Lajme flash

Konceptimi ndryshe i fushatës, Neli Demi: Nuk na duhet një dorashkë tjetër. Na duhet dorë e vërtetë

4 Prill 2025, 10:17 / POLITIKË ALFA PRESS

Konceptimi ndryshe i fushatës, Neli Demi: Nuk na duhet një

Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik, Neli Demi, ka zgjedhur të flasë ndryshe për fushatën.

Në një analizë simbolike të përdorimit të dorës në historinë politike shqiptare, ai shpalos transformimin nga “grushti i Enverit” – i mbyllur, që “nuk jepte, nuk kërkonte — vetëm godiste”, te “pëllëmba… që ngriti shpresën, nisi të nënshkruante heshtjen”. Sot, sipas Demit, jemi në epokën e “dorashkës… një copëz art popullor nga Meksika”, që “nuk ka lidhje me ne”.

“Kur nuk ke besim për të ofruar, ofron estetikë me tepri”, shkruan Demi, duke kritikuar zbrazëtinë e mesazheve politike të kuruara për rrjete sociale.

Ai thekson se njerëzit njohin më mirë realitetin: “dorën me kallo që punon… që voton me mendje dhe me zemër. Jo dorën që fsheh, që zbukurohet, që blihet online”.

Demi bën thirrje për kthim te e vërteta, tek politika me rrënjë dhe përgjegjësi, jo me simbole të huaja dhe të zbrazëta. “Nuk na duhet një dorashkë tjetër. Na duhet dorë e vërtetë.”

Postimi i plotë:

Në Shqipëri, dora nuk ka qenë thjesht gjymtyrë.
Ka qenë instrument frike, premtim shprese, vegël ndëshkimi, logo proteste, vegim lideri.

Fillimisht ishte grushti i Enverit. I mbyllur fort, si sistemi vetë. Nuk jepte, nuk kërkonte — vetëm godiste. Simbol i bindjes. I heshtjes kolektive të imponuar.

Pastaj erdhi pëllëmba — ajo e hapur, e kuqe, me stil grafik dhe zë të ëmbël. Mjaft! thoshte. Dhe për një çast, besuam. Sa bukur kur një brez filloi të kërkojë llogari.
Por pëllëmba nisi të shtrëngojë duar me pushtetin. U bë firmë, jo thirrje. Nga “mjaft më”, në “do flasim pas zgjedhjeve”. Dora që ngriti shpresën, nisi të nënshkruante heshtjen.

Tani kemi dorashkën. Një copëz art popullor nga Meksika. Që blihet online plot 56.65 dollarë. E kuruar mirë, me ngjyra dhe simbole që duken të thella… derisa pyet: “Po ç’lidhje ka kjo me ne?” Dhe përgjigjja është e thjeshtë: asnjë.

Një dorashkë — jo për të mbrojtur dorën, por për të fshehur ndotjen dhe boshllëkun e saj.

Fushata është mbushur me relike pa rrënjë gjetur ndoshta në Amazon, Pinterest, Medium. Pa burim. Pa histori. Pa lidhje. Me simbole që japin mesazhe mbrojtjeje, dashurie, mistike, astrologjie dhe artizanati global. Duar me yje, zemra, zogj e shenja të fshehta, ndërsa ngjyrat e ndezura dhe hijet konceptuale përpiqen të zëvendësojnë lidhjen që mungon me realitetin shqiptar. Janë të bukura, po nuk na njohin. As vendin. As dhimbjen.

Kjo nuk është trashëgimi. Është zbrazëti e kuruar.

Ka një emër kjo: mbikompensim simbolik.
Kur nuk ke besim për të ofruar, ofron estetikë me tepri.

Por njerëzit e kuptojnë këtë.
Ata njohin dorën me kallo që punon por që prapë nuk mjafton.
Që ndihmon një të moshuar të ecë.
Që i jep fëmijës bukën.
Që voton me mendje dhe me zemër.
Jo dorën që fsheh, që zbukurohet, që blihet online.

Nuk na duhet një dorashkë tjetër. Na duhet dorë e vërtetë.

Po ndodh...

ide