Më 4 qershor Komiteti i Senatit amerikan voton për Eric Wendt, kandidati i Donald Trump për ambasador një hap më pranë Tiranës

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan pritet të zhvillojë më 4 qershor një seancë të rëndësishme për emërimin e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Në mbledhjen e tipit “Business Meeting”, të vendosur tashmë në axhendë, senatorët do të votojnë nëse kandidatura e gjeneralit në pension Eric Ëendt do t’i kalojë Senatit të plotë për konfirmim, një procedurë që konsiderohet hapi i fundit përpara emërimit zyrtar në detyrë.
Seanca vjen dy javë pas dëgjesës publike të 20 majit në Uashington, ku Wendt prezantoi vizionin e tij për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe iu përgjigj pyetjeve të senatorëve mbi korrupsionin, SPAK-un, investimet amerikane dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Ndryshe nga dëgjesa publike, ku kandidatët paraqesin qëndrimet e tyre dhe pyeten nga senatorët, mbledhja e 4 qershorit zhvillohet me format procedural. Në këtë fazë, anëtarët e komitetit diskutojnë dhe votojnë nëse nominimi duhet të dërgohet në sallën plenare të Senatit.
Në rast se kandidatura merr miratimin e komitetit, emri i Ëendt do të futet në kalendarin e Senatit për votimin final. Tradicionalisht, kandidatët që kalojnë këtë fazë kanë gjasa të larta të konfirmohen.
Eric Ëendt u nominua nga Presidenti Donald Trump në prill të këtij viti. Ai konsiderohet një figurë me peshë në fushën e sigurisë kombëtare, me më shumë se 34 vite eksperiencë në ushtrinë amerikane. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë, ndërsa ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të sigurisë gjatë misioneve të Aleancës në Afganistan dhe rajon.
Gjatë paraqitjes para senatorëve, Ëendt renditi si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane.
Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm dhe vlerësoi bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas Ëendt, puna e strukturës antikorrupsion do të jetë e një rëndësie kyçe, për sa kohë ajo mbetet e pavarur dhe e papolitizuar.
Shqipëria nuk ka një ambasador të konfirmuar amerikan që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm i administratës Biden për diplomatin David Kostelancik nuk arriti të përfundonte procesin e konfirmimit në Senat.
Po ndodh...
Kuvendi i izolimit të madh të Sali Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128