Juventusi ndalet 2-2 nga Fioretina, Milani barazon 1-1 ndaj Romës! Napoli fitore me shije kreu

29 Dhjetor 2024, 23:29 / SPORT ALFA PRESS

Juventusi ndalet 2-2 nga Fioretina, Milani barazon 1-1 ndaj Romës! Napoli

Serie A e futbollit në Itali vijoi këtë të diel me ditën e dytë të ndeshjeve për raundin e 18-të. Gjithçka nisi me barazimin 2-2 mes Udineses dhe Torinos, ndërsa vijoi me fitoren e Napolit. Juventusi u ndal 2-2 nga Fiorentina. Mbrëmja rezervoi sfidën mes Milanit dhe Romës, e mbyllur 1-1.

Në "Maradona" skuadra e Napolit fitoi me vështirësi 1-0 kundër Venezias. Djemtë e Antonio Contes e patën të vështirë të dilnin te goli. Ndeshja nisi më mirë për Napolin që pa përpara drejt sulmit. Në minutën e 37-të Lukaku gaboi penalltinë dhe ekipi u fut në një ngërç nga i cili do dilte në minutën e 79-të. Një aksion i gjatë bëri që topi të mbetej në zonë dhe Raspadori me të majtën ta ndalte në rrjetë. Me këtë sukses Napoli kthehet i dyti në renditje me 41 pikë dhe lë pas Interin. Po aq pikë kanë edhe kryesuesit e Atalantës (41).

Milan dhe Roma barazuan 1-1 në "San Siro". Përballja e kësaj të diele ishte me emocione, raste dhe dy gola. Duket se ky barazim e largon Paulo Fonsecan nga Milani, me mediet në Itali që bëjnë me dije se kuqezinjtë kanë një akord me ish-trajnerin e Portos, portugezin Sérgio Conceição.

Sa i takon ndeshjes ishte Reijnders që kaloi Milanin në epërsi pas 16 minutave lojë, para se Dybala të barazonte shifrat po në pjesën e parë me një perlë. Me 27 pikë Milani mban vendin e tetë, ndërsa Roma me 20 pikë në vendin e dhjetë.

Juventus zhgënjen sërish në shtëpi dhe barazon 2-2 kundër Fiorentinës. Në një ndeshje me shumë emocione deri në fund, heroi i takimit ishte David de Gea, portieri i miqve.

Ndeshja u zhbllokua nga Kephren Thuram në minutën e 20-të për vendasit, para se një ish si Kean të barazonte dhe të mbyllte pjesën e parë në ekuilibër. Me nisjen e së dytës sërish Thuram kaloi "Zonjën" në avantazh me dopietën e parë në karrierë.

Paçka rasteve dhe lojës së mirë, Juventusi u barazua në minutën e 87-të nga perla e Sottil. Në tre ndeshjet e fundit në Torino ekipi i Juventusit ka tre barazime 2-2, kundër Bolognas, Venezias dhe tanimë Fiores.

Në "Friuli" Udinese dhe Torino dhuruan spektakël dhe barazuan 2-2. Pjesa e parë nuk prodhoi shumë, mirëpo vendasit shënuan me Toure në minutën e 41-të. Me nisjen e së dytës ishte Lucca që dyfishoi për Udinen, por vendasit nuk ia dolën të mbanin epërsinë e dy golave. Torino reagoi shpejt dhe barazoi me Adams dhe Ricci në minutat 53 dhe 64. Udinese me 24 pikë mban vendin e nëntë, ndërsa Torino me 20 pikë pozicionohet e dhjeta.

 



Po ndodh...