Planeti në alarm! Bota rrezikon të kalojë pragun kritik të ngrohjes globale
Në Antalia të Turqisë ka nisur procesi i dytë i vlerësimit global të klimës, një mekanizëm i parashikuar nga Marrëveshja e Parisit, që synon të masë progresin e vendeve në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Procesi do të zgjasë dy vjet dhe do të përfundojë në vitin 2028, në kuadër të COP33. Synimi është të përcaktohet se sa larg ka arritur bota në përmbushjen e objektivave klimatike, çfarë është realizuar deri më tani dhe, mbi të gjitha, çfarë duhet bërë më tej.
Sekretari Ekzekutiv i Konventës së OKB-së për Klimën, Simon Stiell, e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërkombëtar, duke theksuar se vlerësimi i ri do të shërbejë për të kuptuar gjendjen reale të përpjekjeve globale dhe për të përcaktuar drejtimin e veprimeve të ardhshme.
"Jemi në pikënisjen e vlerësimit të dytë global. Ky është një moment madhor për procesin ndërkombëtar të klimës dhe një mundësi e rëndësishme për të treguar se ku ndodhet bota në përballjen me ndryshimet klimatike. Duhet të vlerësojmë çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo, të përcaktojmë se ku duhet të shkojmë më tej dhe të krijojmë një vendosmëri të përbashkët për t'i arritur këto objektiva”, tha Simon Stiell.
Ky mekanizëm është një nga instrumentet kryesore të Marrëveshjes së Parisit, të miratuar në vitin 2015. Rreth 200 vende u angazhuan atëherë të kufizojnë rritjen e temperaturës globale në shumë më pak se 2 gradë Celsius krahasuar me nivelet paraindustriale, duke synuar kufirin 1.5 gradë. Për të matur përparimin, marrëveshja parashikon një vlerësim global çdo pesë vjet, i cili duhet të shërbejë si bazë për objektiva më ambiciozë dhe politika më konkrete klimatike.
Vlerësimi i parë përfundoi në vitin 2023, gjatë COP28 në Dubai. Ai nxori në pah nevojën për të përshpejtuar reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe për të orientuar ekonomitë drejt energjisë së pastër. Tashmë, procesi i dytë synon të shkojë përtej angazhimeve politike dhe të përqendrohet te zbatimi i tyre.
"Na nevojitet një vlerësim i ndershëm, i besueshëm dhe i mbështetur në prova, në mënyrë që Marrëveshja e Parisit të vijojë përpara. Ky është funksioni thelbësor i vlerësimit global. Vlerësimi i parë pati një ndikim shumë të rëndësishëm. Angazhimet që morëm nuk mbetën thjesht fjalë në letër, por nxitën pesë vite veprimesh konkrete", u shpreh Chris Bowen, President i negociatave të COP31.
Por çfarë pritet të sjellë ky proces dhe sa ndikim mund të ketë në politikat e vendeve? Drejtori i Nismës Ndërkombëtare për Klimën në Institutin Botëror të Burimeve, David Waskow, shpjegon se vlerësimi i ri do të jetë një proces i hapur, ku qeveritë dhe aktorë të tjerë do të paraqesin të dhëna dhe propozime për hapat e ardhshëm.
"Marrëveshja e Parisit parashikoi që çdo pesë vjet të bëhet një vlerësim global për të parë se çfarë po ndodh me ndryshimet klimatike dhe me veprimet për t'i luftuar ato. Vlerësimi i parë përfundoi në vitin 2023, në COP28 në Dubai, ndërsa tani po nisim vlerësimin e dytë global", shprehet David Waskow, drejtor i nismës ndërkombëtare për klimën, WRI.
Gjatë dy viteve të ardhshme do të mblidhen të dhëna dhe kontribute në nivel teknik, përpara se procesi të hyjë në fazën politike dhe të përmbyllet në vitin 2028. Një nga sfidat kryesore do të jetë shndërrimi i objektivave në masa konkrete, duke marrë parasysh edhe përgjegjësitë dhe mundësitë e ndryshme të vendeve.”
Përfaqësues të Ganës theksuan se vlerësimi i dytë duhet të përqendrohet te zbatimi dhe rezultatet konkrete, duke vendosur barazinë dhe shkencën në themel të çdo angazhimi të ri. Edhe Komisioneri Evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, kërkoi përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe largimin nga lëndët djegëse fosile, duke nënvizuar se vlerësimi i ri duhet të rikthejë vrullin e përpjekjeve globale për kufizimin e ngrohjes së planetit.
