“S’eci dot, s’u ktheva as për të varrosur nënën”/ Kurohet në Francë për diabetin, i ndërpresin KEMP-in

6 Qershor 2025, 23:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

“S’eci dot, s’u ktheva as për të varrosur

Qytetarja nga Lezha, Mimoza Kolndreu, tregon për emisionin “Stop” se në vitin 2016 kuptoi se vuante nga diabeti dhe në vitet 2016-2021, ka marrë KEMP. Tani jeton e kurohet nga Francë për një sërë problemesh dhe i ka lënë motrës prokurë që të interesohet te doktori për të vijuar procedurën e KEMP-it.

Pas shumë sorollatjesh, së motrës i kanë thënë që nuk mund të bëhet KEMP-i pa qenë fizikisht Mimoza. E sëmura është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe thotë se e ka të pamundur të vijë në Shqipëri, madje nuk është kthyer as për të varrosur të ëmën.

Mimoza Kolndreu, denoncuese: Në 2016-ën e kam diktuar që më ka kapur. 2016-2021, e kam marrë KEMP-in vazhdimisht. Motrës sime ia kam lënë me prokurë që të shkojë të interesohet te doktori që ta pyesë se çfarë duhet a si duhet, sepse unë jam në Francë për kurim. Jo, hajde pas një muaji, jo hajde më vonë…pastaj i ka thënë që nuk mund të bëhet pa qenë ajo këtu. Që në 2021-shin, qëkur kam ardhur këtu, kam ardhur për pak kohë se thashë, mbase më zgjat për shumë pak kohë operimi, por nuk e dija që kisha tërë këto probleme. Unë i marr që kur kam ardhur e deri në ditët e sotme, i marr të gjitha në Francë: insulinat, bëj katër insulina në ditë. Unë të kisha pasur mundësi do të kisha shkuar për të varrosur nënën se kurrkush nuk do mos t’i japë lamtumirën e fundit prindit të vet.

Ernest Rakaj, drejtor i ISH-së Lezhë, thotë se do të bëjnë edhe njëherë rishqyrtimin e dosjes që zonja ta rimarrë KEMP-in. Ai shprehet se do të këmbëngulë që vlerësimi i saj të bëhet me anë të videokonferencës, por miratimin për këtë e jep ISSH-ja në Tiranë.

Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Ndërprerja e KEMP-it është bërë për shkak se zonja nuk është paraqitur fizikisht sepse zonja jeton jashtë vendit.

Gazetari: Pavarësisht se zonja na ka thënë që ka autorizuar motrën e vet që ndodhet në Lezhë me anë të një prokure në mënyrë  që të merret ajo me këtë problem.

Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Patjetër ne do të bëjmë edhe njëherë rishqyrtimin e dosjes e do të bëjmë maksimumin që ta rimarrë KEMP-in. Kemi edhe një mundësi tjetër që me anë të videokonferencës që bëhet kur në raste të vështira nuk mund të paraqitet fizikisht, por zonja me pjesën e epikrizës nuk e përfiton realisht si videokonferencë. Miratimin na e jep ISSH-ja në Tiranë. Ne u nisim dokumentat dhe na thonë nëse e përfiton ose nuk e përfiton.

Gazetari: Megjithatë zonja, në komunikimin që kemi pasur me të, na ka thënë se ndodhet për arsye shëndetësore dhe gjendja e saj, sipas saj, është e përkeqësuar.

Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Patjetër që do e rishqyrtojmë me prioritet e me detaje dhe pastaj do të dalim në konkluzionin nëse e përfiton zonja apo nuk e përfiton, fiks sipas ligjit.

Qytetares i komunikohet se ç’do të ndodhë më tej me procedurën.

 

Po ndodh...