Durrës/ Banorët në protestë: S’ka siguri! Nxënësit në rrezik nga aksidentet

21 Mars 2025, 20:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

Durrës/ Banorët në protestë: S’ka siguri!

Banorët e zonës së Shkallnurit në Durrës protestuan mëngjesin e së premtes për mungesën e infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës, duke shprehur shqetësimin e tyre për rrezikun që kjo situatë paraqet, veçanërisht për nxënësit që ndjekin mësimet në shkollën e zonës.

Sipas tyre, mungesa e sinjalistikës dhe e infrastrukturës ka shkaktuar pasoja tragjike, pasi vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit janë aksidentuar katër të mitur, dy prej të cilëve kanë humbur jetën.

“Kemi dalë të protestojmë pasi kemi bërë ankesa të shumta edhe në Bashki, por asnjë institucion nuk ka marrë masa. Rrugën e kemi shtruar me mjete private. Nxënësit kanë vështirësi të kalojnë, sidomos kur janë poshtë. Rruga kryesore, e shihni edhe vetë, nuk ka as vija të bardha, as sinjalistikë paralajmëruese për shkollën. Mbikalimi nuk funksionon fare. Ne, për 30 vjet, kemi investuar vetë për çdo gjë. Shteti nuk na ka konsideruar si qytetarë të këtij vendi. Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin masa. Ka ndodhur 3-4 aksidente, por as policia nuk ka ndërmarrë veprime për të mbrojtur nxënësit”, thotë një nga banorët e zonës.

“Kjo rruga jonë, që ka 35 vite që është këtu, çdo gjë është realizuar me mundin dhe djersën e banorëve. Shkolla për fëmijët është e rrezikshme, ata nuk kanë ku të kalojnë për shkak të trafikut të makinave. Po ashtu, ambulancat nuk mund të kalojnë lehtësisht në raste urgjente”, thotë një nga protestuesit.

“Dy fëmijë të familjes tonë kanë humbur jetën nga aksidentet. Vjet, para 6 muajsh, një vajzë 10-vjeçare ka humbur jetën në një aksident para shkollës”, shprehet një tjetër nga banorët.

Protestuesit kërkojnë nga autoritetet vendore që të ndërmarrin masa urgjente për vendosjen e sinjalistikës dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për komunitetin.

Ata paralajmëruan se nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet, do të vijojnë protestat deri në gjetjen e një zgjidhjeje.