Reforma territoriale, Shehi dhe Spahiu thirrje PS-së: Tërhiqni projektin, kërkohet konsensus i gjerë

7 October 2026, 19:34 / POLITIKË ALFA PRESS
Reforma territoriale, Shehi dhe Spahiu thirrje PS-së: Tërhiqni

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i ka bërë thirrje shumicës parlamentare të Partisë Socialiste që të tërheqë projektin për reformën administrativo-territoriale, i cili pritet të votohet nesër në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, Dashamir Shehi dhe Ekrem Spahiu, kanë kërkuar që ndryshimi i hartës territoriale të mos miratohet pa një konsensus të gjerë politik.

Sipas tyre, reforma territoriale duhet të shoqërohet me ndryshime më të thella, duke përfshirë ndryshimin e numrit të bashkive, rikthimin e komunave dhe uljen e numrit të qarqeve, në përputhje me standardet europiane, por të përshtatura me specifikat e Shqipërisë.

Shehi dhe Spahiu kanë paraqitur gjithashtu propozimet e LZHK-së për reformën zgjedhore. Ata kërkojnë kalimin në sistemin me dy raunde për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në rast se asnjë kandidat nuk merr 50% plus një votë në raundin e parë, si dhe vendosjen e një pragu pjesëmarrjeje prej 50% plus një votë për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Në platformën e tyre përfshihet edhe votimi dhe numërimi elektronik.

LZHK thekson se këto propozime tashmë janë pjesë e platformës së opozitës dhe se do të paraqiten në Kuvend. Sipas tyre, reforma territoriale dhe ajo zgjedhore duhet të kenë një karakter afatgjatë dhe të mos lidhen vetëm me interesat e një mandati qeverisës.

 

Duke iu referuar nenit 81, pika 2 të Kushtetutës, LZHK nënvizon se ligjet për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore kërkojnë miratim me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, çka, sipas saj, e bën të nevojshëm konsensusin mes forcave politike.

Në këtë kuadër, Shehi dhe Spahiu i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare të PS-së që të tërheqë projektin e saj dhe të mos përsërisë, sipas tyre, modelin e vitit 2014, kur ndarja administrative u miratua nga mazhoranca e atëhershme pa konsensus të gjerë politik.

Aktualisht, projektligji për reformën administrativo-territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa votimi në Kuvend është parashikuar për 8 tetor.

Në deklaratën e saj, LZHK është ndalur edhe te zhvillimet në Kosovë. Dy bashkëkryetarët kanë përshëndetur zgjedhjen e akademikes Justina Shiroka-Pula si Presidente e re e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap për stabilitetin institucional të vendit.

LZHK ka vlerësuar gjithashtu projektligjin për ndryshimet lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e lidhur qëndrimin e saj me atë që e konsideron interes kombëtar dhe stabilitet institucional në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.

 

Po ndodh...