
Censurë apo mbrojtje e rinisë? Si e interpretojnë mediat e huaja mbylljen e TikTok

Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të mbyllur TikTok-un ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat e kanë trajtuar nga këndvështrime të ndryshme. Reuters, Euractiv dhe AFP kanë raportuar mbi këtë zhvillim, duke ngritur pyetjen, nëse ky është një veprim i nevojshëm për të mbrojtur të rinjtë apo një akt censure për t’i mbyllur gojën kritikëve në një vit zgjedhor.
TikTok, viktima e parë në Europë për një bllokimi total
Sipas Euractiv, Shqipëria bëhet “vendi i parë europian që ndalon TikTok-un në shkallë kombëtare” dhe “i dyti në botën perëndimore pas ndalimit të menjëhershëm nga SHBA në janar”. Vendimi është zbatuar përmes urdhrit personal të Edi Ramës dhe po zbatohet nga rregullatorët kombëtarë të telekomunikacionit dhe sigurisë kibernetike, të cilët kanë kërkuar nga operatorët “bllokimin e adresave unike të internetit të TikTok dhe protokolleve të tij të identifikimit”.
Qeveria ka justifikuar ndalimin me argumentin e nxitjes së dhunës mes të rinjve siç ishte rasti i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, dhunë që sipas saj u promovua nga platformat sociale. Por TikTok ka kundërshtuar këtë pretendim, duke deklaruar për Reuters se “videoja që çoi në incidentin e dhunshëm (vrasjen e një 14-vjeçari) ishte postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok”.
A është ndalimi i TikTok censurë?
Sipas Reuters, ndalimi i TikTok është pritur me kundërshti nga Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë (AJA), e cila paralajmëron padi në Gjykatën Kushtetuese. “Ne kemi frikë se, në të njëjtën mënyrë, qeveria mund të mbyllë edhe rrjete të tjera sociale dhe një ditë të ndalojë tërësisht internetin”, deklaron Isa Myzyraj, kreu i AJA-s.
Ndërkohë, opozita e ka cilësuar vendimin si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të heshtur kundërshtarët politikë, duke qenë se TikTok ka qenë një mjet i rëndësishëm për qytetarët dhe aktivistët për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Reuters raporton se Partia Demokratike ka paralajmëruar protesta kundër ndalimit të rrjetit social.
Në të njëjtën linjë, AFP nënvizon faktin se “zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në Maj, duke ngritur dyshime për kohën kur u mor ky vendim“, pasi normalisht kjo periudhë është shumë e rëndësishme për opozitën, që ka nevojë për platforma alternative për të komunikuar me votuesit.
Një trend global apo një akt i izoluar?
Mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri nuk është një rast i veçuar. AFP thekson se “vende të tjera mund të ndjekin të njëjtën rrugë”, duke përmendur Rumaninë, ku autoritetet kanë kërkuar që aplikacioni të ndalohet pas kaosit që përfshiu zgjedhjet e fundit presidenciale, të cilat u fituan nga një kandidat pro Rusisë që u pati një mbështetje të fuqishme nga sponsorizimet në TikTok.
Përmendet edhe rasti i Indisë, e cila e ndaloi TikTok-un në 2020 për arsye të “sigurisë kombëtare”, dhe Australinë, që në 2024 ndaloi “aksesin në të gjitha rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç”.
Ndërkohë, Euractiv vëren se disa shtete, përfshirë Francën, kanë ndërmarrë ndalime të përkohshme, siç ndodhi në Kalendoni e Re, një koloni e Francës, ku TikTok u bllokua për dy javë në maj 2024 për të frenuar trazirat gjatë një gjendjeje emergjence.
Në Europë, Komisioni Europian dhe disa shtete anëtare e kanë ndaluar TikTok-un vetëm në pajisjet qeveritare, për shkak të shqetësimeve mbi privatësinë dhe lidhjet e ByteDance me qeverinë kineze. Por Shqipëria është vendi i parë që shkon përtej kësaj mase, duke e ndaluar aplikacionin për gjithë popullsinë.
Çfarë do të ndodhë tani?
Në raportin e saj, Euractiv sugjeron se “shumë shqiptarë mund të përdorin VPN për të anashkaluar ndalimin”, ashtu siç ndodhi në SHBA gjatë ndalimit të përkohshëm atje. Ata gjithashtu mund të kalojnë në platforma alternative, si Xiaohongshu (RedNote), një aplikacion i ngjashëm kinez, që është përdorur si zëvendësues nga amerikanët pas ndalimit të TikTok-ut atje.
Për momentin, qeveria shqiptare ka urdhëruar ofruesit e internetit të konfirmojnë me shkrim se kanë zbatuar ndalimin. Reuters citon një zyrtar të qeverisë që konfirmon se “pasi të mbyllet plotësisht në ëeb, ndalimi do të shtrihet edhe tek aplikacioni”.
Censurë apo mbrojtje e rinisë?
Vendimi i qeverisë shqiptare për të ndaluar TikTok-un është parë nga disa si një masë e nevojshme për të mbrojtur të rinjtë, ndërsa nga të tjerë si një hap drejt kufizimit të lirisë së shprehjes. Mediat ndërkombëtare vënë në dukje faktin se ndalimi vjen dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, pra në një moment politik delikat, gjë që ngre dyshime për motivet e tij reale.
Sipas AFP, “TikTok ka rreth 1.5 milion përdorues në Shqipëri”, dhe ndalimi i tij do të ketë një ndikim të madh në mënyrën se si shqiptarët komunikojnë dhe konsumojnë përmbajtje online. Nëse shqiptarët do të reagojnë kundër vendimit të Ramës për të mbyllur këtë rrjet social, do të shihet nga numrat në protestën që ka thirrur opozita.
Megjithatë nuk është çudi që edhe ky kufizim të përcillet me letargjinë e zakonshme që ka kapluar shoqërinë tonë, sa herë vjen puna tek liritë dhe të drejtat e njeriut. Me besimin që shqiptarët kanë tek qëllimet e qeverisë dhe të kryeministrit, nuk është për t’u habitur që një ditë të mësojnë se si ka rënë edhe serveri i Google… por vetëm për Shqipërinë./ Lapsi.al

Pse Aleanca Madhështore përfundoi në Foltore 2
ide


Teatri politik me listat e PS dhe PD

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit Madhështorë!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128