SAGA e hakmarrjeve e familjeve Lici-Bajri/ Autorët qëlluan mbi 50 plumba drejt mjetit, grupi hetimor kthehet në skenën e krimit! Dyshohet se ishin dy qitësa

31 Tetor 2024, 10:07 / AKTUALITET ALFA PRESS

SAGA e hakmarrjeve e familjeve Lici-Bajri/ Autorët qëlluan mbi 50

Autorët e masakrës me 3 viktima në Shkodër qëlluan rreth 50 plumba në drejtim të automjetit ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Një atentat i rëndë ndodhi ditën e djeshme në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën tre persona, përfshirë Hamza Licin, 23 vjeç, Flutura Bashën, 66 vjeç (kalimtare), dhe Arlind Bushatin, 32 vjeç.

Bashkim Basha, bashkëshorti i Fluturës, mbeti i plagosur në ngjarje.

Atentati ndodhi rreth orës 15:50, kur Hamza Lici dhe Arlind Bushati po udhëtonin me një automjet tip “Benz”.

E gjithë ngjarja sipas burimeve nga grupi hetimor dyshohet të ketë zgjatur vetëm 70 sekonda, ku autorët kanë zbrazur breshërinë me armë nga një distancë rreth 150 metra.

Si pasojë e të shtënave me armë, makina Benz me të cilin Lici e Bushati po udhëtonin humbi kontrollin dhe u përplas me një motor, me të cilin po udhëtonte çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha.

Për pasojë gruaja humbi jetën ndërsa bashkëshorti ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Dyshohet se tre persona ishin të përfshirë në ngjarje: dy qitës dhe një shofer, të cilët përdorën një automjet tip “Range Rover”, i cili pas atentatit u gjet i djegur në fshatin Golem. Brenda këtij automjeti u gjetën dy armë zjarri.

Në automjetin e Hamza Licit u gjetën gjithashtu tri armë zjarri, ku dyshohet se Arlind Bushati kishte tentuar të kundërpërgjigjej ndaj sulmuesve. Kjo pasi disa gëzhoja të gjetura në vendngjarje përkojnë me armën e gjetur në mjetin e drejtuar nga Lici.

Motivi i atentatit dyshohet të jetë hakmarrja, me një histori konflikti mes dy fiseve, Bajri dhe Lici, që ka vazhduar për vite. Para disa ditësh, Arlind Bushati ishte kërcënuar me armë nga dy persona në një motoçikletë, afër banesës së tij.

Saga e hakmarrjes mes dy fiseve, Bajri-Lici:
Prej disa vitesh, familjet e njohura Lici dhe Bajri, në Shkodër janë në përplasje me njëra tjetrën, ç’ka ka shkaktuar edhe disa viktima. Përplasja dyshohet se ka nisur pas një atentati, në janar të 2018, ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Shpërthimi i telekomanduar shkaktoi tetë persona të plagosur, mes të cilëve dhe Kulla. Më 18 qershor, u vra në servisin e tij Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje.

Më 15 korrik të vitit të 2018, poshtë banesës që kishin me qira ekzekutohen çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, kur në makinë ndodhej edhe një fëmijë 3 vjeç, që u shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin Bajri.

Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit. Më 23 gusht zhduken shtetasit Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip dhe dajë, që dyshohet se kishin lidhje me fisin Lici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, më 1 shtator të vitit të 2018 u vra Arjan Ferracaku, që ishte duke ecur me kalë.

Më 14 nëntor u ekzekutua kushëriri i Arjanit, Fatos Ferracaku, kur shiste peshk në lagjen “Rus”. 30 mars 2019, vriten në shtëpi Astrit e Ibrahim Bilali . Saga e vrasjeve vazhdoi me Endri Mustafën dhe autor dyshohet Ibrahim Lici.

Një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë dalë edhe në bisedat e zhvilluara në SKY dhe ECC dhe po hetohen nga SPAK.

Po ndodh...