Timo Flloko për Kristaq Mitron: Si një film mbaron gjithë jeta. Po na ikin shokët një nga një...

20 Prill 2023, 15:02 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Timo Flloko për Kristaq Mitron: Si një film mbaron gjithë jeta.

Artisti i njohur, Timo Flloko ka kujtuar mikun e tij regjisorin e njohur Kristaq Mitron i cili ndërroi jetë disa ditë më parë. Mes rreshtave Flloko tregon si u njohën, momentet e bashkëpunimit, të vështirat dhe të bukurat duke nënvizuar se sikurse përfundon një film ashtu përfundon dhe jeta, por që yjet nuk fiken asnjëherë.

Shkrimi i Timo Fllokos:

E përcollëm në ditën e heshtjes, një natë pas së premtes së zezë dhe veç disa orë përpara ringjalljes së Krishtit, në ditën e Pashkëve… si të ringjallej dhe ai, jo vetëm prej shtegtimit të shpirtit të tij të butë, të brishtë në ndjenja dhe aq elegant e i përkorë, por dhe për peshën e emrit që mbante, Kristo (Krisht)…

Thuhet se emri është një identikit natyral i karakterit njerëzor, një figurë e personalitetit… Ashtu dua ta besoj. Me Kristaq Mitron, ishim shokë të hershëm, që nga koha e shkollës së mesme në Vlorë, edhe pse në dy gjimnaze të ndryshëm, ai në gjimnazin “Ali Demi”, unë në “Halim Xhelo”. Na bashkonte ëndrra për t’u bërë aktorë dhe ashtu ngjau. Sapo mbaruam maturën, u nisëm për në konkursin e shkollës “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Popullor asokohe dhe të dy fituam.

Më kujtohet se si nisëm nga Posta Qendrore e kryeqytetit njoftimin, ai me një lajmthirrje telefonike, kurse unë i dërgova tim eti një telegram, me atë thënien e famshme të Cezarit “Veni, vidi, vici” (erdha, pashë, fitova..?!) kur, në fakt, Kristos ia kishte komunikuar Komisioni i Pranimit se e kishte fituar konkursin, kurse mua ma kishte lënë si pezull (ose e kisha unë atë përshtypje…) gjë që e bënte edhe më qesharak e të dyshimtë “triumfin” tim.

Mbaj mend se atë natë thuajse e gdhimë, ngaqë jo vetëm festuam, por edhe mezi na e hapi portën roja i hotelit ku bujtëm, me emër “Hotel Parku”. Filluam shkollën, ndiheshim krenarë që ndodheshim në oborrin e Teatrit, në një mjedis me artistë të mëdhenj si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, etj.

Kërkesat profesionale ishin të vështira e të parrokshme në fillim ndërkohë që shkolla ishte ku e ku më e lehtë krahasuar me gjimnazin por në përvetësimin e kuptimit të thelbit të profesionit, e mundimshme dhe e vështirë.

E bëra këtë shpjegim për atë se si unë si Kristo, të dy të një mendjeje (sigurisht, unë iniciator e i rrëmbyer siç isha…) vendosëm ta lëmë shkollën për konfuzionin që kishim në vete dhe morëm trenin e parë në drejtimin nga kishim ardhur. Munguam afro dhjetë ditë në auditorë dhe, teksa u teprua dhe nisi të na kapë ndjesia e pendesës, nuk e zgjatëm, kthyem mendje…

Mungesa na krijoi ca telashe, por që u kapërcyen pa problem, morëm nga një vërejtje dhe aq. Kthimi ishte i rëndësishëm, kuptuam se ç’mund të kishim humbur dhe i kryem ato katër vite të akademisë dhe diplomimin me sukses. Dhe vitet kaluan pa u ndierë.. Artisti krijon dhe lë emrin përmes veprës së vet, si ato yje, që pasi shuhen, lënë pas dritën e vet, që rend me vite…

I tillë, prej një substance yjore arti ishte shpirti krijues i Kristaq Mitros, regjisorit të shumë filmave të suksesshëm, i cili, me talentin e tij të spikatur luajti një rol të veçantë në emancipimin e kinemasë shqiptare, duke sjellë të renë, në kuptimin estetik e profesional në artin e filmit, në brendi e në formën artistike, në imazh, kompozicion, në trajtimin me thjeshtësi dhe saktësi të fabulës, në përsosjen estetike të kuadrit, të ndriçimit dhe ç’është kryesore, të lojës së aktorit për një realizëm maksimal, me emocion e natyrshmëri para kamerës.

