“Cënon lirinë e shtypit”/ Organizatat kritikojnë Prokurorinë e Tiranës për urdhrin e censurës

23 Shtator 2022, 12:23 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Cënon lirinë e shtypit”/ Organizatat kritikojnë

Tetë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias kritikuan ashpër një urdhër të prokurorëve të Tiranës, të cilët synuan të bllokojnë publikimin e dokumenteve të rrjedhura nga emaili i ish-drejtorit të policisë Gledis Nano, duke paralajmëruar se një urdhër i tillë cënon lirinë e medias. Organizatat i bënë thirrje prokurorisë të mos ndërmarrin sanksione penale ndaj gazetarëve apo mediave ndërsa pranuan se brenda dokumenteve të rrjedhura gjenden materiale sensitive, të cilat duhet të trajtohen me përgjegjësi nga media.

Dokumentet në fjalë, disa mijëra që duket se janë shkarkuar nga emaili zyrtar i ish-shefit të policisë, u publikuan në rrjet nga një grup hakerësh që besohet gjerësisht se punojnë për qeverinë e Iranit dhe që kanë sulmuar infrastrukturën e shërbimeve online të qeverisë shqiptare përgjatë muajve të fundit. Prokurorët besojnë se të gjitha dokumentet e rrjedhura duhet automatikisht të klasifikohen si sekret hetimor dhe të ndalohen së publikuari, një vendim ky që ka ngritur pikëpyetje për vlefshmërinë ligjore dhe për prakticitetin.

Por ndërsa prokurorët kanë këtë mendim, kryeministri Edi Rama u përpoq të zhvlerësojë problemin e krijuar nga rrjedhja duke deklaruar në emisionin Opinion të enjten në mbrëmje se dokumentet në fjalë janë “komunikime josekrete”.

Gjithsesi, një analizë e dokumenteve të rrjedhura, sugjeron se ndryshe nga sa deklaron kryeministri, ka me të vërtetë informacion që bie në kategorinë e sekretit hetimor. Shumica e dokumenteve janë raporte ditore të cilat zyrtarët e policisë ia kanë dërguar drejtuesit të tyre dhe në shumë nga këto raporte, ka shënime që ndalojnë publikimin për efekt të sekretit hetimor. Në më shumë se një rast, shënimi thotë se materjali nuk duhet të publikohet në media për shkak se çështja po hetohet me metoda speciale. Materjali në fjalë gjithsesi mund të jetë i vjetër dhe si i tillë, mund të ketë humbur vlerën si sekret hetimor por mes dy qëndrimeve, ai i prokurorëve që shpall çdo gjë sekret, dhe ai i kryeministrit, që shpall çdo gjë si josekret, duket se ka një distancë të madhe.

Organizatat ndërkombëtare, të cilat janë: ARTICLE 19 Europe, Balkan Free Media Initiative, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), International Press Institute (IPI), Safe Journalists Netëork dhe Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), nxitën median shqiptare nga njëra anë që të tregojë përgjegjësi në menaxhimin e këtij informacioni dhe prokurorinë që të mos ndërmarrë masa represive ndaj gazetarëve apo mediave.

“Ne theksojmë se asnjë gazetar apo media nuk duhet të përballet me sanksione penale për publikimin e informacionit në interes publik,” shkruhet në deklaratën e organizatave.

“Ndërsa organizatat tona e pranojnë natyrën sensitive të dokumenteve të rrjedhura dhe nxisin të gjtihë median në Shqipëri që ta trajtojë këtë material në mënyrë etike dhe me përgjegjësi, është me rëndësi thelbësore që autoritetet shqiptare të veprojnë me kujdes dhe të marrin parasysh në mënyrë të plotë lirinë gazetareske të mbrojtur si nën ligjin vendës ashtu edhe nën ligjin ndërkombëtar,” vijon më tej letra.

Organizatat vënë në dukje rëndësinë që ka mbrojtja e jetës private të qytetarëve nga media apo çështje të sigurisë kombëtare, por vërejnë gjtihashtu se media dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen për çështje me interes publik që mund të gjenden në këto dokumente.

“Reagimi i Zyrës së Prokurorisë së Tiranës dhe tentativa për të bllokuar në mënyrë të njëanshme të gjithë raportimin mbi materjalet e rrjedhura, pa marrë parasysh interesin e mundshëm publik, ngre shqetësime kyçe mbi shkelje të pajustifikueshme të lirisë së shtypit, e cila sakaq është shqetësim në Shqipëri,” shkruajnë organizatat.

Prokuroria nuk ka ndërmarrë masa represive deri më tani ndërsa një pjesë e medias ka lënë të kuptohet se do ta injorojë urdhrin e ndalimit si të pabazë. AKEP dhe AMA, dy institucione të cilat, sipas prokurorisë, duhet të bllokojnë materjalet e rrjedhura nga qarkullimi në rrjet apo nga publikimi në media, duket se nuk kanë fuqinë ligjore për ta bërë diçka të tillë./Reporter.al

 

Po ndodh...