Reforma Territoriale/ Alibeaj dorëzon në Kuvend propozimin me 94 bashki, dokumenti

5 Tetor 2022, 09:48 / POLITIKË ALFA PRESS

Reforma Territoriale/ Alibeaj dorëzon në Kuvend propozimin me 94

Nëpërmjet Enkelejd Alibeajt dhe deputetëve të saj në Komisionin e Reformës, Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me ndryshimet e ndarjes territoriale. Gjithashtu bëhet me dije se së bashku me projektligjin do të jetë edhe materiali shoqërues dhe hartat me 94 bashki.

 

KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr. __/2022

PËR NDARJEN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, gërma “f”, 83, pika 1, dhe 108, pika 2 të Kushtetutës, me propozimin e e një grupi deputetësh,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

1. Njësitë e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë janë:
a) bashki – 94
b) qarqe – 12
2. Ndarjet administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen nga ky ligj.

Neni 2

Emërtimi, shtrirja territoriale, kufijtë, qendra, njësitë administrative përbërëse të çdo njësie të qeverisjes vendore dhe nënndarjet e tyre janë të përcaktuara në hartat dhe në tabelat bashkëlidhur këtij ligji dhe që janë pjesë përbërëse e tij.

Neni 3

1. Organet e njësive të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe zgjedhjeve të pjesshme të vitit 2022, dhe me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale, të përcaktuar me ligjin nr. 115/2014 “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vazhdojnë funksionimin e tyre deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2023.
2. Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2023 do të organizohen dhe zhvillohen mbi bazën e ndarjes administrativo-territoriale të përcaktuar në këtë ligj.
3. Organet e qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, do të organizohen dhe funksionojnë bazuar në ndarjen administrativo-territoriale të përcaktuar në këtë ligj.

Neni 4

Ligji nr. 115/2014 “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R J A

Lindita NIKOLLA

Miratuar, më _._.2022

 

 

Po ndodh...

ide