PD kundër Marta Kosit: Gënjeu për zgjedhjet e 11 Majit

25 Nëntor 2025, 18:11 / POLITIKË ALFA PRESS

PD kundër Marta Kosit: Gënjeu për zgjedhjet e 11 Majit

Grupi i Partisë Demokratike i ka paraqitur notë verbale delegacionit të BE-së në Tiranë pas deklaratave të Komisioneres Marta Kos, e cila u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit ishin të lira dhe të ndershme, ndryshe nga çfarë konstatonin gjetjet e raportit të OSBE/ODIHR.

Kreu i grupit, Gazmend Bardhi, në emër të opozitës, shkruan në notën verbale ndër të tera se deklaratat e Kos ishin jo të vërteta dhe nuk pasqyronin realitetin.

“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian”- shkruan letra.

Sipas notës-verbale të opozitës vërejtjet e paraqitura nga OSBE-ODIHR nuk e mbështesin përfundimin se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme.

“Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël” – thekson letra.

Nota-Verbale e grupit parlamentar të PD, mbyllet duke theksuar se: “Opozita në Shqipëri dëshiron të shprehë rezervat e saj lidhur me komentet e Komisioneres dhe kërkon me respekt që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me vlerësimet e institucioneve kompetente përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Përndryshe, interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë”.

 

Po ndodh...