"Rasti Beleri është siç mban Putini në burg Navalnin", Vangjel Dule zbulon skenarin e rradhës

25 Maj 2023, 19:05 / POLITIKË ALFA PRESS

"Rasti Beleri është siç mban Putini në burg

Edhe pse i sapozgjedhur në krye të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i “Bashkë Fitojmë” ndodhet ne burgi akuzuar për blerje votash gjatë fushatës elektorale.

Arrestimin e tij, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule e cilëson terësisht arbitrar dhe politik.

Sot në studion e Klan News, Dule u shpreh se gjithçka e ka zanafillën në ditën e tubimit të Kryeministrit në Himarë, më 6 Maj.

“Ishte një fitore e padiskutueshme dhe po të mos kishte ndodhur arrestimi arbitrar, i paprecedentë, fitorja do të ishte shumë herë më e madhe. Më vjen keq ta them, por zoti Beleri është siç mban Putini në burg Navalnin, siç mban Erdogani Demirtashin. Zoti Rama ka marrë peng dhe e mban zotin Beleri në burg. Është kaq e qartë dhe kaq e thjeshtë. Kjo është qesharake, sepse në momentin që pretendohet se bëhet arrestimi në flagrancë zoti Beleri ndodhet në orën 00:15 minuta pas mesnate, gjendet me avokatin e tij, kushëririn e tij pas një darke bashkë dhe po diskutonin, për rrjedhojë cila është logjika? Që zoti Beleri po përpiqej t’i blinte votën avokatit, apo kushëririt? Më datën 6 Maj, deri atëherë fushata ishte shembullore aq sa nuk u desh të shkoja as unë, e gjitha përmbyset më 6 Maj kur zhvillon tubimin zoti Rama, nuk kishte as 30 qytetarë vendas, mesa duket aty mori mesazhin, fillon një sulm të papritur ndaj zotit Beleri.”

Që nga  intervista e bujshme e deri te vënia në pranga e Belerit, Dule thotë se ishin të gjitha inskenime dhe manipulime të qeverisë përmes policisë e Prokurorisë së Vlorës.

“Të nesërmen në të gjitha mediat e kontrolluara nga zoti Rama anoncohet një intervistë ku zoti Beleri pretendohej se kishte thënë se do të helenizonte Himarën, në një kohë që ai kishte përdorur termin helenizëm, helenizmos. Ndërsa përkthimin e bënë helenizim. Kjo trumpetohet, shikoni ja ku e keni armikun. Denigrohet nga Rama dhe fillon sulmi i gjithanshëm, kudo që u gjend pas datës 6 Maj. Kemi nga njëra anë sulmin, bullizimin, dhe fillimin e fabrikimit të sajimit të një situate.

Nuk ka asnjë pamje filmike që komprementon zotin Beleri në asnjë fazë, ai u vu në përgjim, kjo vjen me propozim të kreut të policisë së Himarës që është i njohur për sajesa dhe i ka praktikuar dhe kur shërbente në Durrës. Kërkohet që Beleri të vihet në përgjim, i kërkohet Prokurorisë së Vlorës që nuk e ka kompetencë, duke shkelur procedurat. Pasi u urdhërua arrestimi në flagrancë ia faturon çështjen SPAK-ut.

Prokuroria e çështjes është në të njëjtën kohë motra e kryetarit të gjykatës së Vlorës, të dy bijë të një anëtari të këshillit bashkiak që përfaqëson PS në Kavajë. Rama përdori individë në radhët e policisë e prokurorisë për të inskenuar, nuk ka asnjë element që provon flagrancën.”

Kreu i PBDNJ thekson se Beleri u vu nën përgjim për 4 ditë, në shkelje të plotë të ligjit.

“Që nga data 8 Maj u vu në përgjim telefonik dhe ambiental dhe në të njëjtën kohë ishte një kontigjent prej 15 policësh gjyqësorë që e ndiqnin nga mbrapa me qëllim që në rastin e flagrancës të ndërhynin dhe të bënin arrestimin . Nuk arritën për 4 ditë e netë të gjenin një rast të vetëm për arrestimin e tij dhe e bënë në mënyrë arbitrare, urdhri ishte dhënë nga Rama.''