Kam arsye e motiv që në krye, të përmend dytre episode që më kanë lidhur pazgjidhshmërisht si aktor në rolin e Çerçizit, me Kriston dhe me Ibrahimin, në filmin tim të vetëm me ta por të paharrueshëm për mua dhe aq sinjifikativ, “Liri a vdekje”.

Në atë vit, ndodhi një ngjarje tronditëse në familjen tonë, im ungj, profesori i matematikës Konstandin Flloko u arrestua nga organet e diktaturës së bashku me të shoqen serbe me akuzën e sajuar si agjentë të zbulimit jugosllav. Ishte instalim absurd por ai u dënua me 20 vite dhe vdiq në burg. Unë nuk mund të luaja rolin e një heroi kombëtar për këtë arsye.

Absurditeti i asaj kohe ishte dominues dhe në art zhvillohej gjithashtu famëkeqja luftë e klasave. Ishin të dy regjisorët, të cilët ngulmuan në organet e larta asokohe që të më merrnin në rol dhe me durim ia dolën.

Kur mora lajmin se do ta luaja Çerçizin, ndjeva gëzimin më suprem në historinë e karrierës sime si artist. Mbijetesë, rikthim tek e drejta që dikur e ke pasur, por pa sens e humb… Dashuria e pamatshme prej shoku besnik, dëshira për ta shpëtuar tjetrin nga drama kur jo pak i largohen, ishin motivi i gjithë sa bënë ata dy kolegë për mua.

Kristaqi ishte shoku im i afërt e i pazëvendësueshëm, që jo vetëm më dhuroi një kryerol për të cilin unë bëra sa munda në të, me gjithë fuqitë e shpirtit dhe aftësive por më ruajti të pacenuar personalitetin si njeri e si artist. Në Gjirokastër, xhirimi i filmit u kthye në ngjarje për qytetin, më tepër se në filma të tjerë ku kisha luajtur, sepse, natyrshëm bëhej fjalë për heroin e vet legjendar.

Dëgjonim sa herë të këndohej kënga e Çerçizit nga grupe e individë pranë shesheve të xhirimit; u shkruan poezi e dedikata e u thurën dhe lavde madje e çfarënuk… Tek ecja në “Sheshin e Çerçizit”, dhe mua më bëhej ndonjëherë se isha vetë ai…(?!) Është i çuditshëm krijimi, ndjesia e identifikimit me rolin (me heroin e vërtetë, jo imagjinar..)

Sekreti, mjeshtëria dhe talenti i aktorit synojnë të përmbushin përfytyrimin e të tjerëve për heroin, siç e përfytyrojnë sipas legjendës, gojëdhënave e fakteve të hershëm rreth tij. Unë e adhurova Çerçizin mbi çdo personazh tjetër në filmat e mi edhe mbi dy heronjtë e tjerë realë që kam luajtur, Kajo Karafilin dhe Vasil Shanton.

Thuhet se dashuria e pakufi vret. Ia kisha frikën mosarritjes, jo dështimit të rëndomtë por trajtues më tepër dhe opinionit të ftohtë profesional, atij më të “keqit” siç më kishte thënë njëherë Bekim Fehmiu kur fliste për gjykimin e profesionistëve të llojit. Me Kriston bisedonim netëve vonë edhe ai ishte inkurajues sa ç’ishte edhe tejet kërkues e rrallëherë kënaqej, një profesionist ekzigjent.

Më thoshte: “Timo, sa më thjesht, mos më luaj asnjë grimë figurën, trimin, heroin por ti, vetja jote, natyrshëm, se madhështinë e ka vetë karakteri… sa më njeri”. Unë, sigurisht, i besoja edhe pse në ndonjë rast “ndesheshim”, sepse doja të shfaqesha më shpërthyes në rol, më egërshan si karakter e më dinamik. Ndoshta isha futur ne zonën e ëndrrës ku nuk je dhe aq i vetëdijshëm për çfarë ndien…

Një ditë kur xhironim në një nga kthesat gjarpërore që merr përpjetë Muzinës, një autobus me naftëtarë u ndal një kodër më sipër dhe si këndoi në kor këngën për Çerçizin, pa dhënë tjetër shenjë, si në një ritual, vazhdoi udhën e vet.

