Shqetësim për sigurinë në gjykata pas vrasjes së Astrit Kalasë, Komisioni “Xhafaj” inspektim në GJKKO

2 Shkurt 2026, 12:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

Shqetësim për sigurinë në gjykata pas vrasjes së Astrit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar inspektimin e kushteve të sigurisë në gjykata, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Apel.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se inspektimi është kryer sot në Gjykatën e Posaçme nga Komisioni Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”

Kujtojmë se komisioni ka kërkuar të kryejë inspektim edhe në Prokurorinë e Posaçme, kërkesë që refuzuar.

Në përgjigjen e prokurorisë thuhet shprehimisht se kërkesa e komisionin bien në kundërshtim me pavarësinë e këtij institucioni.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.
Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me Komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme shpreh mosdakortësinë e saj për realizimin e vizitës monitoruese të caktuar prej jush në datën 06.02.2026, vizitë të cilën e konsideron në kapërcim të ligjit dhe cënim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Të nderuar,
Në vijim të shkresës sonë nr. 5259 Prot., datë 07.10.2025, mbi të cilën ende nuk kemi marrë përgjigje, dhe në vijim të ngjarjes tragjike të ndodhur më datë 6 tetor 2025, Këshilli i Lartë Gjyqësor ndjen detyrimin të përsërisë shqetësimin e thellë për mungesën e reagimit të koordinuar institucional dhe për mangësitë strukturore në sistemin e sigurisë së gjykatave të vendit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh dhimbjen e thellë dhe solidaritetin e plotë me kolegët e gjyqtarit të ndjerë Z. Astrit Kalaja, si dhe me të gjithë trupën gjyqësore që ndjehet e tronditur pas ngjarjes tragjike të ndodhur më datë 6 tetor 2025 në ambientet e gjykatës.
Kjo ngjarje përbën një akt të papranueshëm që ka goditur në themel sigurinë e sistemit gjyqësor dhe besimin publik tek shteti ligjor.

Pas kësaj ngjarjeje, në vend të një reagimi të bashkërenduar institucional, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një debati politik dhe institucional të përshkallëzuar mbi përgjegjësitë për sigurinë në gjykata, çka e konsiderojmë të papërshtatshme dhe të dëmshme për klimën e besimit publik.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ndjen detyrimin të theksojë se, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, KLGJ nuk është organ policor dhe nuk ka kompetenca ekzekutive për garantimin e sigurisë fizike në ambientet gjyqësore. Megjithatë, në ushtrimin e përgjegjësive për administrimin e sistemit gjyqësor, Këshilli ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme nevojën për rishikimin e strukturës së sigurisë në gjykata, për mbështetje financiare dhe për koordinim të plotë ndërinstitucional në këtë drejtim.
Nëse mendoni se Këshilli nuk ka bërë mjaftueshëm, këtë perceptim e respektojmë dhe ndaj tij ndjejmë përgjegjësi morale. Por theksojmë me qartësi se problematika e sigurisë gjyqësore nuk mund të zgjidhet brenda kapaciteteve administrative të sistemit gjyqësor. pa një strukturë të integruar të sigurisë dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga organet ekzekutive dhe të sigurisë kombëtare.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon institucioneve të lartpërmendura ndërhyrje urgjente për realizimin e këtyre masave:

• Vendosja e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat e vendit, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plan të dedikuar sigurie.

Mbështetje buxhetore dhe përmirësim i infrastrukturës së sigurisë.

Klasifikim i gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.

• Rishikim i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, për të përcaktuar qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe burimet financiare ndërinstitucionale.

Rishikim i plotë i protokolleve të hyrjes dhe daljes në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata, i cili të përcaktojë përgjegjësitë e secilit institucion, afatet e zbatimit, burimet financiare si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit.

Ky plan duhet të përfundojë brenda një kohë sa më të shkurtër dhe të jetë bazë për ristrukturimin e plotë të sistemit të sigurisë në gjykata.
Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij në hartimin e këtij dokumenti strategjik.

Po ndodh...

ide