
Elez Isufi është i një kohe të më vonë o zoti ish President. Atë nuk e ka vrarë Hajredin Pasha, por plumbat e tradhëtisë në dhjetorin e vitit 1924.

Kënga e Hajredin Pashës, idiotësia e deputetit Gogu dhe Ilir

 



Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128