ILD kërkon shkarkimin e kryeprokurorit të Sarandës, i cili po hetohet nga SPAK

28 Shkurt 2025, 17:31 / AKTUALITET ALFA PRESS

ILD kërkon shkarkimin e kryeprokurorit të Sarandës, i cili po

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) largimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, dhe uljen e pagës në masën 40% për një periudhë 1 vjeçare.

Ndaj tij kishte nisur një hetim disiplinor lidhur me mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligj në cilësinë e drejtuesit, si dhe me shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë.

Në përfundim të hetimit, ILD ka dalë në konkluzionin se  sjellja dhe veprimet e prokurorit Kledian Llaho përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore”.

Raportohte se nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka rezultuar se:

• Veprimet e mosveprimet e drejtuesit K.Ll., përbëjnë mospërmbushje, në cilësinë e drejtuesit, të detyrimeve të përcaktuara në ligj, në vecanti e detyrave që lidhen me sistemin e menaxhimit të çështjeve, në referim të nenit 102 pika 1 shkronja “l” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.
• Prokurori ka shkelje të përsëritura të rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë, në referim të nenit neni 102 pika 2 shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.
• Shkelja disiplinore është kryer me dashje direkte dhe ndikimi negativ i saj mund të shtrihet në zyrën e prokurorisë në tërësi, duke përbërë rrezik për përsëritje ngjarjesh, që ulin imazhin e zyrës së prokuroris.

ILD ka kryer edhe më herët një hetim disiplinor ndaj prokurorit Kledian Llaho, lidhur me zvarritje të hetimeve në një çështje dhe moszbatim të detyrave të lëna nga gjykata. Edhe në atë kohë, ILD pretendoi se Llaho kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkoi t’i caktohej masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë 1-vjeçare, por KLP vendosi t’i japë vërejtje publike.

Prokurori Kledian Llaho është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Ai aktualisht është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Kledian Llaho u konfirmua me shumicë votash më 22 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij për balancën negative dhe gjetjet në kriterin e figurës dhe pasurisë, u gjetën bindëse nga shumica e trupës së KPK.

Vendimi i KPK u ankimua pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin me argumentin se ai nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Çështja e Llahos nuk është shqyrtuar ende në KPA.

 

Po ndodh...