‘Komshinjtë më të mirë’/ Krimi makabër në Fier, flasin fqinjët: Jemi të çuditur!

24 Mars 2026, 18:06 / AKTUALITET ALFA PRESS

‘Komshinjtë më të mirë’/ Krimi makabër

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e sotme fshatin Kuman të Roskovecit, ku një 80-vjeçar, i identifikuar si Shefit Rrapaj, ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Pas ngjarjes tragjike, banorët e zonës kanë reaguar të shokuar, duke e përshkruar çiftin si njerëz të qetë dhe pa probleme të dukshme në komunitet.

Një prej fqinjëve u shpreh se viktima ishte një grua e respektuar dhe e përkushtuar ndaj familjes dhe jetës në fshat.

“Ishte nga gratë e rralla, e respektoja si motrën time. Nuk e di si ndodhi. Shefiti nuk konsumonte alkool, kurrë. Ndoshta ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë ndikuar, por nuk i di problemet e tyre. Nuk e dija që kishte armë në shtëpi.

Nuk e di shkakun. Nuk e di pse janë grindur 4 ditë më parë. Ndoshta ka lozur lloto, nuk e di. Ajo është problematika gjithmonë. Kanë rreth 20 vite që jetonin këtu dhe i njihnim si komshinjtë më të mirë,” tha ai.

Sipas tij, çifti jetonte vetëm, ndonëse kishte nëntë fëmijë, dhe gruaja merrej kryesisht me punët e shtëpisë dhe rritjen e shpendëve. Ai shtoi se nuk dihen arsyet e konfliktit, por përmendi se mund të kenë pasur një grindje disa ditë më parë.

Edhe një tjetër fqinj deklaroi se çifti nuk kishte shfaqur probleme në komunitet dhe njiheshin si njerëz të rregullt.

“Nuk kanë pasur probleme me fshatin. Merreshin me bahçen dhe jetën e përditshme. Janë të ardhur nga Levani dhe njiheshin si çift i qetë. Nuk kemi dëgjuar për konflikte mes tyre. Është një ngjarje makabre,” u shpreh ai.

Po ndodh...