Disiplina/ Flamurtari denoncoi Pregjën, i pezullohet trajneri! Gjoba për Tiranën dhe Partizanin

20 Shkurt 2024, 18:20 / SPORT ALFA PRESS

Disiplina/ Flamurtari denoncoi Pregjën, i pezullohet trajneri! Gjoba

Klubi i Flamurtarit denoncoi pak ditë më vëzhguesin e FSHF-së, Bujar Pregja, për ndeshjen e fundit me Korabin në shtëpi.

Kjo gjë duket se ka bërë që FSHF të hakmerret ndaj klubit vlonjat.

Sipas vendimeve të fundit të dala nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së, është vendosur që trajneri i kuqezinjve vlonjatë, Eqerem Memushaj të dënohet me 6 ndeshje pezullim, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Nuk kanë munguar as gjobat për Partizanin e Tiranën për sjelljen e gabuar të tifozëve në derbi, duke u dënuar me 100 mijë lekë, së bashku me Laçin. Ndërsa zv. trajneri i Vllaznisë, Bashkim Livareka është dënuar me dy ndeshje pezullim pas kartonit të kuq që mori për protesta në ndeshjen me Egnatian.

FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, në bazë të neneve 17/1, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c, 17/2/f dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i KF Vllaznia, Bashkim Livareka, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

KF Laçi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të lojtarëve në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

Zyrtari i KF Kukësi, Qemal Koci, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njeqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Zyrtari i Flamurtari FC, Eqerem Memushaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/i të KDE dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.

 

Po ndodh...