“Precedent i rrezikshëm”, BIRN: Drafti për tenderat e AKSHI pritet me kritika në Kuvend

Komisionet parlamentare morën në shqyrtim dhe miratuan të hënën vetëm me votat e mazhorancës një nismë ligjore të mbështetur nga qeveria, që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private.
Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti socialist, Erjon Malaj, Agjencia që administron infrastrukturën digjitale shtetërore nuk do të kryejë më prokurime dhe lidhje të kontratave për mirëmbajtjen e platformave – duke ia transferuar këtë detyrë një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.
Deputetët e opozitës e kundërshtuan projektligjin dhe e konsideruan atë si të nxitur nga hetimet e bujshme të Prokurorisë së Posaçme, që zbuluan ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit, ku mes të akuzuarve gjenden biznesmeni kontrovers, Ergys Agasi dhe drejtoresha jetëgjatë e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Opozita po ashtu ngriti pikëpyetje mbi sigurinë e të dhënave sensitive që menaxhon agjencia, shqetësime që në një formë më butë, u artikuluan edhe nga deputetët socialistë.
“Nëse një institucion është nën akuzë për shpërdorim dhe lidhje kriminale, përse nuk kryhet më parë një audit i thelluar financiar, teknik dhe i sigurisë?” pyeti deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, duke kërkuar që para se tenderat të kalojnë në kompani me pjesëmarrje private, duhet transparencë për menaxhimin e tyre ndër vite.
Po ashtu, ajo ngriti si shqetësin garantimin e sigurisë së të dhënave sensitive nga kalimi i infrastrukturës kritike digjitale, databazat, sistemet shtetërore, rrjetet e komunikimit në menaxhimin e privatëve.
“Kjo përbën një precedent të rrezikshëm,” tha Tabaku, duke shtuar se nisma bie në kundërshtim dhe me procesin e integrimit europian dhe standardet e menaxhimit të infrastrukturave kritike në vendet e BE-së.
Edhe në komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, projektligji u prit me të njëjtat shqetësime.
“Ka shumë pikëpyetje të mëdha që ka të bëjë me Sigurinë Kombëtare, sepse hetimet treguan se persona të lidhur me krimin e organizuar kanë akses në të dhënat sensitive apo aplikimi i këtij modeli sjell më pak telashe?”- iu drejtua tha deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri në këtë komision.
Ai po ashtu kërkoi sqarim nga qeveria se si do të përcaktohej kompania private që do të bëhej aksionere, pasi dispozitat e reja nuk parashikonin nëse do të zgjidhej me garë apo në mënyrë preferenciale.
Shqetësimin e mbrojtjes së të dhënave e ndanë dhe deputetë socialistë në të dy komisionet.
Deputeti Ilir Pendavinji ngriti pyetje nëse ky model ka ndonjë problem me cënimin e rolit të AKSHI-it, nëse është një formë privatizimi i sistemeve shtetërore dhe si garantohet kontrolli financiar dhe transparenca e shoqërisë aksionere që do të menaxhojë këto sisteme.
Ndryshimet e propozuara nga deputeti Malaj mbërritën në Kuvend me mbështetjen dhe konsultimin paraprak të AKSHI-it dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, siç u pranua në komision nga përfaqësues të këtyre institucioneve.
Malaj tha se ndryshimi i ligjit vinte si nevojë e zhvillimit teknologjik dhe sfida e re është mirëmbajtja dhe funksionimi i sistemeve dhe platformave. Ai tha se pronarët e tyre do të vijojnë të jenë institucionet publike dhe se ndryshimet nuk cënonin sigurinë e të dhënave dhe as nuk prekin kompetencat e AKSH-it.
“Ka ndarje funksionesh, shoqëria ka operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin,” tha Malaj.
Shqetësimet në lidhje me hetimet për abuzim me tenderat, sipas Malajt, ishin legjitime, por kishin të bënin me një dimension tjetër, atë të përgjegjësive individuale penale.
Praktika e ndryshimeve të diskutueshme ligjore përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është aplikuar disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Njëkohësisht, mazhoranca socialiste po shkon së fundmi drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike dhe private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshi edhe atë të mbrojtjes.
Në dispozitat e reja, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.
Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.
Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.
Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë në fakt tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë fituar prokurime publike nga AKSHI, një zyrë nën varësinë e kryeministrit, e cila merret me infrastrukturën digjitale të shtetit.
Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe disa personave të tjerë./BIRN
Po ndodh...
ide
Loja e Ramës me tre dorëheqjet e revokueshme të Belindës!
Mafia e ushqimeve në Shqipëri, më e rrezikshme se trafikantët e drogës….
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

