Dita e Verës/ Tirana feston me koncerte dhe aktivitete të ndryshme

14 Mars 2023, 07:33 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Dita e Verës/ Tirana feston me koncerte dhe aktivitete të ndryshme

Sot në Shqipëri kremtohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Kryeqendra e kësaj feste është Elbasani, ndërsa shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.

Një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Festimet në Tiranë:

Do të jenë 100, aktivitetet e zhvilluara me rastin e festës së Ditës së Verës në Tiranë, ku 14 marsi do të shohë të mbushur zonat nga sheshi “Skënderbej”, deri në atë “Nënë Tereza”.

Me një agjendë voluminoze kulturore, sportive, edukimi, kulinarie por edhe teknologjie, Tirana do t’i ofrojë kështu të gjithëve një mundësi argëtimi me rastin e Ditës së Verës.

Ka qenë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ai i cili i ka publikuar edhe ngjarjet që do të prekin kryeqytetin.

Me fillim në orën 09:00, do të marrin jetë disa aktivitete në pjesë të ndryshme të Tiranës, ku kryesisht zona e sheshit “Nënë Tereza” do të jetë e mbushur me ngjarje sportive.

Të gjithë sportet, që nga ato më të luajturit si futbolli e basketbolli, e deri te mundja, xhudo apo edhe poligon, do t’i japin mundësi fëmijëve dhe adoleshentëve të argëtohen.

Një kënd i veçantë do të jetë i ruajtur edhe për ata, të cilët janë të apasionuar pas lojërave elektronike.

Në zonën e Piramidës së Tiranës, gjithçka do të flasë për teknologjinë dhe kulturën, me organizime të ndryshme lidhur me letërsinë, botën kompjuterike dhe laboratorët.

Sheshi “Skënderbej” do të shohë koncerte të ndryshme, që prej atyre folklorikë, te muzika e lehtë e deri tek ajo elektronike.

Sërish sport do të ketë në zonën e parkut të madh të liqenit artificial, me organizime të ndryshme të klasave sportive dhe kompeticione.

Parku “Europa” do të shohë nga ana tjetër organizime lidhur me artin, ku do të ketë ekspozita, kurse pikture dhe animatorë për më të vegjlit.

Koncertet festive do të zënë vend në parkun e madh të liqenit me fillim prej orës 16:45, deri në orën 19:00, me larmishmëri zhanresh muzikore dhe artistësh të ftuar.

Përballë Kryeministrisë, do të ketë ndërkaq një ekspozitë me makina të Ushtrisë shqiptare, ato të vjetra, si edhe do të ketë kënde për ndërgjegjësimin e sigurisë rrugore.

Ndërkaq, përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, që prej orës 09:00, do të ketë panaire artizanale, kënde gatimi, si edhe spektakël nga artistët e Cirkut Kombëtar dhe ata të Teatrit të Kukullave.