Tragjedia e familjes në Shkodër që i mori jetën kryefamiljarit, Mirsada mbetet e vetme me fëmijët pa asnjë shpresë...
Në një nga fshatrat më piktoresk të Shkodrës, të fshehur mes fushave të gjelbra e kodrave të buta, ngrihej një shtëpi e vjetër dykatëshe, që shihte drejt një liqeni me ujin e pastër kristal.
Brenda kësaj shtëpie dëgjoheshin të qeshurat e zërat e dy fëmijëve që luanin me njëri tjetrin dhe bisedat e përditshme me familjarët e të afërmit që shkonin shumë shpesh për vizitë. Por, prej 7 muajsh tashmë në atë shtëpi nuk dëgjohet më asnjë tingull.
Mirsada jetonte në banesë me bashkëshortin Jakupin dhe dy fëmijët e tyre, Melda 10 vjeç dhe Hakimi 9 vjeç. Jakupi ka punuar gjithë jetën si peshkatar e vetëm me rrogën e tij është mbajtur e gjithë familja.
Jeta në fshat ishte e vështirë dhe përveç peshkimit, nuk ofronte mundësi të tjera për të siguruar të ardhura. Për këtë arsye, disa vite më parë familja Çotaj vendosi të zhvendosej në qytet. Morën një shtëpi me qera dhe ishin të sigurt se aty do krijonin një jetesë më të mirë për fëmijët. Por, me nisjen e Pandemisë, planet e tyre u përmbysën e u detyruan të kthehen përsëri në shtëpinë e tyre të vjetër në fshat.
Mirsada dhe Jakup i dhanë forcë njëri tjetrit e nuk u demoralizuan. Ndiheshin të lumtur edhe me pak, mjaftonte të kishin shëndetin. Ata kishin raport shumë të mirë me njëri tjetrin, fëmijët ishin shumë të lidhur me babain dhe nënën. Gjëja e tyre e preferuar ishte të prisnin kur babi kthehej nga puna sepse e dinin që ai, sado i lodhur të ishte, do merrte motorrin, e do i bënte xhiro nëpër fshat.
Ishte çdo gjë perfekte deri në datën 14 Prill. Vajza kishte shkuar të flinte te gjyshërit, të cilët jetonin aty afër, Mirsada me Jakupin e djalin e vogël ishin në shtëpi.
Pasi vuri djalin në gjumë, Mirsada u kthye në kuzhinë te bashkëshorti i cili po shikonte televizor. I tha që po shkonte të shtrihej sepse ndihej e lodhur. Doli nga dhoma dhe bashkëshortin e la te divani i kuzhinës ku rrinin çdo natë para se të flinin gjumë.
Kishin kaluar disa orë kur Mirsada ndjen se nuk mund të merrte frymë. Zgjohet dhe sheh që dhoma ishte e mbushur me tym. E kuptoi që diku në shtëpi kishte rënë zjarr. Menjëherë e kapi paniku duke menduar për djalin dhe bashkëshortin. Vrapoi për te dhoma e fëmijëve, zgjoi djalin e trembur duke i thënë “Ngrihu mam, ngrihu se po digjemi”…
Të tmerruar zbresin shkallët e drejtohen për te kuzhina ku ndodhej Jakupi. Mirsada hap derën dhe në fytyrë i vijnë flakët e zjarrit. U tremb aq shumë, nuk shihte dot përtej flakëve nëse bashkëshorti i saj ndodhej aty apo jo, por me shpresën se ai kishte gjetur mënyrën për të ikur, mori djalin e doli menjëherë nga shtëpia.
Sapo doli jashtë nisi të bërtiste me të madhe, kërkonte ndihmë te fqinjët sepse shtëpia po i digjej dhe thërriste emrin e Jakupit, duke shpresuar se ai do e dëgjonte e do shfaqej nga momenti në moment para saj. Kaluan disa orë deri sa flakët u shuan, e menjëherë u futën brenda për të parë se çfarë kishte ndodhur me Jakupin, por siç ata druheshin, Jakupi kishte qenë ende brenda kuzhinës e nuk i kishte shpëtuar dot flakëve. Zjarrëfikësit e gjetën pa jetë në kuzhinë, me duart para kokës, siç ishte përpjekur të mbrohej nga flakët.
Mirsada nuk ndalonte së dridhuri dhe truri i saj ende nuk arrinte të kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Brenda natës, bashkë me zjarrin, u kthye në hi edhe jeta e saj.
Tani nuk ka mbetur më asgjë që e mban të lidhur me atë vend. Fëmijët e kanë shumë të freskët të gjithë ngjarjen dhe deri më sot, ata nuk kanë shkuar asnjë ditë në shtëpinë e vjetër. Nuk durojnë dot ta shohin, por nuk durojnë dot as të dëgjojnë të flitet për këtë ngjarje. Edhe nëse shtëpia do rregullohej, ata refuzojnë të kthehen përsëri aty.
Nuk janë në gjendje të kthehen brenda mureve ku humbi jetën baba i tyre. Mirsada e ndjen se është e vështirë edhe për të, por një gjë e ka të sigurt. Do kujdeset që fëmijët mos ta harrojnë kurrë kujtimin e të atit dhe ajo nga toka e bashkëshorti nga qielli, do vazhdojnë të jenë drita udhërrëfyese e fëmijëve në çdo hap të jetës.
ide
Misioni i Agron Shehajt!
A është i mundur patronazhimi i votës së diasporës?
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128