Kriza e Mançester Sitit, Guardiola: Gaboheni, unë po e shijoj luftën për vendin e katërt

15 Mars 2025, 13:35 / SPORT ALFA PRESS

Kriza e Mançester Sitit, Guardiola: Gaboheni, unë po e shijoj

Pep Guardiola thotë se po e shijon luftën e madhe për të arritur në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Trajneri i Mançester Sitit i ka identifikuar kundërshtarët e kësaj fundjave, Brajtonin, si edhe Bornmëthin, Aston Vilën, Njukasëllin dhe Fulhamin, si rivalë në garën për të hyrë në kompeticionin elitar evropian në sezonin 2025-‘26.Dhe katalanasi tha në konferencën e së premtes se ai do ta shihte kualifikimin si një sukses të madh me mënyrën se si ka luajtur Siti këtë sezon. Duke qenë se “Pulëbardhat” janë pretendentë për zonën Champions, ai u tha mediave: “Edhe Bornmëthi, Aston Vila, Njukasëlli, ndoshta Fulhami do të jenë atje. Janë skuadra fantastike, ndaj nuk është befasi. Mendoj se ata e meritojnë të jenë atje, ata janë vërtet të fortë dhe të qëndrueshëm dhe kanë armë të jashtëzakonshme në mënyrën se si luajnë. Është një luftë e madhe dhe jo një zhgënjim të jesh këtu, është një sfidë në atë që nëse jemi në gjendje ta arrijmë këtë dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampioneve, do të ishte një sukses i madh nga këndvështrimi im. Për shumë gjëra që kanë ndodhur, do të ishte një sukses i madh. Unë nuk e mendoj ‘oh ne po luajmë për këtë’, është krejtësisht e kundërta.

Është në duart tona, varet nga ne. Nuk duhet të rikuperojmë tetë apo dhjetë pikë për të shkuar atje dhe të presim që kundërshtari të humbasë shumë ndeshje. Varet vetëm nga ne dhe varet nga sjelljet dhe futbolli ynë nëse do të jemi atje apo jo. Duhet të arrijmë nivelin më të mirë për t’u kualifikuar në Evropë sezonin e ardhshëm. E dimë që kemi 10 ndeshje të mbetura, gjashtë në shtëpi dhe katër jashtë dhe në shtëpi kemi ndeshje të vështira si Brajtoni, Aston Vila, Bornmëthi. Shumica e ndeshjeve janë vërtet të vështira”.