Qerreti nën presionin e betonizimit: Banorët kërkojnë hetim nga SPAK për ndërhyrjen në zonën e Lagunës Blu

27 Maj 2026, 20:37 / AKTUALITET ALFA PRESS

Qerreti nën presionin e betonizimit: Banorët kërkojnë hetim

Në mëngjesin e datës 26 maj 2026, një ndërhyrje e papritur në zonën e Lagunës Blu në Qerret, pranë fshatrave turistike, ka shkaktuar reagim të fortë mes banorëve, të cilët denoncojnë prerjen e pishave, prishjen e mureve mbrojtëse dhe hapjen e një rruge të re kalimi drejt bregdetit.

Sipas banorëve, ndërhyrja është kryer nga strukturat vendore, me praninë e Policisë Bashkiake, IKM-së dhe Policisë së Rendit të Kavajës, në një zonë që deri më sot ka shërbyer si hapësirë e gjelbër, natyrore dhe mbrojtëse për komunitetin. Ata pretendojnë se veprimet janë kryer pa transparencë, pa konsultim paraprak me banorët që jetojnë në zonë dhe pa bërë publike dokumentacionin ligjor që justifikon ndërhyrjen në rrugë, në mur rrethues dhe në pyllin me pisha.

Në qendër të denoncimit të banorëve është Bashkia Kavajë dhe kryetari i saj, që banorët e identifikojnë si përfaqësues të Partisë Demokratike, ndaj të cilit ngrihen akuza për papërgjegjshmëri institucionale dhe mungesë vizioni afatgjatë në administrimin e një zone me vlerë të lartë natyrore dhe turistike. Banorët shprehen se natyra, siguria dhe e ardhmja e një komuniteti të tërë nuk mund të sakrifikohen për interesa të ngushta, përfitime të momentit apo favore ndaj grupeve ndërtuese.

Sipas dëshmive të banorëve, rruga është hapur nga aksi kryesor deri në bregun e detit, duke kaluar përmes zonës së pishave në Lagunën Blu dhe pranë fshatrave turistike në Qerret. Gjatë këtij procesi, sipas tyre, janë prerë pisha, është dëmtuar hapësira e gjelbër dhe janë prishur mure që shërbenin si element mbrojtës për sigurinë e zonës.

Banorët pretendojnë se hapja e rrugës është kryer pa një projekt të qartë, pa standarde teknike të bëra publike dhe në mënyrë amatore, duke ndërhyrë në terren pa respektuar procedurat që kërkon një zonë me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe banimi. Sipas tyre, nuk është paraqitur asnjë projekt inxhinierik, plan zbatimi, studim ndikimi apo dokument që të tregojë se kjo ndërhyrje është konceptuar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin.

Për më tepër, banorët që jetojnë në zonën ku kalon rruga nuk janë konsultuar, nuk janë informuar paraprakisht dhe nuk u është dhënë mundësia të shprehin shqetësimet e tyre për sigurinë, mjedisin dhe pasojat që sjell kjo ndërhyrje në jetën e përditshme të komunitetit.

Kjo ndërhyrje ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë e fshatrave turistike dhe të zonës së Lagunës Blu. Hapja e rrugës ka krijuar një akses të pakontrolluar nga rruga kryesore drejt detit, duke e lënë zonën të ekspozuar ndaj lëvizjeve të pakontrolluara dhe ndërhyrjeve të tjera të mundshme. Një hapësirë që deri dje ishte natyrore dhe kryesisht këmbësore, sot rrezikon të kthehet në korridor kalimi për automjete, ndërtime dhe interesa private.

Banorët ngrenë dyshime serioze se kjo ndërhyrje nuk po kryhet në funksion të interesit publik, por në shërbim të projekteve ndërtimore që po zhvillohen në zonë. Sipas tyre, institucionet që duhet të mbronin territorin, pyjet, hapësirat e gjelbra dhe sigurinë publike, po heshtin ose po veprojnë në mënyrë të njëanshme, duke favorizuar ndërtimin pa kriter në dëm të komunitetit.

“Shteti nuk mund të vihet në shërbim të interesave të ndërtimit. Zyrtarët që kanë detyrë të mbrojnë natyrën dhe qytetarët nuk mund të lejojnë shkatërrimin e pishave, prishjen e mureve dhe cenimin e sigurisë së fshatrave turistike,” shprehen banorët.

Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi i zonës së Golemit, banorët denoncojnë se e njëjta logjikë po vijon tashmë edhe në Qerret. Sipas tyre, ndërthurja e interesave vendore, politike dhe ndërtimore po i hap rrugë betonizimit të mëtejshëm të bregdetit. Në vend që institucionet të mbrojnë pyjet, hapësirat e gjelbra dhe sigurinë e qytetarëve, ato po lejojnë prerjen e pishave dhe dëmtimin e natyrës në emër të një “zhvillimi” që, sipas banorëve, pasuron pak njerëz dhe dëmton gjithë komunitetin.

Banorët theksojnë se ky nuk është zhvillim i qëndrueshëm, por shkatërrim i planifikuar i natyrës. Sipas tyre, ndërtimi pa kriter nuk sjell turizëm cilësor, por betonizim, humbje të gjelbërimit, rrezik për sigurinë dhe zhdukje të identitetit natyror të zonës. Laguna Blu dhe fshatrat turistike në Qerret po humbasin çdo ditë qetësinë, gjelbërimin dhe funksionin për të cilin janë ndërtuar dhe promovuar.

Shqetësimi lidhet edhe me faktin se në zonën përreth fshatrave turistike po zhvillohen ndërtime të reja. Banorët dyshojnë se hapja e rrugës nuk po bëhet për nevoja reale të komunitetit, por për t’i shërbyer aksesit të projekteve ndërtimore. Për ta, kjo është arsyeja pse duhet një hetim i plotë mbi vendimmarrjen, dokumentacionin, lejet dhe përfituesit realë të kësaj ndërhyrjeje.

