Detajet e mbledhjes së Ramës për spastrimet në Bashkinë e Tiranës/ Kërkoi largimin urgjent të 3 nënkryetarëve, Anuela Ristanin e sistemon me detyrë të re!

21 Korrik 2025, 23:28 / POLITIKË ALFA PRESS

Detajet e mbledhjes së Ramës për spastrimet në Bashkinë

Ultimatumi i kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e drejtorëve, nënkryetarëve dhe rifreskimin e bashkive në nivelet drejtuese, ka prekur edhe Bashkinë e Tiranës, e cila prej disa muajsh tashmë drejtohet nga një kryetare e komanduar, pas arrestimit të Erion Veliajt.

 Alfapress.al raportoi më herët se gjatë takimit me dyer të mbyllura ditën e sotme me deputetët socialistë në kryeqytet dhe përfaqësues të bashkisë, Rama ka kërkuar hapjen e garës për nënkryetarët e rinj të bashkisë, pa përjashtuar ata aktualët, nga ku do të caktohen 4 të rinj.

Mësohet se nga ky ristrukturim nuk preket Anuela Ristani, që nuk është më zëvendëskryetare, por Kryetare e Komanduar.

Ristanit mësohet se Rama i ka lënë detyrë dixhitalizimin e Bashkisë, si dhe drejtimin e punës për adoptimin e një strukturë të re organizative në Bashkinë Tiranë, e cila është konceptuar në bashkëpunim me Institutin “Tony Blair”, dhe që adoptohet edhe në bashki të tjera.

Ndërkohë, ashtu si në bashkitë e tjera të vendit, edhe në Tiranë është ngritur një grup pune, ku 3 prej anëtarëve janë Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj, të cilët do të zhvillojnë intervista me kandidatët për nënkryetarë.

Kujtojmë se nënkryetarë aktualë janë: Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili, të cilëve mësohet se Rama u ka thënë se janë të mirëpritur në garë, me platformat dhe vizionin e tyre për sektorët përkatës.

 

Po ndodh...