Detaje të reja nga vrasja e Edoardo Sarchit në Tepelenë/ Italiani u varros në Tufinë, gruaja e tij ortake në biznesin ‘Salaria Gaz’ të Gazmend Braçit

29 Shtator 2025, 11:56 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje të reja nga vrasja e Edoardo Sarchit në Tepelenë/ Italiani

Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës, vijon të mbetet e mbushur me mister, ndërsa ende autoritet nuk kanë dhënë asnjë detaj nga rezultatet e autopsisë se me çfarë u shkaktua plaga në këmbë që i mori jetën. Por, gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka arritur të mësojë përmes burimeve se sipas rezultatit të autopsisë italiani është qëlluar me një plumb në këmbën e djathtë, plagë e shkaktuar nga një armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes u gjetën vetëm dy çifte, por rezulton se plaga në këmbën e italianit nuk është shkaktuar nga të shtënat me çifte. Arma me të cilën u qëllua italiani nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. 

Italianit Sarchi i është dhënë lamtumira një ditë më parë në një ceremoni mortore në Tufinë. Prej 20 vitesh ai ishte vendosur në vendin tonë dhe ishte i martuar me një grua shqiptare nga Fushë-Kruja, me të cilën kishte edhe dy fëmijë.

Ceremonia mortore ka qenë private dhe shumë kushërinj të italianit nuk kanë mundur të mbërrijnë për të marrë pjesë, ashtu siç tregoi edhe kushëriri i tij Riccardo Barbieri në një intervistë për La Repubblica. Madje, në ceremoninë mortore nuk mundi të marrë pjesë as motra e italianit Sarchi.

Dinamika e vrasjes së Sarchit është ende e paqartë dhe se nga çfarë distance është qëlluar. Ndërkohë që 4 personat e shoqëruar u lanë të lirë më 27 shtator, në të njëjtën ditë që Sarchi u gjet i pajetë në rrugë në fshatin Salari të Tepelenës. Të katërt, Eqrem Braçi me dy djemtë, Gazmend dhe Daniel, dhe bariu kanë dhënë dëshmi kontradiktore.

Eqerem Braçi dhe djemtë e tij pretendojnë se janë sulmuar me armë nga një person misterioz, në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë, aty ku është skena e krimit. Sulmi me armë sipas tyre ka qenë i papritur. Të shoqëruarit kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar. Edhe bariu ka deklaruar se dëgjoi 3 të shtëna me armë. Por, Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.

Dyshohet se Sarchi kishte dalë për gjah mesnatën e 27 shtatorit, kur u gjet i pajetë mes fshatit Salari dhe Nivicë, në një prej akseve që përshkojnë Tepelenën. 

Gjithashtu është zbuluar lidhja e ortakërisë mes biznesmenit italian Edoardo Sarchi që u vra më 27 shtator në Tepelenë, me familjen Braçi. Bashkëshortja e Sarchit, Majlinda Taga ka 50% të aksioneve në biznesin Salaria Gaz, ndërsa 50% të aksioneve i ka Gazmend Braçi, djali i Eqerem Braçit. Të dy , bashkë me djalin tjetër, Daniel, e kishin ftuar italianin në shtëpinë e tyre në Salari të Tepelenës dhe dyshohet se kishin dalë për gjah mesnatën e 27 shtatorit, kur italiani u gjet i pajetë në rrugë.

Majlinda Taga rezulton edhe financiere në fabrikën "Tegola Edilcentro", e cila prej 2023 administrohet nga Sarchi. Mësohet se Taga ia ka blerë Braçit 5% të aksioneve në vitin 2024, pra një vit më parë, me një vlerë prej 500 euro.

 

Po ndodh...