Wopke Hoekstra, Komisioner Evropian për klimën thotë: “Vlerësimi i dytë global duhet të ndërtohet pikërisht mbi trashëgiminë e procesit të parë dhe të na ndihmojë të rikthejmë vrullin për të kufizuar ngrohjen globale. Mbi të gjitha, kjo kërkon përshpejtimin e ndjeshëm të tranzicionit drejt energjisë së pastër dhe largimin nga lëndët djegëse fosile."
Nga ana tjetër, Kina kërkon që vlerësimi të njohë përpjekjet e vendeve dhe të përforcojë atë që e cilëson si një proces të pakthyeshëm drejt një ekonomie të gjelbër, me emetime të ulëta karboni dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet gjithnjë e më e dukshme. Bota po i afrohet tejkalimit të pragut prej 1.5 gradësh Celsius, kufiri që shkencëtarët e konsiderojnë thelbësor për të shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike. Sipas David Waskow, vlerësimi i ri duhet të përballet edhe me këtë realitet dhe me pasojat që ai sjell.
"Duhet të pranojmë se jemi pranë tejkalimit të objektivit prej 1.5 gradësh për kufizimin e ngrohjes globale. Duhet të njohim pasojat që kjo do të sjellë dhe të trajtojmë realisht masat e nevojshme pë t'u përballur me këtë situatë”, shprehet Waskow.
Ndërkohë, një nga rezultatet e vlerësimit të parë ka qenë ndikimi në politikat energjetike të disa vendeve. Investimet në energjinë e rinovueshme janë përshpejtuar, me Kinën dhe Indinë mes ekonomive që po zgjerojnë kapacitetet e tyre. Edhe Pakistani po shënon një rritje të ndjeshme të përdorimit të energjisë diellore. Një tjetër zhvillim është shtimi i mbështetjes për hartimin e planeve që synojnë largimin gradual nga karburantet fosile.
"Kemi parë disa mënyra se si vlerësimi i parë ka ndikuar në politikat e vendeve. Disa prej tyre po ecin shumë më shpejt drejt energjisë së rinovueshme. Kjo vlen për ekonomi të mëdha si Kina dhe India, por edhe për Pakistanin, ku përdorimi i energjisë diellore është zgjeruar ndjeshëm. Gjithashtu, është rritur mbështetja për largimin nga lëndët djegëse fosile, përmes hartimit të udhërrëfyesve dhe planeve konkrete për këtë tranzicion", vijon Waskow.
Por jo të gjitha vendet përballen me të njëjtat pasoja apo kanë të njëjtat mundësi për t'u përshtatur. Shtetet e vogla ishullore janë ndër më të rrezikuarat nga rritja e nivelit të detit dhe ngrohja e oqeaneve, pavarësisht kontributit të tyre të kufizuar në emetimet globale. Për këto vende, financimi ndërkombëtar dhe mbështetja për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike mbeten jetike.
"Nuk ka dyshim se ky proces është vendimtar për shtetet e vogla ishullore. Rritja e nivelit të detit dhe ngrohja e oqeaneve do të kenë pasoja dramatike për to. Këto realitete duhet të pasqyrohen në vlerësimin e dytë global, ashtu si edhe masat që duhen marrë për t'u përballur me to. Kjo përfshin edhe financimin", tha Waskow.
Në sfondin e këtyre negociatave, Turqia ka paraqitur një nismë për të rritur peshën e energjisë elektrike në konsumin përfundimtar global të energjisë, nga rreth 20 për qind aktualisht në 35 për qind deri në vitin 2035. Deri tani, 75 nga afro 200 vendet pjesëmarrëse kanë mbështetur këtë angazhim vullnetar. Por nisma është kritikuar, pasi nuk përcakton se energjia shtesë duhet të vijë domosdoshmërisht nga burime pa emetime karboni, çka mund të kufizojë ndikimin e saj në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Po ndodh...
Çfarë janë socialistët pa Ramën, "mut"?!
ide
Eunukët e pushtetit kanë gjithçka, përveç guximit për dinjitet
Protesta është më e madhe se partitë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


