Komisioni i Jashtëm i PE-së seancë për Shqipërinë, eurodeputeti: Hetimet për zv.kryeministren të vazhdojnë pa ndërhyrje. McAlister: Protestat e dhunshme, të papranueshme

26 Shkurt 2026, 15:13 / AKTUALITET ALFA PRESS

Komisioni i Jashtëm i PE-së seancë për Shqipërinë,

Është shoqëruar me debate prezantimi i draft-raportit mbi progresin e Shqipërisë drejt BE-së në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Kreu i komisionit, eurodeputeti i djathtë gjerman David McAllister, nënvizoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë në drejtim të anëtarësim.

Procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë, me ndryshime konkrete dhe implementim të ligjeve, por nuk kurseu ndërkohë as protestat e opozitës, të cilat i cilësoi si të dhunshme dhe të papranueshme për një vend demokratik.

David McAlister: Shqipëria i ka hapur të gjitha kapituj dhe është në pritje të raportit. Shqipëri duhet të vazhdojë edhe më tej të punojë për të shkuar më tej drejt procesit të anvancimit. Çdo vend ecën në mënyrë individuale në këtë proces. Duhet parë ndryshimi i madh për qytetarët, vlerësojmë se të gjitha forcat politike kanë pasur interes drejt procesit të integrimit. Inkurajojmë dialog politik është me rëndësi që edhe mazhoranca të krijojë hapësira për opozitën dhe opozita të bëhet më bashkëpunuese në interes të popullit dhe të demokracisë. Ne kemi parë progres në Shqipëri. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike.

Andreas Schieder, Raportuesi i PE për Shqipërinë: Siç e përmendët, zgjedhjet dhe klima politike nuk janë më të mirat. Ekziston një kuadër zgjedhor konkurrues. Ka shqetësime të vazhdueshme për keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendime për blerje votash, presion ndaj votuesve, por edhe për këtë polarizim të vazhdueshëm politik, i cili po minon besimin tek institucionet dhe mbikëqyrjen parlamentare. Veçanërisht në javët dhe muajt e fundit, situata është radikalizuar sërish, duke u përpjekur të bëhet politikë në rrugë dhe jo në sallat e Parlamentit.

Transparenca e madhe dhe përfshirja e shoqërisë civile janë një element i domosdoshëm për vendin. Sa i përket sundimit të ligjit dhe korrupsionit, ne do të mirëprisnim që reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut të vazhdojnë të ecin përpara; Shqipëria është vendi që ka ndërmarrë hapat më të thellë në këtë drejtim, por mbeten shqetësime për efikasitetin dhe procedurat e gjata.

Korrupsioni mbetet një nga problemet më të mëdha në vend; kërkohet një bilanc më i fortë hetimesh dhe dënimesh në nivele të larta.

Andrey Kovatchev: E mirëpres objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Europian më pas. Por ambiciet duhet të shoqërohen me reforma konkrete, veçanërisht në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kundër korrupsionit duhet të ketë rezultate të qëndrueshme dhe të dukshme. Institucione si SPAK-u duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe efikase, të lira nga presioni politik. Shqipëria ka bërë përpjekje me reformën në drejtësi të mbështetur nga BE-ja dhe me procesin e vettingut, por ky vrull duhet të vazhdojë. Hetimet, përfshirë ato që përfshijnë zyrtarë të lartë si Zëvendëskryeministri, duhet të ecin përpara pa asnjë ndërhyrje. Sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Prandaj, kërkesa për heqjen e imunitetit parlamentar pa vonesë është përgjegjësi e Parlamentit.

Jam i shqetësuar për ndryshimet e propozuara në procedurën penale për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e lartë nga pezullimi ndërkohë që janë nën hetim penal. Legjislacioni duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike. Ligjet nuk duhet kurrë të përshtaten sipas nevojave politike. Ato duhet t’i shërbejnë interesit publik dhe të garantojnë barazinë para ligjit.

Reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore është po aq thelbësore. Në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2025 theksoi mangësi të vazhdueshme: mungesë të kushteve të barabarta mes partive politike, keqpërdorim të gjerë të burimeve publike dhe pushtetit institucional nga partia në pushtet, pretendime për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, përfshirë punonjësit e administratës publike, si dhe raste intimidimi. Praktika të tilla minojnë besimin e publikut dhe dobësojnë standardet dhe institucionet demokratike.

Thomas Waitz: Shumë gjëra janë thënë tashmë nga kolegët. Sundimi i ligjit, si në fakt në të gjitha shtetet e Ballkanit, është një përbërës kyç i procesit të bazuar në meritë. Dhe jo vetëm kaq, është gjithashtu një element thelbësor për klimën e investimeve dhe për një shtet që synon të afrohet me standardet e Bashkimit Europian.

Kur bëhet fjalë për gjyqësorin, veçanërisht pavarësia e tij është me rëndësi thelbësore. Siç e përmendën tashmë kolegët, legjislacioni është një gjë dhe reformat janë duke vazhduar, por zbatimi është ajo ku, fatkeqësisht, shohim mangësi në terren, edhe pse vërejmë investimet dhe motivimin e qeverisë dhe institucioneve për ta përmirësuar situatën.

Ne ende kemi një problem me kapacitetet. Gjithashtu, janë në zhvillim e sipër programe arsimore dhe trajnuese. Kemi parë një proces pastrimi të hapësirës gjyqësore nga rastet e mundshme të korrupsionit, i cili ka çuar në mungesë personeli, dhe kjo ka sjellë një grumbullim të madh çështjesh në gjykata. Pra, nevojiten përpjekje të mëtejshme. Edhe për ne në Bashkimin Europian ekzistojnë mundësi të mundshme për mbështetje.

Fakti që SPAK-u, si njësia kundër korrupsionit, është në gjendje të arrestojë një politikan të nivelit të lartë, ish-përfaqësues të lartë, tregon se ka hapësirë veprimi. Ky është një sinjal shumë i mirë në praktikë, përtej legjislacionit.

Dhe pikërisht, është e vërtetë ajo që thanë edhe folësit e tjerë: ligji duhet të zbatohet njësoj për çdo qytetar. Është gjithashtu një shenjë shumë pozitive që SPAK-u ka pavarësinë dhe mbështetjen për të vepruar edhe kundër rasteve të perceptuara apo të mundshme të korrupsionit, edhe në nivelet e larta.

Stanislav Stoyanov: Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka arritur përparime të dukshme, veçanërisht sa i përket pakicave kombëtare. Këto politika janë shembuj të mirë në rajon dhe duhet të inkurajojnë vendet e tjera kandidate që të ndjekin të njëjtën qasje.

Megjithatë, ka edhe disa pika të tjera. Nuk po merren masa të mjaftueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu, nuk dihet saktësisht se si po përdoren fondet e taksapaguesve të BE-së atje. Ka projekte infrastrukturore dhe investime; në Ballkanin Perëndimor këto janë burime shumë të rëndësishme.

Ne mirëpresim atë që po bëhet në lidhje me Korridorin e Transportit numër 8. Dhe do të doja t’i kërkoja Komisionerit që të shqyrtojë punën që po bëhet për pakicat. Kjo është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor.

 

Po ndodh...

ide