Njëherë, pa nisur ende xhirimet, shkuam në shtëpinë muze të Topullarëve, për të parë armët e Çerçizit, ku disa plaka më rrethuan befasisht sikur të mbinin nga askund. Unë isha veshur e makjuar si Çerçizi dhe po studioja me vëmendje pushkën e tij origjinale thuajse i humbur në të, ndjeva papritur, duar të më prekin e përkëdhelin pas shpine, duke thënë fjalët:

“Çarçiz i nënës, Çarçiz..” (Çarçiz, jo Çerçiz). Ende dhe sot, ai episod më duket ireal, sikur e kam parë në ëndërr, më tepër i pandodhur se i vërtetë. Vath Koreshi, skenaristi i filmit, shkrimtari ynë i mrekullueshëm dhe mik i paharruar, shkroi për këto dy episode në shtyp. Nga kujtimet me atë film, një gjë më ka mbetur peng.

Kisha dëgjuar një mori rrëfimesh e legjendash plot fantazi rreth Çeços, bëmave të tij. Më rrëfen një ditë, aty nga fundi i xhirimeve, një nga ato gratë e moshuara e zonja gjirokastrite se si një mëngjes në të gdhirë, pa zbardhur, Çerçizi, që bujtte herë-herë në shtëpi, pasi kalon një natë me gruan, çohet, vishet e mbathet për të ikur malit…

E ëma, Hasua, e ndal duke i thënë: “Ku vete Çerçiz?” Ai i përgjigjet, “Në mal”. “Prit të gdhijë”, i thotë Hasoja, “Në qoftë se e reja mbetet shtatzënë, qysh t’u them unë njerëzve… me kë..?”.

Çerçizi priti të gdhinte, doli qetëqetë, me kobure në brez, me duart bërë kryq pas shpine dhe mori serbes përpjetë Qafës së Pazarit, duke i ngurosur si ushtarët turq ashtu edhe sehirxhinjtë e rastit që e panë atë skenë dhe iku deri sa humbi nga sytë. Episod hipnotik, mendova i mrekulluar.

Renda t’ia tregoj Vathit, që ta shtonte në skenar për ta xhiruar me patjetër; Vathi e pëlqeu rrëfimin por e la në heshtje me një nënqeshje të ëmbël e të mençur përcjellëse… Kristaqi, kur ia tregova, e dëgjoi por pa ndonjë entuziazëm. Unë i them: “Është fantastike, Kiçi, si Zapata… (i referoheshim shpesh filmit “Rroftë Zapata”) Sfidë, e bën legjendë karakterin dhe i shkon përshtat figurës së Çerçizit!

Elia Kazani do ta kishte zili një episod të këtillë gjenial për Zapatën, është simbol, metaforë…”. “Shiko, Timo, ma kthen ftohtë Kristaqi, është i bukur vërtet, por filmi ynë ka tjetër karakter, dalim nga stili… Ta trajtojmë heroizmin në plan njerëzor”.

Më ra atë çast frymëzimi (ndoshta i pavend, por edhe sot kur e kujtoj më sjell po ato mbresa) dhe i dhashë regjisorit, tek i cili besoja shumë, të drejtë. Premiera u shfaq në fundvit dhe filmi u pëlqye. Mua më kishte ardhur si i mjegullt një mesazh, se në instancat lart ku e kishin parë filmin, kishin pritur që të shihnin një Çerçiz “më të gjallë”..

Ky fakt, ndoshta ndikoi në një farë mase qëndrimin e ftohtë të kritikës ndaj figurës së Çerçizit në shtypin e kohës. Por, arti ka një mënyrë funksionimi tjetër, atë të akumulimit në kohë, ku ajo që në momentin e dhënë nuk vlerësohet, pas një kohe çmohet, dhe se ndonjëherë, suksesi i përkohtë shuhet shpejt kurse ajo që nuk pritet me bujë, ndodh të rritet në përmasë. Kjo ka ndodhur edhe me Çerçizin, i cili lypte kohë, si t’i duhej edhe në art t’i merrte gjërat me beteja të fituara me luftë.