Banorët kërkojnë që të gjithë zyrtarët e përfshirë, duke nisur nga kryetari i Bashkisë Kavajë, drejtuesit e institucioneve vendore, organet e kontrollit të territorit, strukturat mjedisore dhe çdo institucion që ka lejuar ose mbuluar këtë ndërhyrje, të japin llogari publikisht dhe ligjërisht.

Ata kërkojnë publikimin e menjëhershëm të çdo dokumenti që lidhet me ndërhyrjen: leje ndërtimi, leje ndërhyrjeje në rrugë, vlerësim mjedisor, projekt të miratuar, vendim institucional apo çdo akt tjetër që mund të justifikojë prerjen e pishave, prishjen e mureve dhe hapjen e rrugës në zonën e Lagunës Blu dhe pranë fshatrave turistike në Qerret.

Përpara se të ndërmerreshin veprime të tilla që prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë dhe jetën e përditshme të banorëve, institucionet kishin detyrimin të zhvillonin konsultim publik me komunitetin e zonës ku kalon rruga. Sipas standardeve europiane dhe parimeve të pjesëmarrjes publike në vendimmarrjet mjedisore, banorët duhet të informoheshin paraprakisht, të njiheshin me projektin, dokumentacionin, ndikimin në mjedis dhe pasojat për sigurinë e zonës, e më pas të merrej një vendim transparent.

Anashkalimi i banorëve, mungesa e konsultimit dhe ndërhyrja e menjëhershme në dëm të natyrës dhe komunitetit përbëjnë, sipas tyre, shkelje të rënda të parimeve të qeverisjes së mirë, transparencës dhe mbrojtjes së mjedisit. Banorët kërkojnë që këto veprime të hetohen dhe të marrin përgjigje nga drejtësia, pasi askush nuk mund të shkatërrojë pyjet, muret mbrojtëse dhe sigurinë e një komuniteti në emër të ndërtimit pa kriter.

Në mungesë të dokumenteve, projektit teknik dhe konsultimeve publike, banorët e konsiderojnë ndërhyrjen të paligjshme dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve, verifikimin e përgjegjësive, hetimin e zyrtarëve të përfshirë dhe rikthimin e sigurisë në zonë.

Thirrje për SPAK dhe Prokurorinë

Për këtë arsye, banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të SPAK dhe Prokurorisë për të hetuar këtë aferë të radhës në bregdetin e Kavajës, ku sipas tyre interesa të lidhura me ndërtimin po shkatërrojnë edhe ato hapësira natyrore që deri më sot kishin mbetur të mbrojtura. Prerja e pishave, prishja e mureve mbrojtëse, hapja e një rruge pa transparencë, mungesa e konsultimit publik dhe përfshirja e institucioneve publike në këtë proces ngrenë dyshime serioze për abuzim me detyrën, favorizim të interesave private, dëmtim të pasurisë publike e mjedisore dhe cenim të sigurisë së komunitetit.

SPAK dhe Prokuroria duhet të verifikojnë urgjentisht kush e ka urdhëruar ndërhyrjen, mbi çfarë baze ligjore është kryer ajo, cilat institucione kanë dhënë miratime, nëse ka pasur leje mjedisore, leje ndërhyrjeje në rrugë, projekt të miratuar, plan teknik dhe konsultim publik me banorët. Po ashtu, duhet të hetohet nëse nga hapja e kësaj rruge përfitojnë drejtpërdrejt subjekte private apo kompani ndërtuese që po zhvillojnë projekte në zonë.

Hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te punonjësit në terren apo strukturat zbatuese. Ai duhet të shtrihet tek çdo zyrtar publik, drejtues institucioni, përfaqësues vendor, subjekt ndërtues apo person tjetër që ka urdhëruar, lejuar, mbuluar, favorizuar ose përfituar nga kjo ndërhyrje. Nëse ka pasur shkelje ligjore, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe institucionale, sepse dëmtimi i natyrës, cenimi i sigurisë së banorëve dhe përdorimi i institucioneve publike në funksion të interesave private nuk mund të kalojnë pa hetim dhe pa ndëshkim.

Banorët kërkojnë që SPAK-u të sekuestrojë dhe verifikojë të gjithë dokumentacionin zyrtar që lidhet me këtë ndërhyrje, të administrojë pamjet filmike, dëshmitë e banorëve, komunikimet institucionale, vendimet administrative dhe çdo akt që mund të provojë zinxhirin e përgjegjësisë.

Vetëm një hetim i plotë, i pavarur dhe transparent mund të sqarojë nëse kjo ndërhyrje është kryer në interes publik apo në funksion të interesave të ngushta ndërtimore që po kërcënojnë bregdetin e Qerretit.

Rasti i Qerretit është një alarm i fortë për mënyrën se si po trajtohet bregdeti shqiptar. Kur pishat priten, muret mbrojtëse prishen, rrugët hapen pa transparencë, pa projekt të qartë dhe pa konsultim me banorët që jetojnë aty, pyetja është e qartë: a po mbron shteti qytetarët dhe natyrën, apo po toleron ndërtimin pa kriter në dëm të interesit publik?

Nëse nuk ka reagim të menjëhershëm institucional dhe hetim të plotë, Qerreti rrezikon të ndjekë fatin e Golemit: humbjen e gjelbërimit, betonizimin e bregdetit dhe zhdukjen graduale të një pasurie natyrore që nuk u krijua për t’u shitur për interesa të momentit, por për t’u ruajtur për brezat që vijnë./Nga Muriel

Po ndodh...

ide