Emra/ Dy studentet humbin jetën në aksidentin e rëndë në qytetin shqiptar

14 Mars 2025, 19:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

Emra/ Dy studentet humbin jetën në aksidentin e rëndë

Dy vajza, 23 vjeçe dhe 20 vjeçe, kanë humbur jetën sot në Kosovë pas lëndimeve të marra në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi rreth orës 10:00.

Aksidenti ka ndodhur në një rrugë të rajonit të Gjilanit dhe ka përfshirë një kamion dhe një automjet tjetër, ku shoferi i kamionit është ndaluar nga policia, ndërsa një pasagjere e veturës së përfshirë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Dy vajzat që ndërruan jetë janë Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi të cilat ishin studente në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë me dije se hetimet janë në zhvillim e sipër. Sipas tij, hetimet e kryera nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimi i vendit të ngjarjes, analiza e kamerave të sigurisë dhe mbledhja e provave të tjera kanë çuar në dyshimin se aksidenti nuk ka qenë një vetaksident, por një aksident trafiku i shkaktuar nga manovrat e papërshtatshme të drejtuesit të kamionit.

“Drejtuesi i kamionit, mashkull kosovar i lindur në vitin 1970, dyshohet se ka bërë një kthim të pasigurt, duke penguar një automjet që ishte në tejkalim. Si pasojë e kësaj, drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe ka tentuar të shmangë goditjen me kamionin, duke u rrokullisur jashtë rrugës,” tha Hashani.

Policia dhe autoritetet e tjera përkatëse po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit, ndërsa ngushëllime për humbjen e jetëve të rinjve janë shprehur nga komuniteti dhe familjarët.

 

Po ndodh...