Pamja, ngjashmëria, kujdesi në filigran i Kristos për ta trajtuar Çerçizin jo vetëm si luftëtar por me një psikologji idealiste, me shpirt kristian në brendësi, si kult të njerëzores e më tej… të gjitha këto luajtën rolin e tyre që sot ai pëlqehet dhe identifikohet me Çerçizin real.

Në një takim, njëherë, intelektuali i Kosovës Veton Surroi, më tha: “A din një të veçantë… Adem Jashari e mbante mbi krye të shtratit të vet, portretin tënd në rolin e Çerçiz Topullit”. Çfarë tjetër për Çerçizin, atë hero për të cilin çdo aktor do të ndihej fatlum e krenar ta mishëronte në ekran, të shndërrohej artistikisht në të? Lus të më kuptojë lexuesi, unë adhuroj Çerçizin më tepër se veten në të! Kristaq Mitro realizoi filma të suksesshëm, që nga “Nusja e shtetrrethimi”, “Dimri i fundit”, “Duaje emrin tënd”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, etj.

Ai ishte së bashku me Ibrahimin (parimisht s’mund të ndahen..) zbulues i disa talenteve të reja, që luajtën me sukses për herë të parë në film dhe bënë emër si Rajmonda Bulku, Eva Alikaj, Kastriot Çaushi, Elvira Diamanti, Ema Andrea. Dhe për paradoks, në vitet më pas, bordi i kinemasë, siç citon dhe filozofi Përparim Kabo në fjalën e lamtumirës së përcjelljes, “burokratët dhe ziliqarët..”, ia refuzuan dhe nuk ia pranuan dy skenarë për film, të punuar me kujdesin dhe skrupulozitetin e tij si profesionist i nivelit të epërm.

Paradoks i pashembullt, miopi, paaftësi e mosdashësi pse jo dhe ligësi… Dhe në morinë e krijimeve pa lënë gjurmë më e mundshme është që të kemi humbur një film të mrekullueshëm në mundësi, nga dora e mendja e një artisti si ai, në një kohë e hapësirë lirie krijuese, në të cilën ai s’provoi të bëjë “çak”… të thërrasë: “kamera”..!

Por, Kristaq Mitro la veten, shembullin e artistit të vërtetë, la stilin e veçantë, dijet, delikatesën artistike, finesën në çdo ind te studentët e tij, të cilët ecin në udhët e artit, në thellësi të mistereve të profesionit, ku i udhëhoqi si një guru ai. Kristo e donte jetën, familjen, Elianën, vajzat, dhe dashurinë për to e kishte të shenjtë deri në fe. Miqtë i çmonte dhe ishte i ngrohtë e dashamirës me ta në çdo rast.

Zemërohej ndaj padrejtësive dhe kurthet pas shpine. S’kishte armiq veç vdekjes tinëzare që ia ndali kohën. Më vjen ngaherë në mend e veçmas kur na ikin shokët, një shprehje, që më tha Niko Kanxheri teksa flisnim për fenomenin e vdekjes: “Ka hyrë sharra në pyllin tonë”.

Homazh i përmortshëm, me një “ledwall” në hollin e Universitetit të Arteve, familja, miq, kolegë, të ardhur nga larg…. Shoh mes njerëzve pesë shokë të kursit dhe kujtoj në atë heshtje mortore, kohën kur hynim vrullshëm nëpër auditorë.. dhe më bëhet sikur i dëgjoj si gumëzhijnë ato zëra..

Në banesën e fundit, mes asaj morie njerëzish që e përcjellin, shoh portretin e ngurosur nga dhembja të Mevlanit, njërit prej ne të treve, dalë në këtë foto të shkollës, të fotografuar nga Sajmir Kumbaro, foto si në film.. Kristo, Mevlani dhe unë. Ai hedh një grusht dhe mbi varr dhe mua më lidhen kohët, nga nisja në “finish”…

Vitet ikin. Si një film mbaron gjithë jeta. Për homazh, si për ta përjetësuar, më vjen në mend vargu i një poezie që kam shkruar dikur, që më shfaqet si epilog i këtij kumti, si një rekuiem për të paharruarin Kristo, shokun tim të gjithëkohshëm… “…me vite dritë lë pas një yll dhe po u fik”- përfundon Flloko.

 

Po ndodh...