Bylisi në nevojë kritike për pikë, rikthim “fati” para Vllaznisë

28 Nëntor 2024, 16:15 / SPORT ALFA PRESS

Bylisi në nevojë kritike për pikë, rikthim
Bylisi në seancën e djeshme ka punuar me grup dhe ngarkesë të plotë në prag të duelit të së premtes me Vllazninë. Madje skuadra është grumbulluar që në fillim të javës, ndryshe nga prag-sfidat e tjera kur grumbullimi është bërë 24 orë apo dhe dy ditë para ndeshjes respektive.

Laert Papa duket se është në pikëpyetje dhe ende duhet kohë për një përgjigje përfundimtare rreth formës së tij nëse do të jetë apo jo gati ndaj Vllaznisë. Pjesa tjetër e skuadrës janë gati, madje edhe Felipe Souza është duke kapur formën optimale. Ai është stërvitur me ngarkesa të plota me pjesën tjetër të skuadrës. Ballshiotët javë pas jave kanë ndërlikuar pozitat, ndërsa në analizën e zhvilluar me stafin teknik skuadrës i është kërkuar të rrisë impenjimin dhe të jenë më të përgjegjshëm në fushë.

Drejtuesit gjithashtu i kanë shprehur besim maksimal stafit dhe ekipit. Ballshiotët i besojnë historisë në duelet me Vllazninë në Ballsh, pasi i kanë mposhtur herë pas here, sidomos në momentet kur kanë pasur nevojë kritike për pikë. Fitorja e fundit daton para dy viteve dhe autori i këtij triumfi është Felipe Souza, i kthyer së fundmi nga dëmtimi dhe “i uritur” për tu kthyer të bëjë diferencën.

Nevoja për pikë dhe ngutja për rezultat pozitiv, duket se ka bërë që ballshiotët të mobilizohen e madje me Egnatian u pa një lojë ndryshe, më agresive dhe me sulme të shpejta. Por goli është ai që mungon dhe është kthyer në “makth” javët e fundit në “Adush Muçaj”. Situata mbetet e zymtë me pikët, ndaj edhe në Ballsh, i kanë si finale sfidat e mbetura të 2024-ës në Superiore.

Po ndodh...