Eurostat: Shqipëria, ndër vendet me numrin më të lartë të të burgosurve në Europë, në raport me popullsinë

12 Maj 2023, 15:01 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Eurostat: Shqipëria, ndër vendet me numrin më të lartë

Shqipëria renditet ndër vendet që ka numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsisë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat.

Në vitin 2021, Shqipëria kishte 202 të burgosur për 100 mijë banorë, e dyta në rajon pas Malit të Zi (214.7).

Nivelin më të ulët e ka Serbia me 166 të burgosur për 100 mijë banorë. Të dhënat për Maqedoninë e Veriut janë të vitit 2017, kur treguesi ishte 122, ndërsa Kosova në vitin 2020 kishte 143 persona të mbyllur brenda për 100 mijë banorë.

Në Shqipëri, rekordi u arrit në 2018-n, tregojnë të dhënat e Eurostat, me 217.3 të burgosur për 100 mijë banorë.

Europa

Në Europë, rekordin e mban Turqia, që ka në burgje 323 persona për 100 mijë banorë.

Në vitin 2021, kishte 475 038 të burgosur në BE, shifër ekuivalente me 106 të burgosur për 100 000 njerëz. Shkalla e të burgosurve u rrit, pas një rënie në vitin 2020 (104 të burgosur për 100 000 njerëz), por mbeti shifra e dytë më e ulët, që nga fillimi i shekullit.

Normat më të larta të të burgosurve për 100 000 persona në vitin 2021, ishin në Hungari dhe Poloni (191 secila), ndjekur nga Sllovakia (185).

Normat më të ulëta ishin në Finlandë (51), Slloveni (54) dhe Holandë (65).

Në 14 nga 26 vendet e BE-së që ofruan të dhënat e tyre, shkalla e të burgosurve u rrit në krahasim me vitin 2020.

Tetë vende të BE-së kishin burgje të mbipopulluara në vitin 2021

Në vitin 2021, 8 vende të BE-së kishin qeli të mbipopulluara në burgjet e tyre, ndërsa 17 vende kishin kapacitet shtesë. Shkalla e popullimit të burgjeve, është numri i të burgosurve në raport me kapacitetin zyrtar (kapacitetin e projektuar) të burgjeve, shumëzuar me 100.

Mbipopullimi ndodh kur shkalla e zënies kalon 100, gjë që tregon se ka më shumë të burgosur, se sa struktura ishte parashikuar të mbante.

Normat e popullimit u vunë re në Qipro (146), Rumani (116), Francë (114), Greqi dhe Itali (108 secila), Suedi (102), Kroaci dhe Danimarkë (të dyja 101).

Normat më të ulëta të popullimit të burgjeve u regjistruan në Maltë (65), Estoni dhe Letoni (66 secila). Në 14 nga 25 vendet e BE-së, që ofruan të dhëna në vitin 2021, shkalla e popullimit të burgjeve u rrit në krahasim me vitin 2020, kur rënia u bë e mundur nga masat e lidhura me COVID-19./ Eurostat

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128